Gjykata e Posaçme ka zbardhur sot vendimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me çështjen e privatizimit të Kompleksit Partizani.

Nga aktet e administruara, thuhet në vendim, ka rezultuar se familjet e njohura pronare, pikërisht pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të saj kohe, shtetasit Sali Berisha, janë organizuar dhe mbledhur, nga shtetasit Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja, duke gjetur dakordësinë në lidhje me zhvillimin e pronës.

Në dokumentin e siguruar nga Panorama, thuhet gjithashtu se është evidentuar se çështja familjare që përfshin ish kryeministrin e kohës, po menaxhohet nëpërmjet presioneve ndaj strukturave të Komandës në mënyrë që të konkludohet përfundimi i procesit të privatizimit.

Në lidhje me kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës thuhet: “Pasur parasysh dënimin që përcakton legjislatori për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore, që shkon deri në 12 vite burgim, pasur parasysh funksionin e tij si ish kryeministër i R.Shqipërisë në kohën e ndodhjes së ngjarjeve, duke treguar se ka qenë një ndër njerëzit më të pushtetshëm ku nga një vëzhgues objektiv, vlerësohet e mundur ndikimi në strukturat shtetërore, që kanë pasur rol në ndodhjen e ngjarjeve por edhe vetë angazhimi i tij drejtëpërdrejtë në ndryshim destinacioni apo në propozime dhe miratim aktesh ligjore dhe nënligjore, dhënia e urdhërave për ushtrim kontrolli me qëllim bërjen të mundur konkludimin e procedurës së privatizimit, duke ushtruar në këtë mënyrë presion mbi funksionarë të tjerë, pasur parasysh se korrupsioni është një ndër  fenomenet kryesore që Shqipëria ka marrë përsipër të luftojë, vlerësohet se janë kushtet e caktimit të një mase sigurimi më të rëndë se ato të vendosura.

Ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se vepra penale është kryer në rrethanë rënduese, konkretisht në kushte bashkëpunimi, që ka vazhduar për një kohë të gjatë, e shtrirë në vite.

Në rastin konkret, duke vlerësuar në fakt moshën e personit, nga ana e prokurorisë kërkohet zëvendësimi i masave të sigurimit që rëndojnë mbi personin nën hetim Sali Berisha, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Sipas prokurës së posaçme nr. 2814 rep nr. 990 kol datë 24.10.2023 dhe nr. 2815 rep nr. 991 kol datë 24.10.2023,  shtetasi Sali Berisha ka vetëidentifikuar adresën M. Matohiti, Ndërtesa 36, Hyrja 1, Nd. 036, Njësia  Adminsitrative nr. 2, Tiranë. E njëjta adresë rezulton edhe nga çertifikata personale e tij e datës  13.10.2023 dhe në deklaratën e pasurisë me datë dorëzimi 31.03.2023.

Nga personi nën hetim nuk është paraqitur asnjë arsye që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e  gjykatave, dhe pretendimet që janë ngritur publikisht në lidhje me mendimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i R.Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk mund të justifikojnë moszbatimin e vendimeve gjyqësore përsa kohë nuk rezulton të jenë prishur apo ndryshuar nga ndonjë gjykatë më e lartë. Shteti funksionon në bazë të rregullave dhe pikërisht, legjislatori ka vendosur, që në respektim të të drejtave dhe lirive të personit, ai ka plotësisht të drejtën të ankohet ndaj vendimeve gjyqësore, por deri në ndryshimin apo prishjen e tyre, është i detyruar t’i zbatojë.”

Gjykata rithekson gjithashtu se duhet të merret parasysh nevoja për vendosjen e ekuilibrit të duhur midis interesave të ndryshme të përfshira. “Për shkak të kontaktit të tyre të drejtpërdrejtë, të vazhdueshëm me realitetin e vendit, gjykatat e një shteti janë në një pozitë më të mirë se çdo gjykatë ndërkombëtare për të përcaktuar se si, në një kohë të caktuar, mund të vendoset një balancë e drejtë. Për këtë arsye, në çështjet sipas nenit 10 të Konventës, shtetet kontraktuese kanë një kufi të caktuar vlerësimi për të përcaktuar nevojën dhe qëllimin e çdo ndërhyrje në lirinë e shprehjes të mbrojtur nga ky nen.

Duke iu rikthyer çështjes objekt shqyrtimi, caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, kërkuar nga prokurori, ndaj personit nën hetim Sali Berisha, për shkak të vetë karakteristikave që kjo masë sigurimi paraqet, por edhe mënyrën e zbatimit të saj, lidhet pazgjidhmërisht edhe më ndalimin e komunikimit, si kufizim i së drejtës së shprehjes. Argumenti i mësipërm është i vlefshëm në çdo rast të caktimit të kësaj mase dhe nuk lidhet në mënyrë të domosdoshme më lirinë politike të shprehjes, ashtu si në rastin konkret, megjithëse në këtë të fundit, kjo cilësi përkon.

Lidhur me pretendimet e kërkuesit se arsyet e caktimit ndaj tij të masës së sigurimit personal shtrëngues, nuk janë ligjore por insinuata politike në dëm të liderit të opozitës në vend për shkak të aktivitetit të tij politik dhe aksionit përshkallëzues politik të opozitës, gjykata çmon se ato janë vlerësime subjektive dhe aspak të bazuara. Kufizimet e lirisë së shtetasit nën hetim Sali Berisha, janë aplikuar konform të gjitha rregullave  proceduriale, mbi ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale për të cilën dyshohet, si dhe kushteve dhe kritereve të përgjithshme e të veçanta për caktimin e masave të sigurimit dhe nuk lidhet me asnjë nga arsyet e pretenduara nga ana e kërkuesit”.

Mësohet se janë kontaktuar avokatët e tij për ta tërhequr dhe raporti pritet që t’i përcillet më pas Berishës.

Vendimi i plotë:

V E N D I M

“NË EMËR TË REPUBLIKËS”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me:

GJYQTARE   Irena GJOKA

asistuar nga sekretare gjyqësore Bora TOTOLAKU, sot me datë 30.12.2023, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, kërkesën penale me nr.520 Rregj.Them., datë rregj. 22.12.2023 që i përket:

KËRKUES: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

OBJEKTI: Zëvendësim i masave të sigurimit personal shtrëngues, “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

NDAJ SHTETASIT NËN HETIM:

Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, me nr. personal E40701031R, i mbrojtur në këtë gjykim nga av.Genc Gjokutaj me nr.license 1309, Nipt K72208001G, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe av.Sokol Mëngjesi me nr.license 3673, Nipt L41803013C, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, të zgjedhur me prokurën e posaçme me Nr. 2456 Rep. Nr. 1060/2 Kol datë 26.12.2023.

I DYSHUAR: Për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

BAZA LIGJORE: Nenet 228, 229, 230, 231, 232, 237, 244 dhe 260 të K.Pr.Penale.

Gjykata, në përfundim të shqrtimit gjyqësor, pasi shqyrtoi kërkesën, vlerësoi çështjen në tërësi, dëgjoi palët në kërkimin përfundimtar, të cilat kërkuan:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, kërkoi:  Pranimin e kërkesës sipas objektit; Zëvendësimin e masave të sigurimit personal shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram dhe i Shiqere, datëlindja 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr personal E40701031 R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i K.Penal, me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të po së njëjtës gjykatë, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë, duke u siguruar ruajtja e tij me punonjës policie të shtetit, si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.

Shtetasi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet përfaqësuesëve të tij ligjorë, av.Genc Gjokutaj dhe  av.Sokol Mëngjesi, kërkoi: Rrëzimin e kërkesës së prokurorisë.

V Ë R E N

Me kërkesën objekt gjykimi, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kërkuar “Zëvendësimin e masave të sigurimit personale shtrënguese, “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram dhe i Shiqere, datëlindja 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr personal E40701031 R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i K.Penal, me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të po së njëjtës gjykatë, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë, duke u siguruar ruajtja e tij me punonjës policie të shtetit, si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.”

Kërkesa është paraqitur në gjykatë nga kërkuesi, më datë 22.12.2023. Gjykimi i kërkesës, bazuar në nenin 278 të Kodit të Procedurës Penale (në lidhje me nenin 13 pika 2 gërma “a” të po këtij Kodi), si dhe në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar me ligjin 35/2017, hyn në kompetencën e kësaj gjykate, pasi ndodhemi para një kërkesë që i përket fazës së hetimeve paraprake dhe që lidhet me procedimin penal për një vepër penale, gjykimi i së cilës është në kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kjo kërkesë është marrë në shqyrtim nga kjo gjykatë, si gjyqtare e hetimit paraprak, konform nenit 260/4 të Kodit Procedurës Penale, brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj.

Shtetasi nën hetim Sali Berisha nuk u paraqit në gjykim. Ai u njoftua rregullisht nëpërmjet shërbimeve të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku ka nënshkruar marrjen dijeni bashkëshortja Liri Berisha, dokumentuar nëpërmjet shkresës kthim përgjigje nr.26631, datë 22.12.2023 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Në rrethanat faktike më sipër, si dhe referuar vullnetit të shprehur personalisht nga i hetuari sipas prokurës së posaçme Nr. 2456 Rep. Nr. 1060/2 Kol, datë 26.12.2023, për përfaqësimin e tij nga mbrojtësit e zgjedhur, av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi në këtë gjykim, në mungesë të tij, gjykata në referim të nenit 112 dhe 351 të K.Pr.Penale deklaroi mungesën e vullnetshme të të hetuarit Sali Berisha duke u konsideruar i pranishëm. Interesat e tij të ligjshme u mbrojtën dhe përfaqësuan nga mbrojtësit e zgjedhur prej tij, av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi.

Gjatë gjykimit, në seancën gjyqësore të datës 26.12.2023, mbrojtësit e zgjedhur nga personi nën hetim Sali Berisha, av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi, pas legjitimimit, kërkuan përjashtimin e gjyqtarit të çështjes Irena Gjoka nga gjykimi i kërkesës penale, me pretendimin se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie, në përputhje me nenet 17 e vijues të K.Pr.Penale. Kjo kërkesë, e formuluar verbalisht në seancë gjyqësore, u materializua në vijim, nëpërmjet paraqitjes së saj, konform rregullave proceduriale, nenit 19, pika 1 të K.Pr.Penale, në kryesekretarinë e gjykatës. Për sa normohet më sipër, kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit bëhet në seancë menjëherë pas legjitimimit të palëve dhe referuar pikës 3 të nenit 19 të K.Pr.Penale, ajo përmban shkaqet e provat dhe parashtrohet me akt të shkruar. Mbi këtë kërkesë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin nr.521, datë 27.12.2023 ka disponuar për deklarimin si të papranueshme të kërkesës, për arsyet e detajuara në përmbajtje të këtij vendimi.

Po kështu, në seancën gjyqësore të datës 27.12.2023, nga ana e mbrojtësve të zgjedhur nga personi nën hetim Sali Berisha, av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi, u riformulua verbalisht kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues të çështjes, me arsyetimin se nuk ka përmendur bazën ligjore mbi vendimin e saj për zhvillimin e seancës gjyqësore pa praninë e mediave. Në këto kushte, gjykata caktoi seancën gjyqësore për ditën e nesërme, datë 28.12.2023. Duke qenë se edhe në këtë datë, nga ana e mbrojtësve nuk ishte depozituar formalisht kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues, gjykata la kohën e nevojshme për të formalizuar këtë kërkesë dhe paraqitur atë pranë kryesekretarisë së gjykatës, duke caktuar seancën gjyqësore  për në datën 30.12.2023, ora 12.00, si dhe duke respektuar pretendimin e mbrojtjes se shkaku i përjashtimit, lindi gjatë gjykimit dhe kësisoj i lind e drejta për të paraqitur kërkesën e përjashtimit brenda një afati prej tre ditësh, nga momenti i zbulimit të shkakut të përjashtimit.

Duke marrë shkas nga kërkesa verbale e paraqitur nga ana e avokatëve në seancën gjyqësore të datës 28.12.2023, për përjashtimin e gjyqtares së çështjes nga gjykimi i kësaj kërkese, nëpërmjet informacionit të përcjellë nga kryesekretaria e kësaj gjykate në datën 30.12.2023,  me shkresën nr.520/1 Prot, jepet njoftimi se pas verifikimeve në Kryesekretari dhe në protokoll rezulton se deri në datën 29.12.2023 dhe deri më datë 30.12.2023, ora 12.00,  nuk është paraqitur asnjë kërkesë me objekt “Përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i kërkesës për zëvendësim të  masës së sigurimit ndaj të hetuarit Sali Berisha”.

Në seancën e datës 30.12.2023, ora 12.00, nga ana e mbrojtësve të zgjedhur nga personi nën hetim Sali Berisha, av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi, u bë me dije se një kërkesë e tillë është nisur në rrugë postare, në datën 29.12.2023, ora 15.30, duke depozituar dhe mandatin postar respektiv. Në kushtet kur, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares nuk ishte formalizuar nëpërmjet paraqitjes së saj pranë kryesekretarisë së gjykatës, sikurse normohet edhe në nenin 19, pika 3 e K.Pr.Penale , në kushtet kur mbrojtësit kanë pasur të gjitha mundësitë për ta depozituar atë pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, duke qenë se përveç kohës së lënë në seancën gjyqësore të datës 27.12.2023, iu la edhe dy ditë kohë (seanca e ardhshme u caktua në datë 30.12.2023, ora 12.00) për paraqitjen e kësaj kërkese, gjykata vijoi gjykimin, duke i konsideruar veprimet e avokatëve si një përpjekje për zvarritjen e gjykimit.

Rrethanat e çështjes

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, ka rregjistruar procedimin penal nr. 287 të vitit 2020, në ngarkim ndër të tjerë edhe të personit nën hetim: Sali Berisha, i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal,

Hetimet janë shtrirë në drejtim të ngjarjeve të shtrira në vite, që kanë të bëjnë me kthimin e pronës disa familje, në territoret e ish Klubit Shumësportesh Partizani dhe Klubit të Futbollit Partizani, në privatizimin e objekteve që ndodheshin mbi këto territore dhe në vijim zhvillimin e këtyre territoreve nëpërmjet ndërtimeve të realizuara mbi to.

Nga këto hetime në mënyrë të përmbledhur ka rezultuar se  në privatizimin e territoreve dhe objekteve sportive të Klubit të Futbollit dhe Klubit Shumësportesh Partizani, janë përfshirë gjithsej 5 (pesë) familje, e konkretisht trashëgimtarët e ish pronarëve Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga dhe Llagami.

Njohja e  pronësisë dhe kthimi i pronave, në territoret e ish Klubeve Sportive të sipërcituara, mund të shihet se ndahet në dy periudha, ku periudha e parë shtrihet maksimumi deri në vitin 1999 dhe periudha e dytë përfshin vitet 2006 e 2007.

Konkretisht familjes Begeja i ka përfunduar kthimi i pronave në territorin e klubeve sportive deri në vitin 1996, ku i është kthyer fillimisht një sip prej 1900 m2 dhe më pas një sipërfaqe prej 435 m2. Për shumë vite nuk ka pasur zhvillime të tjera, pra kthim prone në këto territore për këtë familje.

Me shkresën nr. 9549/3 prot datë 14.11.2005, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i parashtron  Ministrit të Ekonomisë,  se: … propozojnë miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit të Futbollit “Partizani” …

Përgjatë hetimit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani, u administruan akte të cilat janë në kontradiktë me njëra tjetrën pasi këtë pronë e konsiderojnë një herë në planin e përhpajes së një herë jo.

Megjithatë është  evidentuar se Klubi i Futbollit Partizani, pavarësisht se ka qenë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas VKM nr. 515 datë 18.07.2003, prej vitit 2000, në territorin e tij, ka ushtruar aktivitet sportiv shoqëria “ Partizani” sh.a., regjistruar me vendimin nr. 24628 datë 07.11.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ka marrë edhe pëlqimin e Federatës shqiptare të futbollit, me shkresën nr. 46  prot datë 02.11.2000, të kësaj të fundit. Sipas akteve të kësaj shoqërie, statut dhe akt themelimi, Ministria e Mbrojtjes ka poseduar një aksion, që  përfaqësohej me emrin dhe stemën e këtij klubi. Megjithëse me krijimin e kësaj shoqërie, duket se Ministri i Mbrojtjes i kohës Ismail Lleshi nuk ka qenë dakord,  pasi me shkresën nr. 9859 regj datë 19.12.2000, i drejtohet Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Tiranë duke kërkuar prishjen e regjistrimit të mësipërm, nuk konstatohet të jetë ndërmarrë më asnjë hap tjetër në drejtim të kundërshtimit të regjistrimit të kësaj shoqërie, duke vijuar kështu kjo e fundit, aktivitetin e saj sportiv në këto territore.

Ministria e Mbrojtjes, përgjatë vitit 2006 i kërkon Komandës Mbështetëse, që të marrë në përgjegjësi administrimi dhe të regjistrojë pronën me emërtimin Klubi i Futbollit Partizani, por nuk rezulton të jetë bërë i mundur ky regjistrim, me pretendimin nga përfaqësues të  strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes së krijoheshin mbivendosje me prona të tjera, sipas përgjigjeve të ZRPP.

Pas fitimit të pushtetit nga ana e kryeministrit të kohës Sali Berisha, por para se të procedohej me procedurat e privatizimit të Klubit të Futbollit Partizani dhe Klubit Shumësportesh Partizani, konstatohet se në muajin janar 2006, familjes Begeja, me vendim të KKKP nr. 135 datë 20.01.2006, i kthehet një sip toke nga ajo e cila i ishte njohur më parë, konkretisht një sip prej 11 740 m2.

Pikërisht, në janar 2006 e në vijim, shtetasi Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i shtetases Argita Malltezi (vajza e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në këtë kohë, shtetasit Sali Berisha), merr përsipër tagra përfaqësimi, nga trashëgimtarët ligjorë të familjeve të njohura pronare, për t’u lidhur me firma ndërtuese apo përfaqësim në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas prokurave me nr. 787 rep nr. 142 kol datë 31.01.2006, nr. 2165 rep nr. 248 kol datë 03.05.2006, nr. 4209 rep nr. 742 kol datë 09.05.2006 (Xhimi Begeja), nr. 2442 rep nr. 304 kol 18.05.2006 (Ilir Kadiu),

Ky përfaqësim, mesa rezulton nuk shfaqet falas, pasi personat që i japin tagra shtetasit Jamarbër Malltezi, parashtrojnë se vënë në dispozicion të këtij të fundit, 3 – 5% të pasurisë së tyre të paluajtshme, për krijimin e një fondi rezervë për përballimin e shpenzimeve emergjente dhe të paparashikuara. Megjithatë, nisur nga tagrat e dhëna, që është lidhja me firma ndërtuese apo nënshkrimi i kontratës së parë që vë në dispozicion firma ndërtuese për truallin e tyre, nuk rezulton e qartë se cilat do të ishin shpenzimet emergjente dhe të paparashikuara për të cilat shtetasit Jamarbër Malltezi do t’i duhej kjo pjesë e pasurisë së paluajtshme.

Për më tepër, kur edhe siç rezulton, firma ndërtuese (që në vijim rezulton të jetë Kontakt sh.p.k.) i përket pikërisht një trashëgimtari tjetër të këtyre familjeve, që është shtetasi Fatmir Bektashi, i cili edhe ai si vetë të përfaqësuarit më sipër, ka interes në ndërtime të mundshme në këto territore.

Shtetasi Ilir Kadiu, i cili rezulton të ketë lëshuar një ndër prokurat e sipërcituara, është një person i rëndësishëm në ndodhjen e ngjarjeve, pasi siç do të pasqyrohet në vijim, ai punësohet pranë Departamentit Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave dhe në kuadrin e kësaj detyre, ngarkohet për kryerjen e një kontrolli në Komandën Mbështetëse, që ka të bëjë pikërisht me pronat e familjeve të sipërcituara, ku edhe vetë është trashëgimtar.

Pas kthimit të pronës së mësipërme për familjen Begeja, rezulton se me  kontratën e sipërmarrjes me nr. 4938 rep nr. 831 kol datë 22.05.2006, pala pronare e tokës, trashëgimtarë Begeja, të përfaqësuar nga shtetasi Jamarbër Malltezi, me objekt “Kthimi i destinacionit të tokës nga zonë sportive në zonë për ndërtim banesa, privatizimi i objekteve ekzistuese dhe bashkëpunimi reciprok në fushën e ndërtimit për ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional me emër Kompleksi Paschal”, kanë lidhur kontratë me palën sipërmarrëse shoqëria e ndërtimit “Kontakt” sh.p.k. përfaqësuar nga Fatmir Bektashi.

Konstatohet se në një periudhë të shkurtër është arritur të mbahet ky premtim i marrë përsipër sipas kontratës së sapocituar, pasi me vendimin nr. 132 datë 08.06.2006 të kryetarit të KRRT-së, Bashkia Tiranë (nr. 277 prot datë 28.06.2006), është vendosur ndër të tjera që, të miratohet kërkesa për ndryshim të destinacionit për zonën Rruga “Frosina Plaku” dhe rruga e Planit Rregullues nga zonë sportive në zonë banimi. Ky vendim hyn në fuqi pas miratimit nga KRRTRSH-ja.

KRRT-së e kryesuar nga personi nën hetim Sali Berisha, me vendimin nr. 4 datë 21.11.2006 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë “Për miratimin e ndryshimit në planin rregullues të Qytetit të Tiranës në lidhje me zonimin funksional për disa zona të qytetit” vendos pikërisht edhe për ndryshimin e destinacionit ku përfshihet dhe zona me sipërfaqe 0.7 ha në Rrugën “Frosina Plaku”, e cila ndryshohet nga “zonë sportive” në “zonë banimi”.

Këshilli i Ministrave ka propozuar ndryshimin e  ligjit nr. 9235 datë  29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar. Ligji mbi të cilin u miratuan këto propozime, konkretisht nr. 9583 datë 17.07.2006, ndryshoi nenin 17 pika 1, duke sanksionuar se subjektet e shpronësuara për fitimin e  të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të depozitojnë kërkesa të reja deri në datën 1 tetor 2007.  Ky ligj është botuar në FZ nr. 81 datë 02.08.2006 duke hyrë kështu në fuqi më datë 17.08.2006.

Ky ndryshim duket se i jep mundësi pesë familjeve pronare Begeja, Alimehmeti, Saliaga, Vaqari dhe Llagami t’i drejtoheshin Agjensisë së Kthimit të Pronave, me kërkesa për kthimin e pronës të ndodhur në territoret e Klubeve Sportive (të Futbollit dhe Shumësportesh) Partizani, pasi ndërkohë, vërehet se afati i vendosur deri në atë kohë, për paraqitjen e kërkesave kishte përfunduar.

Këshilli i Ministrave ka propozuar ndryshimin e  ligjit nr. 9235 datë  29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar. Ligji mbi të cilin u miratuan këto propozime, konkretisht nr. 9583 datë 17.07. 2006, sanksionoi në nenin 6, pika 1c se Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës…..

Këshilli i Ministrave ka propozuar ndryshimin e  ligjit nr. 9235 datë  29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar. Ligji mbi të cilin u miratuan këto propozime, konkretisht nr. 9583 datë 17.07. 2006, sanksionoi në nenin 8/1, se … u kthehet apo u kompensohet subjekteve të shpronësuara trualli privat mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, sipas rastit:

a) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim. Deri në privatizimin e objektit sipas këtij ligji shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë për truallin që ka në posedim sipas tarifave që zbaton për dhënien me qira të trojeve shtetërore të tretëve.

Siç konstatohet, këto ndryshime ligjore i kanë hapur rrugë familjeve të njohura pronare për të paraqitur kërkesat për kthimin e tokës që në ndërthurrje me qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të proceduar edhe me privatizimin e terreneve sportive, kanë mundësuar, heqjen e pengesave që kishin ekzistuar deri në atë moment.

Këshilli i Ministrave ka propozuar, ndryshimin e  ligjit nr. 9235 datë  29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar. Ligji mbi të cilin u miratuan këto propozime, konkretisht nr. 9583 datë 17.07.2006, ndryshoi varësinë e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, ku anëtarët e tij që emëroheshin dhe shkarkoheshin nga Kuvendi, suprimohej, duke u krijuar sipas nenit 15, Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si person juridik publik, ku mënyra e organizimit dhe e funksionimit të saj si dhe procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Kryeministri, ka propozuar, dhe Këshilli i Ministrave ka miratuar, VKM nr. 566 datë 23.08.2006 “Për organizimin dhe funksionimin e AKKP”, ku sipas pikës 4 të kësaj VKM-je, organika dhe struktura e AKKP-së përcaktohen me urdhër të kryeministrit me propozimin e Ministrit të Drejtësisë.

Sipas parashikimeve të pikave të tjera të kësaj VKM-je, konstatohet një varësi e theksuar e Drejtorit të AKKP nga Këshilli i Ministrave dhe kryeministri, pasi ai  emërohej, lirohej dhe shkarkohej nga Këshilli i Ministrave me propozimin të Kryeministrit  ashtu si edhe 2 zëvendës drejtorët emëroheshin, liroheshin dhe shkakroheshin nga detyra nga Kryeministri. Kryeministri kishte kompetencën të përcaktonte edhe zëvendës drejtorin përgjegjës.

Drejtori i Përgjithshëm gjithashtu kishte edhe detyrë raportim me shkrim çdo tre muaj para Kryeministrit dhe Komisionit të  Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financën si dhe mund të raportonte edhe për çdo çështje tjetër.

Kryeministri Sali Berisha, i cili ka marrë pushtet të mjaftueshëm në lidhje me Agjensinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, emëron në detyrë si Drejtoreshë të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shtetasen Justina Boriçi. Shtetësja Justina Boriçi emëron më pas drejtoreshën e Zyrës Rajonale të AKKP, shtetasen Dhurata Hoxha (Çela), me  urdhërin nr. 203 datë 09.10.2006, ku sipas deklarimeve të dhëna prej shtetases Justina, ky emërim është kryer me rekomandim megjithëse nuk mund të përcaktojë në rastin konkret nga i ka ardhur rekomandimi por citon se zakonisht i vinin nga zëvendës kryeministri; shtetasin Altin Ceni sipas urdhërit nr. 246 datë 01.11.2006, në detyrën e specialistit në Sektorin Juridik, shtetasen Tetis Lubonja,  sipas urdhërit nr. 248 datë 01.11.2006 në detyrën përgjegjëse në sektorin juridik shtetësja.

Nga aktet e administruara, ka rezultuar se familjet e njohura pronare, pikërisht pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të saj kohe, shtetasit Sali Berisha, janë organizuar dhe mbledhur, nga shtetasit Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja, duke gjetur dakordësinë në lidhje me zhvillimin e pronës. Në muajin nëntor – dhjetor 2006 të pesta familjet pronare, i janë drejtuar AKKP me kërkesa për kthimin e pronës për pjesën që ishin njohur pronar, por u ishte njohur vetëm e drejta e kompensimit dhe e parablerjes së  objekteve. Rezulton se brenda muajit mars 2007, janë marrë katër vendime, konkretisht nr. 6 datë 21.03.2007, nr. 7 datë 21.03.2007, nr. 8  datë 23.03.2007, nr. 9 datë 26.03.2007. Në muajin maj 2007 konkretisht është marrë vendimi nr. 64  datë 18.05.2007. Ky vendim i fundit është marrë për familjen Llagami por rezulton se është shfuqizuar më pas nga AKKP, duke mos marrë formë të prerë, por pavarësisht sa më lart, familja Llagami, lidh kontratën e porosisë dhe sipërmarrjes nr. 2831 rep nr. 486 kol datë 29.09.2007 para noteres Gentiana Shkodra me shoqërinë “Kontakt” sh.p.k. Sipas vendimit nr. 6 datë 21.03.2007, familjes Begeja  i është kthyer një sip toke prej  12 596 m2.

Rreth një muaj pas marrjes së vendimit nr. 9 datë 26.03.2007 nga ZRKKP, por pa marrë ende formë të prerë ky vendim, shtetasit Fitnete Bektashi, Fiqiri Vaqari, Kumrije Arapi, Milva Arapi, Liliana Shanto (Arapi), Luan Arapi, Arben Arapi, Fiqirete Vaqari, Eva Vaqari, Igli Vaqari, lidhin një kontratë porosie dhe sipërmarrje me nr. 574 rep nr. 177 kol datë 16.04.2007, me shoqërinë e ndërtimit “Kontakt” sh.p.k. të përfaqësuar nga shtetasi Fatmir Bektashi. Sipas kësaj kontrate tagrat e porosisë janë që pala investitore që është shoqëria Kontakt sh.p.k. të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për kthimin e titullit të pronësisë në favor të pronarëve të truallit, të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për privatizimin e objekteve ekzistuese, të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit dhe si tagër investimi është që të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për realizimin e një bashkëpunimi reciprok në fushën e ndërtimit për ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional që do të mbajë emrin “Vaqari”.

Në nenin 3 të kësaj kontrate citohet se mbi sipërfaqen e kthyer ka ndërtime pa leje, mbivendosje prone, si dhe një rrugë publike të asfaltuar. Pala pronare është në dijeni të faktit se trualli i kthyer dhe ai i njohur ndodhet në një territor që nga legjislacioni në fuqi ka destinacion zonë sportive prandaj ajo dëshiron që në bazë të legjislacionit “Për ndërrimin e destinacionit” të ndryshojë destinacionin nga zonë sportive në zonë banimi.

Nga kjo kontratë rezulton se tagrat që i janë dhënë palës investitore, të cilat ajo i ka marrë përsipër për t’i përmbushur, përveçse nuk mund të varen plotësisht prej saj siç është ndryshimi i destinacionit të zonës, privatizimi apo kthimi i pronës, parashikohen edhe me afate të qarta brenda të cilave do të përmbushen. Këto parashikime kontraktore, tregojnë qartësisht ekzistencën e një besimi të plotë se strukturat e shtetit, do të jenë në plotësim të këtyre kërkesave të pronarëve.

Nga shqyrtimi i dosjeve të mësipërme, të administruara pranë AKKP-së, të familjeve të njohura pronare, konstatohet se kërkesat e depozituara nga këto familje, specifikisht ato që i përkasin familjeve Alimehmeti, Saliaga dhe Begeja janë të ngjashme me njëra – tjetrën, duke ngritur dyshimin e arsyeshëm se janë përgatitur nga e njëjta dorë, mbështetur edhe në deklarimet e marra që këto kërkesa janë kryer pas mbledhjeve të anëtarëve të familjeve.

Gjithashtu, rezulton se shtetasi Bashkim Bektashi me një shkresë/kërkesë të datës 17.01.2007 e cila megjithë kqyrjet e realizuara deri më tani nuk rezulton e protokolluar, dorëzon një shkresë të Ministrisë së Mbrojtjes me nr. 9549/3 prot datë 14.11.2005, fotokopje, e panjeshuar me  origjinalin, ku pasqyrohet korrespondenca e saj me Ministrinë e Ekonomisë, pikërisht në lidhje me privatizimin e territoreve të ish Klubit të Futbollit Partizani. Shtënia në dorë nga ana e shtetasit Bashkim Bekteshi, kur kthimi i përgjgijes nuk i drejtohet atij, mbetet e dyshimtë. Gjithashtu  e njëjta shkresë fotokopje është dorëzuar edhe nga përfaqësuesi i familjes Vaqarri  pranë AKKP Tiranë. Konstatohet se për këto familje që disponojnë këto shkresa, si adresa kontakti vendosen për familjen Begeja ajo e personit tjetër nën hetim, Xhimi Begeja dhe për familjen Vaqarri ajo e shtetasit Fatmir  Bektashi. ZRAKKP menjëherë pas njohjes me fotokopje të kësaj shkrese, vendos t’i kërkojë informacion Ministrisë së Mbrojtjes, por duke i sjellë në vëmendje përmbajtjen e shkresës së dorëzuar nga shtetasi Bashkim Bekteshi, pa sqaruar as burimin se si kanë ardhur në posedim të saj.

Konstatohet se mënyra se si janë trajtuar këto dosje, është e njëjtë dhe duke u shfrytëzuar dokumentat e njërës apo tjetrës dosje, pa u mbajtur akte dokumentimi të marrjes së akteve nga njëra dosje tek tjetra.

Në një periudhë të shkurtër, që hapet në fund të muajit nëntor  2006 me kërkesën e familjes Saliaga, deri më 26.03.2007, rezulton të jenë dhënë 4 (katër) vendime për kthim prone, ku të gjitha pronat e kthyera janë të përfshira në territorin e Klubeve Partizani. Në vijim, në maj 2007 është dhënë edhe një vendim për kthimin e pronës, familjes së pestë.

Rezulton se në muajin janar 2007 (menjëherë pas pushimeve të dimrit) janë nisur kërkesat drejtuar institucioneve si Bashki, ZRPP, konkretisht të kryera më datë 09.01.2007 përveç dosjes së familjes Begeja për të cilën shkresa drejtuar Bashkisë është nisur që më datë 08.01.2007.

Aktet e verifikimit janë mbajtur më datë 09.03.2007 për të gjitha familjet dhe subjektet e interesuara. Në këto akte, megjithëse pasqyrohen si prezente subjektet që kanë bërë kërkesë për kthimin e pronës, nuk rezultojnë të kenë nënshkruar, duke ngritur dyshimin e arsyeshëm se nuk kanë qenë në terren. Sa më lart sjell dyshimin e arsyeshëm, se verifikimet në terren nuk janë kryer ose nuk kanë pasur mundësi të kryheshin pa prezencën e subjekteve dhe përcaktimin e sipërfaqes së saktë të pretenduar për t’ u kthyer si dhe përshkrimin e objekteve të ndodhura në to. Madje edhe vetë dy personat që prezumohet të kenë shkuar në terren, konkretisht shtetasit Altin Ceni dhe Petrit Kullolli, japin qëndrime të ndryshme në lidhje me ushtrimin e ndonjë aktiviteti sportiv, pasi shtetasi Petrit Kullolli ndryshe nga shtetasi Altin Ceni, pretendon se nuk ka konstatuar ndonjë ushtrim aktiviteti sportiv. Nuk janë marrë të dhëna nga ALUIZNI kur ka qenë e nevojshme, nuk janë bërë kërkesat e duhura institucioneve duke specifikuar vetëm zonën e pretenduar etj.

Shqyrtimi dhe relacioni i katër dosjeve, ka përfunduar deri më datë 12.03.2007, ndërkohë që rezulton se janë administruar shkresa edhe pas kësaj date (shih shkresën nr. 349/3 prot datë 09.03.2007 (hyrë me nr 104/2 prot datë 16.03.2007 pranë ZRKKP) të  Ministrisë së Mbrojtjes, shkresa nr. 115/2 datë 15.03.2007 e ZRPP Tiranë) shkresa këto që madje janë përmendur në këto relacione. Kjo nënkupton se datat e relacioneve janë fiktive, të vendosura vetëm për të treguar një radhë pune që duket se nuk është ndjekur.

Shkresa e Ministrisë së Mbrojtjes, nr. 349/3 datë 09.03.2007 ku kjo e fundit kërkon që të merret prej saj, konfirmimi përpara regjistrimit të pronësisë, nuk rezulton të jetë respektuar dhe as të jetë cituar e plotë, nëpër relacione apo vlerësim ligjor ose vendim, pikërisht në lidhje me këtë konfirmim të pretenduar.

Sa më lart, tregon qartazi për një urgjencë në kryerjen e veprimeve, që ngre dyshimin e arsyeshëm se, punonjësit e AKKP-së kishin marrë udhëzime për kryerjen e kthimit të kësaj prone, sa më shpejt të ishte e mundur.  Pasur parasysh që shtetasit Altin Ceni dhe Tetis Lubonja ishin emëruar në muajin nëntor 2006, ndërkohë që shtetësja Dhurata Hoxha është emëruar në tetor 2006, konstatohet se puna e tyre ka nisur pikërisht me këto kërkesa të reja.

Më datë 15.06.2023 është pyetur shtetësja Tetis Lubonja e cila ka deklaruar se …për një periudhe gati 6 mujore mban mend që zyra nuk ka nxjerrë vendime. Kur ka nisur të nxjerrë vendime këto kanë qenë nga dosjet e para që u janë dhënë për t’u shqyrtuar dhe vazhduan shqyrtimin. Sqaron se ka njohur shtetasen Rudina Llagami pasi ka punuar në Kryeministri dhe shtetasin Jamarbër Malltezi, pasi me këtë të fundit janë pothuajse moshatarë dhe kanë pasur shoqëri të përbashkët dhe aktivitete të përbashkëta dhe ka pasur dijeni që Jamarbëri ishte një nga trashëgimtarët e familjes Begeja, sepse nga e ëma ishte Begeja.

Pyetjes nëse ka pasur ndonjë ndikim nga eprorët apo persona të tretë për të përshpejtuar procedurën e kthimit të këtyre pronave deklaron se:…Na është thënë nga drejtori i zyrës, e cila ka qenë shtetësja Dhurata Hoxha se këto do të ishin dosjet e para që do të shqyrtoheshin dhe ne kemi zbatuar urdhërin e saj.

Veprimet në lidhje me shqyrtimin e dosjesve për kthimin e pronës për të pesta familjet e njohura ish pronare, përgjatë vitit 2007, konstatohet se janë kryer me nxitim, në një periudhë shumë të shkurtër.

Pikërisht, vetëm disa muaj pas kthimit të pronave familjeve pretenduese, si më sipër cituar (vendimet kanë marrë formë të prerë në muajin maj 2007), Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Ministri Genc Ruli, me shkresën Nr.50/1 Prot, datë 19.09.2007, i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu duke vënë në djeni Degen e Shoqërive Publike, miraton privatizimin e terreneve sportive dhe objekteve të Klubit të futbollit “Partizani” duke i  kërkuar që të përgatitet dokumentacioni për vlerësimin në zbatim të VKM-së Nr.704, datë 11.10.2006 dhe VKM-së 703, datë 11.10.2006 për  kriteret dhe procedurat e shitjes.

Ndërkohë rezulton se në ligjin nr. 9376 datë 21.04.2005 “Për Sportin”, neni 31 në këtë kohë parashikonte kufizimin mbi destinacionin e objekteve sportive dhe destinacionin edhe pas privatizimit në këtë mënyrë:

Ndryshimi i statusit të objekteve sportive, në varësi të pushtetit qëndror a vendor, bëhet në përputhje me ligjin nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”.
Objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr.7973, datë 26.7.1995 “Për koncesionet dhe pjesëmarjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.

Pasi miratohet privatizimi i Klubit të Futbollit Partizani, Këshilli i Ministrave propozon ndryshime në  ligjin nr. 9376 datë 21.04.2005 “Për Sportin” ndryshime këto të miratuara me ligjin nr. 9816 datë 22.10.2007. Sipas këtyre ndryshimeve, neni 31 ndryshon duke u parashikuar se: “Objektet sportive jepen me koncension, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr. 9663 datë 18.12.2006 “Për  koncensionet dhe pjesmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.

Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, Drejtoria e Privatizimit me shkresën Nr. 9508 Prot. datë 18.12.2007 ka ngritur komisionin e vlerësimit për  privatizimin e Klubit të Futbollit Partizani, ku ekspert vlerësues caktohet shtetësja Elvira Aliaj dhe ekspert kontabël caktohet shtetasi Sali Preçi.

Por ndërkohë, familjet pronare kërkojnë tashmë të privatizojnë edhe Klubin Shumësportesh Partizani, prandaj i drejtohen me kërkesën nr. 1226 prot datë 26.12.2007 Ministrit të Turizimit Ylli Pango dhe për dijeni Ministrit të Ekonomisë Genc Ruli i paraqitet kërkesë nga Bashkësia Kroi i Shëngjinit, për ushtrimin e të drejtës së privatizimit për Klubin Shumësportesh Partizani. Ky klub shumësportesh në fakt rezultonte të funksiononte në këtë kohë, në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Me shkresën Nr. 12248/1 Prot, datë 04.01.2008 Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me Ministër Z. Ylli Pango, shprehet dakort për privatizmin e Klubit Shumësportësh “Partizani” dhe kjo shkresë i Drejtohet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës me Ministër Z. Genci Ruli. Me shkresën Nr. 953/1 Prot. datë 22.01.2008, me lëndë “Miratim Privatizimi”, Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Genc Ruli i drejtohet Ministrisë të Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pangos dhe për dijeni shtetasit Irfan Hoxha, Degës së Shoqërive Publike dhe Familjes Begeja. Në përmbajtje të kësaj shkresë në përgjigje të shkresës Nr. 12248/1 Prot, datë 04.01.2008 është miratuar privatizimi i Klubit Shumësportësh “Partizani”. …

Siç mund të konstatohet privatizimi në lidhje me Klubin Shumësportesh Partizani, ka nisur ndërkohë që nuk lejohej privatizimi i objekteve sportive por ekzistonte vetëm mundësia e dhënies me koncension me kushtin që të mos u ndryshojë destinacionin.

Më datë 07.05.2008 është përgatitur raporti i vlerësimit nga ekspertët për Klubin Shumësportesh Partizani dhe Pishina e Klubit Shumësportesh e ndodhur kjo e fundit në rrugën e Durrësit, Laprakë, Tiranë.  Konkludojnë se sip totale e truallit është 18 211 m2, kurse pishina e notit + zyra e palestra e notarëve, është 880 m2. Evidentojnë se për territorin mbi të cilin ka qenë ndërtuar pishina e notit në Laprakë kjo pronë, truall me sip 1200 m2, mban nr. 12/27 dhe figuron e regjistruar në bashkëpronësi të Esat Pira dhe Marita Osmani. Ky regjistrim ka mbivendosje me pasuritë me nr. 12/25 dhe 12/28.

Në përfundim të raportit të vlerësimit, grupi i ekspertëve përcakton se: Vlera reale e tregut për pronën shtetërore në privatizim Klubi Shumësportesh Partizani është shuma totale 549 089 037 lekë e cila e ndarë në vlera të veçanta sipas elementëve të pasurisë është: Ndërtesa – vlera 43 254 740 lekë; Trualli – 505 834 297 lekë. Gjithsej 549 089 037 lekë

Pikërisht ndërkohë që zhvilloheshin këto procedura për privatizimin e të dy klubeve, pavarësisht pengesave ligjore, pasi lejohej vetëm dhënia me koncension, më datë 19.05.2008 themelohet shoqëria “Homeplan” sh.p.k. e cila regjistrohet më datë 03.06.2008 me NIPT K81803020E, nga ortaku i vetëm dhe administrator shtetasi Fatmir Bektashi, me objekt ndërtim dhe kryerje e operacioneve ndërtim pasurish të paluajtshme, blerje, shitje etj.

Këshilli i Ministrave,  me VKM nr. 906 datë 18.06.2008, e nënshkruar nga Kryeministri Sali Berisha, dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, depozituar në Kuvend me nr. 2344 datë 02.07.2008, ripropozon ndryshime në ligjin nr. 9376 datë 21.04.2005 “Për sportin” të ndryshuar, ndryshime këto të miratuara me ligjin nr. 9963 datë 21.07.2008. Sipas këtyre ndryshimeve, neni 31 rindryshohet në këtë mënyrë: Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncension, në përputhje me ligjin nr. 9663 datë 18.12.2006 “Për koncensionet dhe pjesmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë” me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni. Ky ndryshim i fundit është botuar në FZ më datë 01.08.2008, duke hyrë në fuqi më datë 16.08.2008.

Pra, pikërisht në momentin që ishte në përfundim procedura e privatizimit të klubeve sportive, ndodh edhe ndryshimi i mësipërm ligjore, duke u veshur privatizimi tashmë me petkun ligjor.

Vetëm një ditë pas vendimit të Këshillit të Ministrave për propozimin e këtyre ndryshimeve, ekspertët Elbira Aliaj dhe Sali Preçi, përgatisin më datë 19.06.2008, Raportin e Vlerësimit për Klubin e Futbollit “Partizani”, Tiranë. Në këtë raport vlerësimi ata evidentojnë se sip totale e truallit të pronës Klubi i Futbollit Partizan është 26 524 m2, ku brenda kësaj sip, familjet Alimehmeti, Begeja, Vaqarri, kanë të regjistruar pronësi mbi truall me sip totale 22 263 m2 dhe mbi sip prej 4261 m2, është pronar shteti. Pasur parasysh zonën, ekspertët kanë vlerësuar se, çmimi për të gjithë territorin 710 498 388 lekë. Sipas këtyre përllogaritjeve, për sipërfaqen prej 4261 m2, pronarët duhet të paguanin edhe shumën prej 114 139 407 lekë. Si referencë për vlerën kontabël është marrë ajo e pasqyruar në dokumentacionin e vënë në dispozicion e cila ka rezultuar nga rivlerësimi i fundit i bërë në vitin 1997. Shuma totale 720,607,168 lekë e cila është e ndarë ne vlera të vecanta: Ndërtesa (10,108,780 lekë), Trualli (710,493,388 lekë).

Një ditë pas miratimit të ligjit nr. 9963 datë 21.07.2008 (miratuar me ligjin nr. 9963 datë 21.07.2008) për ndryshimet në lidhje me ligjin “Për Sportin”, ku është sanksionuar se objektet sportive mund të privatizohen nga pronarët e truallit, me shkresën Nr.  6120/1 Prot, datë 22.07.2008, Drejtoria e Privatizimit pjesë e Ministrisë se Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës i dërgon Ministrisë së Financave dokumentacionin për privatizim të Klubit të Futbollit Partizani.

Me kërkesën nr. 11456 prot datë 04.09.2008 drejtuar shtetasit Ridvan Bode, Ministër i Fiancave, shtetasit Urim Muja drejtor i AKKP, trashëgimtarët e familjeve pronare Begeja, Saliaga, Vaqarri dhe Alimehmeti, paraqesin kërkesën për ushtrim të së drejtës së parablerjes. … të Klubit të Futbollit Partizani.

Blerja e Klubit të Futbollit, rezulton se është marrë përsipër nga shoqëria “Kontakt” sh.p.k. Me shkresën datë 04.09.2008, Banka Credins i drejtohet Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, pranë Ministrisë së Financave, me Garancinë nr. 2810/04.09.2008 duke parashtruar se… (Banka) janë garantuesit e blerjes së mësipërme deri në shumën totale prej 2 021 800 lekë…

Me urdhërin Nr. 10011 Prot, datë 26.09.2008 nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitje së Pronës Publike, Drejtor Urim Muja  është ngritur komisionin për verifikimin e dosjeve të vlerësimit për objektet në privatizim, për Klubin e Futbollit Partizani.

Ndërkohë, rezulton se në lidhje me problematikën e shfaqur për mbivendosje në territorin ku shtrihej pishina Laprakë, është gjetur zgjidhje me vendimin Nr. 7, datë 01.09.2008 të regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku me këtë vendim është vendosur: Fshirja e regjistrimit të kryer në nr. 663 hipotekor, datë 07.02.1998 në emër të Esat Pira dhe Marita Osmani si dhe Fshirja e regjistrimit të kryer në nr. 5602 hipotekor, datë 27.11.1997 në emër të Novruz Nurka si regjistrime të kryera në kundërshtim me ligjin. Për këtë fshirje, ka shërbyer pikërisht udhëzimi nr. 4 datë 21.11.2007 i Këshillit të Ministrave “Për procedurën e fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe atyre që krijojnë mbivendosje, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, udhëzim i cili më vonë ka rezultuar antikushtetues, sipas vendimit nr. 17 datë 23.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i regjistrutiest të ZVRPP Tiranë, rezulton të jetë lënë në fuqi me vendimin nr. 39 prot datë 12.09.2008 të kryeregjistruesit Arben Qirjako.

Pikërisht në lidhje me Klubin Shumësportesh Partizani, komisioni i vlerësimit i ka paraqitur Memo Drejtorit Urim Muja, datë 29.09.2008 “Informacion për të drejtë parablerje objekti”, në favor të trashgimtarëve të familjeve  Mahmut e Xhemal Begeja, Qamil Saliaga dhe Sabrije Llagami. Sipas proces verbalit datë 29.09.2008 të mbajtur nga Komisioni, një pjesë e truallit prej 315 m2 dhe trualli i objektit Pishina Laprakë e ndodhur në rrugën e Durrësit gjithsej 880 m2 nuk përfshihet në pronën e njohur ish pronarëve të truallit të sipërpërmendur, pra gjithsej 1195 m2 e cila duhet të paguhet nga ish pronarët. Përsa më sipër, komisioni shprehet që trashëgimtarët e familjeve të shpronësuara Xhemal  e Mahmut Begeja, Qamil Saliaga dhe Sabrije Llagami, t’u njohë të drejtën e privatizimit të objektit “Klubi Shumësportesh Partizani” në rrugën Frosina Plaku dhe “Pishina Laprakë” në rrugën e Durrësit, Tiranë, me të drejtën e parablerjes me vlerë fillestare gjithsej 43 255 00 lekë dhe bashkëpronarët duhet të paguajë edhe truallin prej 1195 m2 gjithsej 26 454 145 lekë.

Më datë 29.09.2008, trashgimtarët e familjeve Begeja, Saliaga, Llagami, Vaqarri lidhin “Akt marrëveshje” Nr. 2892 Prot, Nr. 487 Kol  dhe nr. 2893 rep nr. 29.09.2008, për Privatizimin e Klubit të Futbollit Partizani dhe Klubit Shumësportesh Partizani, me anë të së cilës palët angazhohen bashkarisht të hyjnë në procesin e privatizimit ku nënshkruesit janë: Perfaqesuesi i familjes Begeja (Jamarbër Malltezi)….

Po në të njëjtën datë që është lidhur akt marrëveshja e mësipërme, rezulton se është lidhur një kontratë porosie dhe vënie trualli në dispozicion për investime me nr. 2891 rep nr. 486 kol datë 29.09.2008 para noteres Gentiana Shkodra, ndërmjet shtetasve Behixhe Tafaj, Myhyrije Verzivolli, Rudina, Ardian, Adnand, Sadete, Adela, Mirnije, Aleksandra, Ervin  dhe Artur Llagami me shoqërinë Kontakt sh.p.k. Në tagrat e porosisë është përcaktuar në nenin 3 se, pala pronare ka të njohur në emër të saj, një sipërfaqe toke truall prej 3910 m2 sipas vendimit nr. 668 datë 16.08.1996 të AKKP-së por objekt i kësaj kontrate do të jetë edhe sipërfaqa shtesë e tokës truall që do të përfitohet nga privatizimi  ….

Problematika në fakt, në lidhje me familjen Llagami, është se kësaj familje nuk i është kthyer pronë, dhe ky fakt është konstatuar në vijim edhe nga regjistruesi Fetah Hasanaj, i cili me shkresën pa nr prot e vitit 2009 e ZVRPP Tiranë, drejtuar Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, Sektorit të Shitjes së Pronave, ka kërkuar që të përcaktohet dhe saktësohet juridikisht marrëdhënia me truallin që kanë ish pronarët (truall i njohur me vendim të KKKP 668/1996) si dhe sipërfaqen përkatëse

Me akt marrëveshjen për pjesmarrjen në investim ndërtimi të kompleksit Begeja 6000 me nr. 3000 rep nr. 1783/1 kol datë 02.10.2008, pasqyrohet se shtetasit Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe shoqëria Homeplan sh.p.k. në cilësinë e investitorit dhe palës, lidhin këtë akt marrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet investitorëve, që kanë rënë dakort të bashkohen sipas raporteve dhe kushteve të caktuara në dispozitat në vijim, për të financuar ndërtimin e kompleksit shumëfunksional me emërtimin “Kompleksi Begeja 6000” që do të ndërtohet në pronën truall të familjes Begeja. Sipas nenit 3, pjesmarrja në investim, kapitali total i parashikuar për realizimin e ndërtimit dhe investimit është në vlerën 9 157 354 euro për kompeksin Begeja 6000. Investitorët bien dakort që për realizimin e vlerës totale të kontribuojnë në këto raporte: Jamarbër Malltezi 35 % të vlerës totale; Xhimi  Begeja 25 % të vlerës totale; Shoqëria Homeplan sh.p.k. 40 % të vlerës totale.

Me shtojcën nr. 1 (të akt marrëveshjes për pjesmarrje në investim ndërtimi të kompleksit “Begeja 6000”, akt marrëveshja e sipërcituar), rezulton se, me nr. 3193 rep nr. 1891 kol datë 15.10.2008, shtetasit Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe shoqëria Homeplan sh.p.k., para noteres Laura Pustina, parashtrojnë se me këtë shtojcë, përfshijnë në akt marrëveshjen nr. 3000 rep nr. 1782 kol datë 02.10.2008 edhe pronat e përcaktuara në nenin 2 të kësaj Shtojce (prona të familjes Vaqari, Llagami, Saliaga dhe Begeja).

Pagesat për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani, rezulton të jenë kryer nga shtetasi Fatmir Bektashi, nëpërmjet shoqërisë së tij Kontakt sh.p.k.

Me urdhër pagesën e lëshuar nga Union Bank KIB 21411508 datë 29.10.2008 të Union Bank, rezulton se urdhëruesi Kontakt sh.p.k. me nr llogarie 111100431020111 ka paguar për llogari të Degës së Thesarit shumën prej 30 380 000 lekë në favor të privatizimit të Klubit Shumësportesh Partizani me burim të ardhurash nga biznesi. Ky urdhër pagese është nënshkruar nga shtetasi Fatmir Bektashi.
Me urdhër pagesën e lëshuar nga Union Bank KIB 21411508 datë 29.10.2008 të Union Bank, rezulton se urdhëruesi Kontakt sh.p.k. me nr llogarie 111100431020111 ka paguar për llogari të Degës së Thesarit shumën prej 27 883 658 lekë në për Ministrinë e Financave, Dr. Regj e shitjes së pronave publike Tiranë për privatizimin e Klubit shumësportesh Partizani Tiranë. Urdhëri i pagesës është nënshkruar nga shtetasi Fatmir Bektashi. Burimi i të ardhurave nga biznesi.
Me mandat pagesën e Union Bank datë 30.10.2008 rezulton se shoqëria Kontakt me nr llogarie 111100431020111 ka paguar shumën prej 1 923 487 lekë, për Ministrinë e Financave për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani. Urdhër pagesa KIB 21411508 nënshkruar nga shtetasi Fatmir Bektashi, me burim të ardhurash nga biznesi.

 

Më datë 04.10.2008 rezulton se është nënshkruar kontrata e shitjes së pasurisë së paluajtshme Nr. 3298 Rep, Nr. 562 Kol datë 04.10.2008 para notere Gentiana Shkodra Tiranë. Objekti i kontratës: shitja dhe kalimi në pronësi private i objektit “Klubi Shumësportesh Partizani” në përbërje të të cilit është edhe Pishina Laprakë Tiranë, në administrim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Tiranë me sipërfaqe totale 19 091 m2 nga e cila 5417 m2 nën objekt sipas vendimeve të Komisionit të Kthim Kompesimit të Pronave Ish-pronarëve Tiranë Nr. 532, datë 25.04.1996, Nr.97 datë 17.12.1999, Nr.98, datë 17.12.1999 dhe Nr.6 datë 21.03.2007, Nr.7 datë 21.03.2007 të Zyrës Rajonale të KK Pronave Qarku Tiranë. Nga sipërfaqa e përgjithshme, sipërfaqa prej 1,195 m2 nga e cila 880 m2 për objektin “Pishina Laprakë” pronë shtet, që nuk bie në pronën e ish-pronarëve, i është shitur blerësve. Objekti Klubi Shumësportësh Partizani ndodhet në ZK.8220 Tiranë …Objekti “Pishina Laprakë” Tiranë ndodhet në ZK.8310 Tiranë ….

Çmimi i shitjes së objektit është 43,255,000 lekë dhe çmimi i shitjes së truallit prej 1,195 m2 është 26,454,145 lekë.  Çmimi kompleksiv i shitjes së pasurisë është 69 709 145 lekë i cili është paguar në bankë për llogari të Ministrisë së Financave.

Ndërkohë që është lidhur tashmë kontrata për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani dhe të Pishinës Laprakë, rezulton se me procesverbalin  datë 15.10.2008 i mbajtur në Drejtorinë e Administrimin dhe Shitjes së Pronave Publike, Sektori i Shitjes së Pronave nga komisioni për shqyrtimin e dokumentacionit të vlerësimit për privatizim të objektit në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani … është konkluduar ndryshe nga ekspertët, se sipërfaqa që nuk i përket familjeve pronare por rezulton shtet në këtë territor, nuk është 4261 m2 por është 857 m2. Pikërisht, për këtë pjesë tokë shtet duhet të procedohej me pagesën e vlerës së truallit, që sipas përllogaritjeve shkon në vlerën 22 956 459 lekë por Komisioni, u ka njohur të drejtën e privatizimit, me të drejtën e parablerjes me vlerën fillestare gjithsej 10 109 000 lekë.

Ndërkohë, referuar marrëveshjes së investimit që ishte lidhur ndërmjet shtetasve Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe shoqëria Homeplan sh.p.k., për zhvillim ndërtimesh, konstatohet se këta shtetas, me deklaratën noteriale me nr. 3660 rep nr. 2146 kol datë 19.11.2008, deklarojnë se meqënëse projekti është ende në fazat fillestare të implementimit dhe nuk është përfunduar akoma, kriteri burokratiko-administrativ, veçanërisht pajisja me leje ndërtimi, bien dakord që të pezullojnë marrëveshjen e investimit, për një kohë të pacaktuar.

Pasi shtetasi Fatmir Bektashi, nëpërmjet shoqërisë së tij Kontakt sh.p.k. rezulton të ketë paguar shumën për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani dhe Pishina Laprakë, dhe pas përfundimit edhe të procedurave të privatizimit të Klubit të Futbollit Partizani, lindte e nevojshme edhe pagesa që duhet të bëhej për këtë të fundit,  Këshilli i Ministrave, ka miratuar, me  propozim të Ministrit të Ekonomisë, VKM nr. 1638 datë 17.12.2008 e cila ka hyrë në fuqi pas botimit në FZ me nr. 198 datë 31.12.2008.

Kjo VKM e propozuar me shkresën Nr. 10807 Prot. datë 16.12.2008, të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, shfuqizon VKM nr. 794 datë 21.11.2007. Kjo e fundit, siç mund të konstatohet ishte miratuar veçse një vit më parë duke shfuqizuar VKM nr. 704 datë 11.10.2006 të miratuar po nga ky Këshill i Ministrave.

Nëpërmjet kësaj VKM-je të re, pika 26, kapitulli III, blerësi, është i detyruar të bëjë pagesën në letra me vlerë dhe bono privatizimi të pjesës së mbetur të çmimit të arritur në ankand të  objektit, ndërsa vlera e truallit do të paguhet vetëm me lekë, në ndryshim nga VKM nr. 794 e vitit 2007 dhe VKM nr. 704 datë 11.10.2006 ku pagesa bëhej vetëm në lekë.

Pikërisht, vetëm pas miratimit të VKM-së së mësipërme, megjithëse drejtorit Drejtorisë së Administrimit dhe shitjes së pronave publike Urim Muja i ishte paraqitur që në muajin tetor 2008 proces verbali i miratimit të privatizimit,  ky i fundit me shkresat nr. 809 prot datë 26.01.2009 dhe nr. 1996 prot datë 20.02.2009, i drejtohet, Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, Sektori i Administrimit të Pronës, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë Ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, duke kërkuar përfaqësues për përfundim procedurash privatizim objekti (dorëzim dhe lidhje kontratë shitje).

Pra, ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova, se ndryshimi i VKM-së së mësipërme, është kryer në shërbim pikërisht të pesë familjeve pronare që kanë fituar ankandin për Klubin e Futbollit Partizani, pasi siç rezulton në vijim, ata kanë paguar shumën prej 8 200 000 lekë nëpërmjet shtetasit Xhimi Begeja me bono privatizimi.

Për më tepër, vetëm 7 (shtatë) muaj më vonë, me VKM nr. 738  datë 01.07.2009, të miratuar po nga ky këshill ministrash, pika 26 e kapitullit III ka ndryshuar përsëri, duke u përcaktuar se pagesa bëhet vetëm në lekë.

…Pagesa e vlerës së objektit për Klubin e Futbollit Partizani, gjithsej 10 109 000 lekë është bërë sipas transfertës bankare nr. 2810 datë 04.09.2008 me vlerën 2 021 800 lekë, e ngurtësuar nga shoqëria “Kontakt shpk” si dhe formulari për pranimin e bonove të privatizimit dega 043 datë 13.02.2009 për shumën 8 200 000 bono privatizimi për llogari të Ministrisë së Financave ku nënshkrues është shtetasi Xhimi Begeja.

Pra u kryen ndryshime në lidhje me modalitetet e pagesës, kur tashmë duhet të paguante shtetasi Xhimi Begeja.

Por ndërkohë duket se mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komandës Mbështetëse fillon një konflikt në lidhje me këtë privatizim, pasi megjithëse prona e njohur me nr 11 si Klubi i Futbollit Partizani, rezultonte të ishte në iventaret e Ministrisë së Mbrojtjes, kjo e fundit i kërkonte Komandës Mbështetëse ta merrte në dorëizm pronën dhe më pas ta dorëoznte menjëherë në bazë të kontratës së privatizimit.

Me shkresat nr. 7883/1 regj datë 03.03.2009 të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, i është bërë me dije se për  privatizimin e kësaj prone nuk është marrë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm të FA; KM nuk i është kërkuar dhe nuk është angazhuar në përgatitjen e dokumentacionit të privatizimit …; Shtabi i Përgithshëm i FA nuk ka dijeni se nga kush është përgatitur ky dokumentacion dhe si kanë vijuar procedurat e privatizimit; Në komisionin e vlerësimit të pronës nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i KM….Në këto kushte KM nuk mund të dorëzojë dhe të lidhë kontratën e shitjes për pronën nr. 11.

Me urdhërin nr. 334 datë 13.03.2009 Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, urdhëron Komandën Mbështetëse të përfaqësojë Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet dorëzimit dhe nënshkrimit të kontratës së shitjes së pronës nr. 11 me emërtim “Terrenet sportive dhe objektet e Klubit të Futbollit Partizani” Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Megjithëse me urdhërin nr. 1487/2 datë 19.03.2009 “Për marrjen në administrim dhe hartimin e dokumentacionit teknik për pronën me nr. 11 “Klubi i Futbollit Partizani” Komandanti i Komandës Mbështetëse Vladimir Qiriazi, ka urdhëruar që në repartin ushtarak 4001 të krijohet grupi i punës për marrjen në dorëzim të pronës nr. 11 “Klubi i Futbollit Partizani”…, me shkresat nr. 1487/3 regj datë 19.03.2009, nr. 1487/4 regj datë 25.03.2009, nr. 1697 regj datë 26.03.2009, i drejtohet Ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, duke e bërë me dije se, … Prona nr. 11 nuk është marrë asnjëherë në dorëzim nga ana e Komandës  Mbështetëse dhe si e tillë nuk është kontabilizuar në llogarinë e Komandës. …pala dorëzuese asnjëherë nuk është paraqitur për t’ia dorëzuar Komandës Mbështetëse. Grupi i punës nuk është lejuar të futet brenda kësaj prone. …janë në pritje të marrjes në dorëzim të kësaj prone, nga pala dorëzuese, nuk mund  të kryejnë veprime të mëtejshme, nuk u është dorëzuar asnjëherë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes; nuk disponojnë çertifikatë pronësie të kësaj prone, nuk kanë në administrim asnjë dokument për privatizimin e pronës; në Ministrinë e Mbrojtjes për pronat në adminsitrim të saj ekziston zyra përkatëse.

Me shkresën nr. 1697/1 regj datë 26.03.2009 gjeneral brigade Vladimir Qirizai i është drejtuar gjeneral Brigade Maksim Malaj, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ku parashtron se më datë 26.03.2009 me telefon i është kërkuar zbatimi me urgjencë i urdhërit nr. 334 datë 13.03.2009 “Për dorëzim prone e lidhje kontrate” për pronën nr. 11. …. Aktualisht është i paqartë dhe kjo del jashtë përgjegjësisë së tij si komandant. Ndjehet i shqetësuar për mënyrën se si i kërkohet kjo firmosje ndaj dhe kërkon mendimin e tij.

Me shkresën nr. 1697/2 regj datë 27.03.2009 të Komandës Mbështetëse,  nënkolonel Naim Ramaj, Kryetar i Grupit të punës, i drejtohet Komandantit të Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Vladimir Qirjazi ku i parashtron një problematikë në lidhje me pjesën e privatizuar dhe pjesën e truallit që rezulton si territor i Klubit të Futbolit Partizani pasi  … sip sipas VKM nr. 515 datë 18.07.2003 është 28 000 m2 kurse sipas dokumentacionit teknik (plan vendosjes) është 31 002, 5 m2. … KM nuk mund të dorëzojë dhe të lidhë kontratën e shitjes për pronën nr. 11.

Me shkresën nr. 1697/3 regj datë 27.03.2009 Komanda Mbështetëse, konkretisht Vladimir Qiriazi,  i drejtohen Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe sekretarit të Përgjithshëm të MM shtetasit Fiqiri Kupe. Në  këtë shkresë sërish parashtrojnë gjithë pretendimet në lidhje me kontratën nga ana e tyre.

Me shkresat nr. 2084/1 prot datë 31.03.2009, Drejtoria e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, shkresë e nënshkruar nga drejtori Ardian Shasha, i drejtohet Komandës Mbëhstetëse dhe vë në dijeni edhe Ministrin e Mbrojtjes Gazmend Oketa, duke i tërhequr vëmendjen për sjelljen e saj dhe i bëhet me dije se prona nr. 11, është jashtë planit të përhapjes … Vazhdimi i procedurave ligjore të administrimit nuk varen nga DMIBM por vetë Komanda Mbështetëse. Kjo detyrë nuk është zbatuar.. ….

Me shkresën nr. 2147/1 prot datë 31.03.2009 Drejtoria e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, drejtori Ardian Shashaj, i drejtohet Komandës Mbështetëse, për dijeni Sekretarit të Përgjithshëm Fiqiri Kupe dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Maksim Malaj, …luten të dërgojnë informacionin periodik të përmuajshëm pranë Drejtorisë së Menaxhimit, lidhur me ecurinë e procesit të privatizimit. Mungesa e këtij raportimi sjell probleme në memon informuese që duhet të dërgohet pranë Ministrit të Mbrojtjes.

Me shkresën Nr. 1858 Regj. datë 02.04.2009, Gjeneral Brigade Komandant Vladimir Qiriazi, ka informuar Shefin e Shtabit të Përgjitshëm të Forcave të Armatosuara, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, në lidhje me takimet e zhvilluara me Ministrin e Mbrojtjes Z. Gazmed Oketa për çështjen e dorëzimit të pronës me Nr. 11, ku … ka sqaruar se, ka refuzuar të firmosi pa marrë më parë pronën në dorëzim. … ka informuar dhe për raste të tjera që Ministria e Mbrojtjes kërkon ushtarakët për të firmosur ndërkohë që ka në dispozicion Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes. Në këtë shkresë shtetasi Vladimir është shprehur se, Ministri i ka kërkuar Vladimirit që të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. Sqaron se, ka marrë takim me ministrin më datë 31.03.2009 në orën 18.15 dhe se është ballafaquar më datë 01.04.2009 rreth orës 13.00 me personelin e DMIBM shtetasit Ardian Shashaj, Roland Llazari dhe Erinda Ndroqi, Fiqiri Kupe dhe Besnik Dervishi.

Pikërisht, në khën e krijimit të kësaj situate konlfiktuale, ku Komanda Mbëhstetëse ngrinte pretendime se nuk mund të merrte pronën në dorëzim dhe më pas ta dorëzonte tek familjet që e kishin privatizuar, duke pasqyruar ndër të tjera se përveçse kishte mospërputhje të sipërfaqes, ata si Komandë Mbëhstetëse apo Shtabi nuk ishin angazhuar në respektim të kuadrit ligjor për privatizimin, në procesin e privatizimit, në Kryeministri, në mënyrë ende të papërcaktuar, është administruar një ankesë fotokopje, e  paprotokolluar, e datës 30.03.2009, drejtuar z. Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar”, nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqari, të cilët ankohen për mosdorëzimin e pronës.

Shtetasit Ardian Llagami dhe Igli Vaqari, nuk kanë kujtesë për nënshkrimin e kësaj shkrese dhe nuk njohin nënshkruesit e tjerë të shkresës.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, me shkresën nr. 1161 prot datë 03.04.2009, konceptuar nga shtetasi Ilir Kadiu dhe miratuar nga shtetasi Oerd Bylykbashi, i drejtohet Komandantit të Forcës Mbështetëse Vladimir Qiriazi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Fiqiri Kupe, se…  janë shkelur haptazi dhe në mënyrë të përsëritur afatet ligjore të parashikuara në KPRA kërkojnë marrjen e masave të menjëherëshme për përfundimin e procedurave ligjore. …brenda 10 ditësh pas vënies në dijeni me këtë shkresë, duhet të njoftohet DKBAA për zbatimin e masave konkrete.

Me shkresën nr. 2103 regj datë 14.04.2009 të nënshkruar nga shtetasi Vladimir Qiriazi i është kthyer përgjigje shtetasit Gjergj Lezhja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe për dijeni Fiqiri Kupe, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA Maksim Malaj, ku i parashtron se … kjo pronë nuk është marrë asnjëherë në administrim nga Komanda Mbështetëse dhe nuk është kontabilizuar. Në përfundim i sqaron se, nuk mund të marrin pjesë në një proces dorëzimi e shitje për një pronë të cilën nuk e disponojnë sipas ligjeve në fuqi….

Me shkresat nr. 2326/1 prot datë 16.04.2009, nr. 2085/1 prot datë 16.04.2009, nr. 2084/2 prot datë 16.04.2009, Drejtoria e Menaxhimit të  Instalimeve dhe Burimeve të  Mbrojtjes, drejtori Ardian Shashaj, i është drejtuar Komandës Mbështetëse dhe për dijeni ministrit Gazmend Oketa, sekretarit të përgjithshëm Fiqiri Kupe ku parashtron se, kërkojnë që të informohen lidhur me vazhdimin e procedurave të përcaktuara në titullin administrativ pasi afati që kanë vënë në shkresën e vetë është tejkaluar. …kërkon që të vazhdohen procedurat në përputhje me urdhërin. …Komanda Mbështetëse nuk ka zbatuar urdhërin e  lartëpërmendur. …

Kryeministri Sali Berisha, më datë 16.04.2009 ka nxjerrë urdhërin Nr. 1289 Prot, “Mbi kontrollin tematik në Ministrinë e Mbrojtjes, mbi zbatimin e procedurave ligjore dhe administrative për dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes së pronës me Nr.11, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes”.

Drejtor Oerd Bylykbashi ka përgatitur dhe Sekretari i Sekretari i Përgjithshëm Gjergj Lezhja, ka miratuar programin e kontrollit të koncept. nga Ilir Kadiu.

Me aktin e kontrollit datë 04.05.2009, të nënshkruar nga inspektorët Ilir Kadiu dhe Saimir Struga, në lidhje me kontrollin e ushtruar pranë Komandës Mbështetëse, është konkluduar se Komanda jo vetëm që duhet ta kishte marrë në administrim këtë pronë (Klubin e Futbollit Partizani) por nuk duhej të lejonte që të shfrytëzohej nga një subjekt privat që nuk ka asnjë marrëdhënie juridike me institucionet që e administrojnë këtë pronë. Mosadministrimi dhe mosvjelja e të ardhurave, nga shfrytëzimi i pronës nr. 11, ka sjellë fitim të munguar për buxhetin e shtetit, çka ngarkon me përgjegjësi Vladimir Qiriazin.  Komanda Mbështetëse si organi që juridikisht administron këtë pronë dhe me tagrin e institucionit administrues dhe përfaqësues të MM për dorëzimin e objektit ka vepruar në kundërshtim me VKM nr. 1638 datë 17.12.2008  “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes” kapitulli III, pika 29 dhe kapitulli IV pika 5 si dhe kapitulli IV pika 1. Komanda Mbështetëse në zbatim të VKM duhej të kishte dorëzuar objektin brenda afateve ligjore, pasi zvarritja e mëtejshme e kësaj procedure ngarkon me detyrim financiar buxhetin e shtetit kur referuar n. 8 pika 1 gërma “a) e ligjit nr. 9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” shteti detyrohet t’ i paguajë qera deri në dorëzim ish pronarëve.

Me shkresën nr. 2867/1 prot datë 20.05.2009 shtetasi Vladimir Qiriazi, i është drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, me kërkesë për ndihmë juridike mbi zbatimin e urdhërit të MM nr. 334 datë 13.03.2009 “Për  dorëzim dhe lidhje kontrate”. Në këtë shkresë është parashtruar se, në bisedë telefonike nga ana e ministrit është tërhequr vëmendja për arsyen se pse nga ana e komandës, komisioni për marrjen në administrim dhe hartim të dokumentacionit teknik, ka kontaktuar me personat e sha Partizani që aktualisht ndodhen dhe ushtrojnë aktivitet në këtë pronë.

Komanda Mbështetëse, gjeneral Brigade Komandant Vladimir Qiriazi, me shkresë Nr. 2867/2 Regj. datë 22.05.2009 i ka kthyer përgjigje Këshillit të Ministrave, Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion, në lidhje me Raport Kontrollin, datë 19.05.2009 dhe 04.05.2009,  ku ka konstatuar se, ky raport është tendencioz dhe i paargumentuar, pasi kërkon të përligjë zbatimin e një detyre dhe urdhëri aspak ligjor dhe nuk janë marrë parasysh observacionet e argumentuara ligjërisht.

Me shkresën nr. 3039 prot datë 26.05.2009 shtetasi Vladimir Qiriazi i është drejtuar Presidentit të Republikës Bamir Topi, ku ndër të tjera ka parashtruar disa probleme dhe shqetësime në lidhje me pronat në administrim ose jo të Komandës Mbështetëse të cilat kanë dalë nga plani i përhapjes i FA-së. Ka bërë me dije … se, kjo pronë (i referohet pronës me nr. 11) nuk është në administrim e kontabilitet të Komandës, për rrjedhojë nuk mund ta dorëzojnë apo të lidhin kontratë me pronarët. … ka informuar Ministrin e Mbrojtjes dhe është takuar disa herë me të duke i kërkuar argumenta ligjore nga strukturat e varësisë direkte të tij por vijimisht i është kërkuar se kjo kontratë duhej nënshkruar. Pasqyron se për këtë pronë kanë treguar vëmendje të veçantë Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave, i cili ka ardhur për verifikim me autorizim të kryeministrit Sali Berisha. Parashtron pretendime te tij në lidhje me raportin dhe observacionin e bërë, ndërkohë që pretendon se në mënyrë krejt të pakuptimtë kërkohet nga ky kontroll, që brenda 5 ditëve të mbyllet procedura e shitjes dhe vetëm kaq, ndërkohë që bazuar në rregulloren e punës së këtij departamenti ka institucione të tjera të cilat mund dhe duhet të vijojnë kontrollin.

Sqaron se prona në fjalë, është duke u përdorur nga një subjekt privat që ushtron aktivitetin që nga viti 2000 si sh.a. FK Partizani dhe nuk dihet kush ia ka dhënë në përdorim, kjo pronë nuk i është dorëzuar asnjëherë dhe për asnjë rrethanë Komandës Mbështetëse nga Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm, prona sipas Institutit të Gjeografisë Ushtarake është 30 002.50 m2 ndërkohë që kërkohet të dorëzohet dhe shitet rreth 27 000 m2.  Prona sipas prononcimit të ZRPP rezulton me mbivendosje, nuk kanë marrë çertifikatë pronësie dhe për rrjedhojë nuk mund të shitet.

Për vlerësimin e kësaj prone nuk ka pasur asnjë përfaqësues të KM-së dhe nuk kanë asnjë dijeni për procedurat e ndjekura.

Shtetasi Ilir Kadiu që ka marrë pjesë në këtë kontroll rezulton të jetë përfitues i drejtëpërdrejtë nga privatizimi i klubeve sportive si trashëgimtar i familjes Begeja si edhe vetë shtetasi Jamarbër Malltezi, dhe prej tij është lëshuar një prokurë ku i ka dhënë tagra për vete dhe për personat që ai përfaqëson pikërisht dhëndrrit të ish kryeministrit Sali Berisha, shtetasit Jamarbër Malltezi.

Pra qartësisht evidentohet se çështja familjare që përfshin ish kryeministrin e kohës, po menaxhohet nëpërmjet presioneve ndaj strukturave të Komandës në mënyrë që të konkludohet përfundimi i procesit të privatizimit.

Referuar VKM nr. 94 datë 15.02.2006 “Për miratimin e rregullores për funksionet dhe procedurat e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave”, periudhë kur kryeministër ka qenë shtetasi Sali Berisha, rezulton më se e dukshme se shtetasi Sali Berisha, ka përdorur funksionin e tij si Kryeministër, për të ushtruar presion ndaj Komandës Mbështetëse, nëpërmjet një kontrolli, që nga kjo e fundit të merrej në administrim prona dhe të dorëzohej duke u nënshkruar edhe kontrata e shitjes.

Me shkresën nr. 5576  datë 20.08.2009 “Për përfaqësim në ankand, dorëzim objekti dhe nënshkrim kontrate” është dhënë autorizim nga Ministri, por duket se situata nuk ka gjetur zgjidhje.

Atëherë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shtetasi Bamir Topi, me dekretin nr. 6231 datë 02.09.2009 ka shkarkuar nga detyra si komandant të Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Vladimir Qirjazi, dhe me dekretin nr. 6291 datë 07.10.2009 ka emëruar gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, në këtë detyrë, ndërkohë që në vend të ministrit Gazmend Oketa, me dekretin nr. 6248 datë 14.09.2008 ka emëruar si Ministër Mbrojtje shtetasin Arben Imami.

Menjëherë pas këtyre ndryshimeve, duket se i hapet rrugë konkludimit të procedurave të privatizimit, madje duke anashkaluar edhe pagesën e sipërfaqes që rezultonte tokë shtet e duhet të ishte paguar nga familjet e sipërcituara të njohura pronare.

Me Autorizimin Nr. 6927, datë 15.10.2009 “Për dorëzimin prone dhe lidhje kontrate” Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ka Autorizuar Komandantin e Komandës Mbështetëse Gjeneral Brigade Z. Xhemal Gjunkshi të përfaqësojë Ministrinë e Mbrojtjes për dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes së pronës Nr. 11 me emërtimin Terrenet sportive dhe objektet e klubit të futbollit “Partizani”, Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky autorizim, është vërtetuar nënshkrimi me  nr. 3438 rep po në datë 15.10.2009 para noteres Gentiana Shkodra dhe i është përcjellë Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike me shkresën nr. 6927/1 prot datë 15.10.2009.

Me memon e datës 16.10.2009 drejtuar Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, nga n/kol Naim Rama, shefi i sek. Mirëmbajtjes dhe Infrastrukturës, është parashtruar se … u bë kontabilizimi në llogarinë e Repartit Ushtarak 4001 (Komanda Mbështetëse)…

Me urdhërin nr. 6094/3 datë 16.10.2009 “Për marrjen në administrim dhe dorëzimin e pronës nr 11 Klubi i Futbollit Partizani” komandanti i  Komandës Mbështetëse, Xhemal Gjunkshi, Komanda Mbështetëse, ka urdhëruar të ngrihet në Repartin ushtarak 4001, grupi i punës për marrjen në dorëzim të pronës nr. 11, ….

Me proces verbalin datë 16.10.2009 nr. 6094/3 prot është pasqyruar nga grupi i punës marrja në dorëzim e klubit të futbollit me vlerë kontabël viti 2000 në shumën 9 9551 139 lekë dhe vlerë kontabël të ngelur 8 876 416 lekë, sip sipas faktit 31 002, 5 m2..

Me shkresën Nr. 6094/1 Prot, datë 16.10.2009 Komanda Mbështetëse (Gjeneral Xhemal Gjunkshi) i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorisë së Planifikimit, programimit dhe buxhetimit në Ministrinë e Mbrojtjes, “Informacion mbi zbatimin e urdhërit të MM Nr. 334, datë 13.03.2009”, … është bërë kontabilizimi i pasurisë …

Më datë 16.10.2009 është bërë dorëzimi i pronës, ku Ministria e Mbrojtjes është përfaqësuar nga Gjeneral Brigade Z. Xhemal Gjunkshi dhe marrësit janë për trashëgimtarët e familjeve të njohura pronare, ku për  trashëgimtarët Begeja janë shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Bashkim Bekteshi….

Me kontratën e shitjes me nr. 3550 rep nr. 661 kol datë 21.10.2009, para noteres Gentiana Shkodra, Ministria e Financave, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike përfaqësuar nga Urim Muja, Ministria e Mbrojtjes, Komanda Mbështetëse përfaqësuar nga Xhemal Gjunkshi, sipas autorizimit të  Ministrit të  Mbrojtjes nr. 6927 prot datë 15.10.2009 dhe trashëgimtarëve ligjorë të ish pronarëve, është lidhur kontrata e shitjes për objektin terrenet sportive dhe objektet e Klubit të Futbollit Partizani në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes Tiranë, ku përfaqësues për trashëgimtarët Begeja përfaqësues është shtetasi Jamarbër Malltezi.

Sipas nenit 2, të kësaj kontrate, objekt është kalimi në pronësi private i objektit “Terrenet sportive  dhe objektet e Klubit të Futbollit Partizani”, me vendondodhje në rrugën Frosina Plaku, Tiranë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes Tiranë, me sip totale 26 524 m2, nga e cila 775 m 2 nën objekt, sipas vendimeve të KKKP-ish Pronarëve….

…Në nenin 3 parashikohet çmimi i shitjes së objektit është 10,109,000 (dhjetë milionë e njëqind e nëntë mijë) lekë. Sipas këtij neni, kjo vlerë është paguar plotësisht nga pala blerëse në Raiffeisen Bank në nr. e llogarisë  0104030780  (Dega e Thesarit) në favor të Ministrisë së Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike) Tiranë sipas kushteve të vendosura në autorizimin për kalim të pronësisë objekti dhe trualli me nr. 812 prot datë 26.01.2009.

Në nenin 6, pika 6.4 është përcaktuar se blerësi është i detyruar të bëjë pagesën e pjesës së truallit që do të mbetet shtet pas konfirmimit të dhënë nga ZRKK Pronave Tiranë, brenda afatit 30 ditor nga data e njoftimit që do t’u bëhet për këtë qëllim.

Me shkresën nr. 11287 prot datë 21.10.2009, Drejtori i Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, Urim Muja, i përcjell ZVRPP kontratën e shitjes me nr. 3553 rep nr. 661 kol datë 21.10.2009.

Janë kryer verifikime në Ministrinë  e  Ekonomisë dhe nuk rezulton të ketë pasur në vijim pagesa për pjesën tokë shtet.

Me shkresën nr. 6094/4 regj datë 26.10.2009 të nënshkruar nga Komandanti i Komandës Mbështetëse Xhemal Gjunkshi, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, dhe për dijeni Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Drejtorisë Logjistike, duke informuar se për pronën 11 ka përfunduar procedura e privatizimit dhe firmosja e kontratës së shitjes…..

Me deklaratën noteriale Nr. 54 Rep, Nr. 30 Kol, datë 17.01.2012 shtetasit Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe Shoqëria Homeplan shpk., kanë riaktivizuar akt marrëveshjen për pjesmarrje në investim nr. 3000 rep nr. 1782 kol datë 02.10.2008. Kjo deklaratë e bërë para noteres Laura Pustina përshkruan se me ndryshimin e rrethanave bien dakord dhe shprehin vullnetin për ta aktivizuar akt marrëveshjen e datës  02.10.2008 pa ndryshuar asnjë nga kushtet dhe përmbajtja e saj.

Nga analizimi i llogarive bankare të shoqërisë Homeplan sh.p.k., ka rezultuar se në Procredit Bank me nr. 109026260102, shtetasi Jamarbër Malltezi ka bërë një pagesë në monedhën euro, kreditim në datë 24.12.2012, në vlerën prej 45 128.94 euro, me përshkrimin “Malltezi J.L. ….pagesë detyrimi Homeplan sh.p.k.”.  Shoqëria Homeplan sh.p.k. rezulton që paratë e mësipërme i kalon në llogarinë bankare me nr. …1000755060402 të shoqërisë Kontakt sh.p.k. me përshkrimin “pagesë pjesore për situacione punimesh, Kontakt sh.p.k.”

Në fakt kjo është e vetmja pagesë, që rezulton të jetë kryer nga shtetasi Jamarbër Malltezi për llogari të shoqërisë Homeplan sh.p.k. e cila pretendohet se ka kryer investimin tërësor të ndërtimeve në zonën e territoreve të ish Klubeve Sportive.

Gjithashtu, rezulton se sërish strukturat shtetërore në kohën që pushtetin e ka ende shtetasi Sali Berisha, angazhohen plotësisht për krijimin e kushteve për zhvilimin e ndërtimeve.

Me vendimin nr. 1 datë 15.02.2013, Këshilli Kombëtar i Territorit, me kryetar shtetasin Sali Berisha, ka vendosur miratimin e planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Tiranë.

Në relacionin e planit të përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, plani i përgjithshëm vendor, konstatohet se është cituar Lista e anëtarëve të Grupit Strategjik për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Qytetit të Tiranës, ku ndërmjet të tjerëve evidentohet edhe emri i shtetasit Jamarbër Malltezi.

Gjithashtu, në listën e e anëtarëve të Grupit Teknik për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Qytetit të Tiranës, ndërmjet të tjerëve evidentohet sërish edhe emri i shtetasit Jamarbër Malltezi.

Me vendimin nr. 8427/8 datë 18.09.2013, të Bashkisë Tiranë, është dhënë leja zhvillimore ndërtim për kompleksin Magnet, në rrugën Ndre Mjeda, në pronë të familjeve Begeja, Kaçurri, Kadiu, Bekteshi, S.Velo, M.Kallajxhiu, Malltezi, N.Hoxha, E.Grabova, L.Lika, M.Aga, T.Malka, A.Sulstariva, L.Çela, S.Kurti, Bektashi, Vaqarri, Arapi, Alimehmeti, Mulliçi. Me zhvillues Kontakt sh.p.k. dhe Homeplan sh.p.k. dhe subjekt ndërtues Kontakt sh.p.k.

Në shoqërinë Homeplan sh.p.k. audituese është caktuar shtetësja Shpresa Breçani, e afërme e  shtetasit Sali Berisha dhe kontabiliteti është mbajtur nga studio Pustina, ku shtetësja Andia dhe Laura Pustina, janë miq të familjes Berisha.

Shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja paraqiten sikur në vitin 2014 sipas kontratës së shitjes datë 23.01.2014, blejnë aksione të shoqërisë Homeplan sh.p.k. në një vlerë respektive prej 35 000 lekë dhe 25 000 lekë. Kjo shitje përveç faktit se nuk është deklaruar për shumë vite, pasi vetëm  me autorizimin nr. 5653 prot datë 21.12.2018 shtetasi Fatmir Bektashi autorizon punonjëset e tij që të depozitojnë dokumentat pranë QKB-së për ndryshimin e ortakërisë së shoqërisë, rezulton se deri në vitin 2018, shtetasi Fatmir Bektashi ka vijuar të nënshkruajë të gjitha aktet e shoqërisë si ortak i vetëm i shoqërisë.

Gjithashtu rezulton se, deri në fund të vitit 2013, shoqëria Homeplan sh.p.k. ka pasur fitime të pashpërndara, të kaluara në rezerva në shumën totale prej 362 404 209 lekësh. Vetëm kjo shifër, si një vëzhgues objektiv, ngre dyshimin e arsyeshëm se kuotat e kësaj shoqërie, nuk mund të shiteshin në vlerat 35 000 lekë apo 25 000 lekë, pasi shitja e këtyre kuotave bën që shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, të shndërrohen në bashkëortakë dhe të gëzojnë të drejtat që rrjedhin nga kjo shoqëri.

Kjo shifër e evidentuar si e transferuar në rezerva të tjera është disponuar në këtë mënyrë, me qëllim përllogaritjen e përfitimeve të tre shtetasve të mësipërm, dhe e njëjta linjë ka vazhduar edhe më pas.   Por pavarësisht kësaj kontrate, siç edhe theksuam më sipër, aktet e shoqërisë vijojnë të nënshkruhen nga ortaku i vetëm Fatmir Bektashi, dhe dhënia e parave shtetasve Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, kryhet në forma të fshehta, por duke u pasqyruar si dividentë, për efekt mbajtje llogarish, në dokumenta që nuk dorëzohen në organet përkatëse.

Referuar numrit të llogarisë bankare pranë Banka Tregtare Kombëtare nr. 422233578 të përcaktuar në marrëveshjen e invetsimit të lidhur ndërmjet shtetasve Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe shoqërisë Homeplan sh.p.k. si numër në të cilën do të depozitoheshin kontributet që do të bënin pjesmarrësit në këtë marrëveshje, nuk ekzistojnë gjurmë të këtij kontributi nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

Referuar shkresës nr. 19231/5 prot datë 25.05.2023 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë,  bëhemi me dije se ky subjekt, është regjistruar për përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin dhe tatim mbi të ardhurat nga konsumi më datë 23.06.2010. Kjo nënkupton që aktiviteti i shoqërisë Homeplan sh.p.k., duke dokumentuar të ardhura dhe shpenzime, ka filluar në vitin 2010.

Me interes është për t’u theksuar se në llogarinë bankare të shoqërisë Homeplan sh.p.k. me nr. 111283737020121 në euro, pranë Bankës Union, rezulton se shtetasi Fatmir Bektashi ka kryer derdhje cash më datë 28.10.2008 të një shume prej 245 000 euro, shumë e cila më datë 29.10.2008 është transferuar nga një llogari në tjetrën, konkretisht nga llogaria në fjalë tek llogaria me nr 111283737020110 në lekë, po e shoqërisë  Homeplan sh.p.k. duke u bërë edhe konvertimi në lekë, në shumën 30 380 000 lekë. Kjo shumë po në këtë datë është transferuar tek shoqëria Kontakt sh.p.k. me përshkrimin “…kalim për privatizimin e Klubit shumësportesh Partizani” Tiranë.

Referuar edhe çfarë është parashtruar në pjesën ku është trajtuar Privatizimi i Klubit Shumësportesh Partizani, rezulton se me urdhër pagesën e lëshuar nga Union Bank KIB 21411508 datë 29.10.2008, rezulton se urdhëruesi Kontakt sh.p.k. me nr llogarie 111100431020111 ka paguar për llogari të Degës së Thesarit shumën prej 30 380 000 lekë në favor të privatizimit të Klubit Shumësportesh Partizani me burim të ardhurash nga biznesi. Ky urdhër pagese është nënshkruar nga shtetasi Fatmir Bektashi.

Gjithashtu më datë 29.10.2008 në llogarinë bankare ….0121 euro shoqëria Homeplan sh.p.k. është kredituar nga shoqëria Kontakt sh.p.k. me një shumë prej 230 000 euro me përshkrim “…kalim për privatizim të klubit shumësportesh Partizani Tiranë”. Në po të njëjtën datë kjo shumë transferohet tek llogaria në lekë e shoqërisë Homeplan me nr. …0110 lekë, duke u bërë konvertimi përkatës në vlerën 28 520 000 lekë. Më  pas kjo shumë nga shoqëria Homeplan sh.p.k. kalon në shoqërinë Kontakt sh.p.k. me të njëjtin përshkrim.

Referuar edhe çfarë është parashtruar në pjesën ku është trajtuar Privatizimi i Klubit Shumësportesh Partizani, rezulton se me me urdhër pagesën e lëshuar nga Union Bank KIB 21411508 datë 29.10.2008 të Union Bank, rezulton se urdhëruesi Kontakt sh.p.k. me nr llogarie 111100431020111 ka paguar për llogari të Degës së Thesarit shumën prej 27 883 658 lekë në për Ministrinë e Financave, Dr. Regj e shitjes së pronave publike Tiranë për privatizimin e Klubit shumësportesh Partizani Tiranë. Urdhëri i pagesës është nënshrkuar nga shtetasi Fatmir Bektashi. Burimi i të ardhurave nga biznesi.

Gjithashtu, më datë 30.10.2008, është bërë një depozitim cash nga shtetasi Fatmir Bektashi në shumën 10 450 euro në llogarinë me nr. …121 të shoqërisë Homeplan, dhe po në këtë datë është trasnferuar kjo shumë është konvertuar në lekë në vlerën 1 287 912 lekë dhe më pas bashkë me pjesën tjetër të parave që kanë ngelur në këtë llogari bankare, është transferuar shuma prej 1 923 487 lekë në drejtim të shoqërisë Kontakt sh.p.k. me përshkrimin “…kalim për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani, Tiranë”.

Me mandat pagesën e Union Bank datë 30.10.2008 rezulton se shoqëria Kontakt me nr llogarie 111100431020111 ka paguar shumën prej 1 923 487 lekë, për Ministrinë e Financave për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani. Urdhër pagesa KIB 21411508 nënshkruar nga shtetasi Fatmir Bektashi, me burim të ardhurash nga biznesi.

Sa më sipër, lëvizja e parave fillimisht si depozitim cash në vlerën 245 000 euro nga shtetasi Fatmir Bektashi, shumën prej 230 000 euro nga shoqëria  Kontakt sh.p.k. dhe shumën prej 10 450 euro cash depozituar nga Fatmir Bektashi, dhe kalimi i tyre në llogarinë e shoqërisë  Homeplan sh.p.k. për të rikaluar prapë në llogarinë e shoqërisë Kontakt sh.p.k., para këto të përdorura për privatizimin e Klubit Shumësportesh Partizani, ngre dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova, se llogaria e shoqërisë Homeplan sh.p.k. është përdorur me qëllim lënien e gjurmëve të parave që investohen për privatizimin.

Më datë 29.06.2012  ortaku i vetëm vendos miratimin e bilancit për vitin 2011 duke shpërndarë fitimin prej 1 202 689 lekë në këtë mënyrë: Shuma prej 60 134,45 lekë si rezervë ligjore dhe mbetja prej 1 142 554, 55 lekë në rezerva të tjera.

Nga dokumentat e sekuestruara, pranë studio Pustina, ka rezultuar se janë gjendur disa tabela dhe disa shkresa në të cilat përshkruhen rakordimet e kryera, për të konkluduara të dhëna që përmblidhen ndër të tjera me emërtimin “divident”. Konkretisht rezulton se në tabelën “Jamarbër Malltezi, Total pagesa për Divident 2011 – 2022” e cila është një tabelë me të dhëna të rakorduara, konstatohet se janë evidentuar pagesa në vitin 2011, me përshkrimin “Cash, MP…” të pasndjekura nga nr dhe datë për për shtetasin Jamarbër Malltezi, në një vlerë totale prej 90 000 euro dhe sipas këtij dokumenti pasqyrohet si divident që i jepet shtetasit Jamarbër Malltezi.

Në lidhje me këto pagesa, nuk konstatohet që të jenë pasqyruar në dokumentat e deklaruara rregullisht të shoqërisë, si shpërndarje dividenti, por evidentohen në këto tabela që mesa konstatohet mbahen për llogari të dokumentimit të veprimeve të fshehta që kryhen me këtë shoqëri.

Këto shuma janë evidentuar edhe në disa tabela të tjera të sekuestruara pranë studio Pustinës, të cilat mbajnë përshkrime për llogari të shtetasit Jamarbër Malltezi i identifikuar si (JM) dhe të shoqëruar herë pas here edhe me fjalët “KP” ose “Kontribut Patriotik”.

Në vitin 2012, referuar tabelës së sekuestruar pranë studio Pustina, me emërtimin “Jamarbër Malltezi, Total pagesa për divident, 2011 – 2012” pasqyrohet se është bërë shënimi se shtetasit Jamarbër Malltezi, i është dhënë shuma prej 1 786.41 euro me përshkrimin “paguar hipoteka e 4 shkurti”, më datë 26.06.2012, e cila është përllogaritur sipas kësaj tabele, po si divident për shtetasin Jamarbër Malltezi.

Në vitin 2015 në tabelën e gjendur në studion Pustina, me emërtimin “Jamarbër Mallltezi, total pagesa për divident 2011 – 2022” rezulton se është përshkruar dhënia e e një shume prej 50 000 euro për  shtetasin Jamarbër Malltezi, pasqyruar si e dhënë cash.

Ndërkohë që bëhen këto pagesa të emërtuara si “dividentë” për shtetasin Jamarbër Malltezi, në vitin 2015, të evidentuara në tabelën e mësipërme, nga ana tjetër vijojnë pagesa përgjatë periudhës 2012 – 2015 edhe ndaj të tretëve, gjithmonë me shënimet “KP” ose “Kontribut Patriotik” referuar tabelës “Pagesa cash për Homeplan” sh.p.k.

Më datë 30.06.2016 ortaku i vetëm vendos miratimin e rezultatit ekonomik për vitin 2015, me  174 319 583 lekë dhe shpërndarjen në këtë mënyrë: Shuma prej 82 800 000 lekë ose ekuivalenti në euro 600 000 euro si divident për ortakun e vetëm pas pagesës së tatimit mbi dividentin dhe kalimin e shumës prej 91 319 583 lekë në rezerva të tjera.

Gjithashtu në këtë vendim është përcaktuar edhe emërimi i shtetases Shpresa Breçani si auditor kontabël e shoqërisë Homeplan sh.p.k. për vitin fiskal 2016. Është për t’u theksuar se  shtetësja Shpresa Breçani që vendoset si audituese, rezulton të jetë e afërme e familjes Berisha, i deklaruar ky fakt nga vetë shtetasi Xhimi Begeja dhe pouar nga shtetasi Fatmir Bektashi se Andia i ka rekomanduar shtetasen Shpresa Breçani.

Në vitin 2016, nuk rezultojnë nga dokumentat e sekuestruara pranë studio Pustina apo ato të gjendura nëpër kompjutera që të jenë evidentuar dhënie parash në formë “dividenti” shtetasit Jamarbër Malltezi, pas rakordimeve të kryera, por vijojnë të pasqyruara dhënie parash në subjekte të treta në formën e kontributit patriotik.

Më datë 15.05.2017 ortaku i vetëm vendos miratimin e rezultatit ekonomik për vitin 2016, me fitim 17 998 258 lekë dhe ndarjen si vijon: Shuma prej 17 998 258 lekë kalon në rezerva të tjera; Miratimin e shpërndarjes së fitimeve të akumuluara deri më datë 31.12.2016: Shpërndarjen e shumës prej 450 000 000 lekë sipas marrëveshjes së investimit nr. 3000 rep/nr. 1783 kol datë 02.10.2008. Kjo shpërndarje do të bëhet brenda një periudhe prej 5 vitesh me këste sipas gjendjes së likuiditetit që do të ketë shoqëria.

Megjithatë, ortaku i vetëm vendos më datë 27.06.2017, të ndryshojë vendimin e datës 15.05.2017 duke miratuar shpërndarjen e fitimeve të akumuluara deri më 31.12.2016 ku shuma prej 200 000 000 lekë sipas marrëvshjes së investimit rep 3000/kol 1783 datë 02.10.2008 dhe shtojcave e ndryshimeve të saj. Kjo shpërndarje do të bëhet brenda një periudhë prej 5 vitesh me këste sipas gjendjes së likuiditetit që do të ketë shoqëria.

Në vitin 2017, sipas tabelës “Jamarbër Malltezi, Total Pagesa për divident 2011 – 2022” rezulton se ky shtetas është paguar në disa forma.

Me faturë në periudhën 27.01.2017 deri më 20.03.2017. Përgjatë hetimit janë sekuestruar 4 fatura tatimore por jo studimi për impaktin në mjedis siç përshkruhet në faturë. Janë kqyrur edhe praktikat e lejeve të ndërtimit, nga të cilat ka rezultuar se raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis, që përshkruhet se janë kryer nga shtetasi Jamarbër Malltezi, përveçse në bashkëpunim me një shtetas tjetër Sulejman Sulçe, rezultojnë se janë administruar në praktikën e lejes së ndërtimit të vitit 2013, duke mos u justifikuar pagesa e kryer në vitin 2017. Për më tepër, në ndërthurrje me të dhënat e gjendura në tabelën me emërtimin “Jamarbër Malltezi, pagesa për divident 2011 – 2022”, konstatohet se këto para janë të përllogaritura si divident në një vlerë totale prej 90 000 euro.

Më datë 30.06.2018 ortaku miraton rezultatin ekonomik për vitin 2017, me fitim në shumën 121 398 676 lekë dhe e kalon në rezerva të tjera. Gjithashtu miraton shpërndarjen e fitimeve të akumuluara deri më datë 31.12.2017. Shuma prej 204 954 000 lekë e barazvlefshme në vlerën bruto prej 1 403 000 euro sipas marrëveshjes së investimit rep 3000 kol 1783 datë 02.10.2008 dhe shtojca e ndryshimeve të saj. Kjo shpërndarje do të bëhet me këste sipas gjendjes së likuiditetit që do të ketë shoqëria.

Gjithashtu rezulton se, nga dokumenti i sekuestruar në ambientet e Studio Pustina dhe më konkretisht shkresa me Nr. 6372 Prot, datë 01.06.2022 që bën fjalë për rakordimet e shpenzimeve dhe shpërndarjen e “dividendit” për “ortakët” midis shoqërive Homeplan dhe Kontakt, dërguar shtetases Andia Pustina dhe firmosur nga shtetasi Fatmir Bektashi, në të cilën konfirmon dërgimin e dokumentave ( tabelave) dhe ndër të tjera citon si më poshtë:  “…Gjithashtu do të gjeni dokumente që Znjsh. Suzana Aliaj ka sjellë tek ju për dividendin e Z. Malltezi. Janë tërhequr dividend nga Z.Fatmir Bektashi 637 mijë euro dhe janë paguar për Z.Malltezi : paguar CASH vlera 547 mijë euro dhe 90 mijë euro fatura konsulence. Kështu që nga detyrimi i dividendit të Z. Bektashi duhet të zbritet vlera 637 mijë euro.”

Citimi i mësipërm se 90 mijë euro, i janë paguar shtetasit Jamarbër Malltezi me fatura konsulence për efekt “dividenti”, ngre dyshimin e arsyeshëm se, është berë me qëllim marrjen nga ky shtetas, të përfitimeve të shoqërisë Homeplan, pavarësisht se nuk ka qenë ligjërisht ortak i kësaj shoqërie. Nëse këto fatura, do të ishin reale, subjekti Homeplan nuk do ta përcaktonte këtë shumë si pagesë për dividentin në korrespondencën e tyre me Studio Pustina, por thjesht do t’i referohej si shpenzim i shoqërisë Homeplan duke qenë se këto fatura janë deklaruar në organet tatimore dhe janë përfshirë në llogaritjen e rezultatin ekonomik për periudhat respektive të faturave.

Pagesa Cash në periudhën 03.03.2017 deri më 09.05.2017.  Në lidhje me transaksionet e mësipërme, në tabelën e sekuestruar me përshkrimin “Jamarbër Malltezi, Total pagesa për divident 2011 -2022” është shënuar me shkrim dore “72 000 CASH”

Kalim fondi – Nga data 25.05.2017 deri më datë 04.07.2017 janë kryer gjithësej 23 transaksione të ndara në 7 000 euro / transfertë me vlerë totale 161 000 euro dhe një transaksion në vlerën 40 000 euro nga llogaria bankare e shoqërisë Homeplan shpk me nr 111283737020121 në bankën Union Bank në llogarinë bankare të shtetasit Jamarbër Malltezi, me nr 113398964650127 në bankën Union Bank, me përshkrimin “Kalim Fondi “. Në total me këtë përshkrim,  në dokumentat e sekuestruara janë kaluar 201 000 euro.

Ndërkohë në tabelën e sekuestruar tek Studio Pustina, me emërtimin “Jamarbër Malltezi, total pagesa për divident, 2011 – 2022” rezulton se këto pagesa, përllogariten si divident.

Pagesë dividenti/kalim fondi – Nga data 05.07.2017 deri më datë 11.08.2017 janë kryer gjithësej 27 transaksione, të ndara në 7 000 euro, që në total  është shuma 189 000 euro.

Në tabelën e sekuestruar, janë me përshkrim UBEUR Pagesë Dividenti, ndërsa në përshkrimet e pagesave të kryera nga llogaria bankare e shoqërisë Homeplan shpk me nr 111283737020121 në bankën Union Bank në llogarinë bankare të shtetasit Jamarbër Malltezi me nr 113398964650127  në po ato data dhe është shënuar “Homeplan shpk për Jamarbër Malltezi, Kalim Fondi”

Siç vërehet, në këtë moment ndryshon përshkrimi në shënimet e dokumentave të sekuestruara në tabelat e gjendura në studion Pustina, nga “Kalim Fondi” ne “Pagesë dividenti”.

Pagesë dividenti – Nga data 14.08.2017 deri më datën 07.12.2017, janë kryer gjithësej 80 transaksione, të ndara në 7 000 euro / transfertë, me vlerë totale 560 107 euro, të cilat si në tabelën e sekuestruar ashtu edhe në përshkrimet e pagesave të kryera nga llogaria bankare e shoqërisë Homeplan shpk me nr 111283737020121 në bankën Union Bank në llogarinë bankare të shtetasit Jamarbër Malltezi me nr 113398964650127, mbajnë përshkrimin “Homeplan për Jamarbër Malltezi, Kalim për pagesë Dividenti”.

Total 2017: Në total për vitin 2017, rezulton se shtetasi Jamarbër Malltezi, sipas tabelës së sekuestruar,  rezulton të ketë marrë përfitim, i cili vishet me emrin “divident” në shumën 1 112 107 euro.

Sipas Deklaratës Vjetore Indidividuale të të ardhurave Diva, ky shtetas, për vitin 2017, ka deklaruar 150 000 000 lekë.

Në vijim, është kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në lidhje me Dividentin e shpërndarë për shtetasin Jamarbër Malltezi. Në përgjigjen e ardhur, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve na informon se: Shtetasi Jamarbër Malltezi rezulton i regjistruar si aksioner individ i kompanisë Homeplan me nipt K81803020E nga 27.12.2018. Ky subjekt, për periudhat pasi shtetasi Jamarbër Malltezi është bërë ortak, rezulton se ka shpërndarë dividend si vijon:

Perudha e deklarimit      Dividend Shpërndarë     Paguar Tatim mbi Dividendin

2019/08                189,675,318        15,174,025

2020/07                102,327,898        8,186,232

2021/07                156,886,241        12,550,899

2022/07                591,523,120        47,321,850

Siç vërehet edhe më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmon sërish se, shtetasi Jamarbër Malltezi, rezulton si aksioner i shoqërisë Homeplan shpk me NIPT K81803020E nga data 27.12.2018 dhe se shpërndarja e dividentit duke paguar Tatimin mbi Dividenti ka filluar në Gusht të vitit 2019.

Sa më sipër, për vitin 2017, evidentohet se kanë filluar përpjekjet që pjesmarrja e shtetasit Jamarbër Malltezi dhe shtetasit Xhimi Begeja, të formalizohej me hyrjen në shoqëri si bashkëortak. Për këtë dyshohet se, në këtë kohë është përgatitur edhe kontrata e vitit 2014, sikur janë shitur aksionet pikërisht në atë periudhë.

Prandaj kanë filluar edhe të hidhen pagesa nga muaji gusht 2017, në formën e dividentit. Megjithatë duket se ka pasur problematika me pjesën që shtetasi Jamarbër Malltezi ndërkohë kishte marrë nga përfitimi i shoqërisë dhe për këtë arsye duhet të rakordoheshin të dhënat. Mosarritja e rakordimit të këtyre të dhënave ka bërë që të mos dorëzohej kontrata që mban vitin 2014 e shitjes së kuotave, por nga ana tjetër shtetasi Jamarbër Malltezi, ka marrë masa për të  rregulluar situatën e paraqitur, e konkretisht marrjen e parave nëpërmjet bankës. Për këtë arsye ai deklaron në Deklaratën DIVA të ardhura nga dividenti.

Gjithashtu, një fenomen tjetër i evidentuar më lart, është hedhja e parave të evidentuara si “Kalim fondi” dhe “divident” në llogarinë bankare të shtetasit Jamarbër Malltezi, në shuma të copëzuara. Referuar ligjit nr. 9917 datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” , neni 4 “Rastet kur kërkohet vigjilenca e duhur”, është sanksionuar se subjektet (siç janë bankat) duhet të marrin masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit në rastet e mëposhtme:

…b) kur klienti, në raste të ndryshme nga ato të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike, kryen ose kërkon të kryejë:

…ii) një transaksion me një shumë të barabartë me jo më pak se 1 000 000 (një milion) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, kryer në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëri-tjetrin. Nëse shuma e transaksioneve nuk dihet në kohën e veprimit, identifikimi duhet të kryhet sapo të bëhet e ditur shuma dhe të arrihet pragu i mësipërm….

Pra, copëzimi i pagesave të mësipërme, është bërë me qëllim shmangien e këtij raportimi.

Nga këqyrja e pjesëshme e kompjuterit e Njësisë Qëndrore “Think centre” M 81, Model Number “BF8”, “PBCHNN7”, sekuestruar pranë Studio Pustina është gjetur një dokument në formatin ëord me emërtimin “Përgjigje për Abin”. Ky dokument u gjend tek dokumentat e shkarkuara dhe është krijuar më datë 09.12.2021, ora 11:46 AM.

Ky material në ëord është në gjuhën angleze dhe ka komente në gjuhën shqipe dhe angleze për sqarime që duhet të paraqiten. Nga përmbajtja e materialit konstatohet se, ky dokument po përgatitet për t’u dorëzuar nga vajza e shtetasit Jamarbër Malltezi (në material citohet babai im) në një institucion publik/ privat të huaj në shtetin Gjerman, të cilët, referuar një transferte bankare nga llogari bankare në Gjermani të shtetasit Jamarbër Malltezi, drejt llogarisë bankare të vajzës së tij, dhe informacionit të marrë në burime të hapura kanë kërkuar sqarime në lidhje me burimin e të ardhurave. Konkretisht në përmbajtje të këtij materiali konfirmohet ajo që është analizuar më sipër në këtë relacion, pra përpjekje për të justifikuar shtënien në dorë të përfitimit nga ana e shtetasit Jamarbër Malltezi, si investues ndërkohë që nuk rezulton të ketë kryer ndonjë investim, përveç një shume prej 45 000 euro,

Përfitimi total i shtetasit Jamarbër Malltezi.

Në faqen e fundit të tabelës me emërtimin “Jamarbër Malltezi, Pagesa për dividend 2011-2022” sekuestruar pranë Studio Pustina, paraqiten në mënyrë të përmbledhur përfitimet e shtetasit Jamarbër Malltezi, në vlerë monetare dhe në natyrë si vijon: Në tabelën e parë përmbledhëse reflektohen përfitimet monetare, së bashku me disa shënime me shkrim dore duke e çuar shumën totale në 4 258 785 euro ose 534 896 451 lek. Po ashtu, në këtë tabelë tregohet mënyra se si vlerat monetare që i janë dhënë shtetasit Jamarbër Malltezi në vitet 2011, 2012, dhe 2015 janë përllogaritur në dividendin e shpërndarë nga shoqëria Homeplan në vitin 2017. Gjithashtu është shënuar me shkrim dore edhe vlera në Cash 72 000 euro dhe fatura 90 000 euro.

Në tabelën e dytë përmbledhëse, reflektohet detyrimi që shoqëria Homeplan i ka shtetasit Jamarbër Malltezi në vlerën 44 126.7 euro, korrigjuar më pas me shkrim dore në vlerën 45 198 euro, që siç është shpjeguar me herët në relacion, është vlera që shtetasi Jamarbër Malltezi i ka dhënë hua shoqërisë në vitin 2012.

Në tabelën e tretë përmbledhëse reflektohet përfitimi në natyrë i konvertuar në një vlerë monetare prej 1 250 815 euro ose 150 097 800 lek. Më konkretisht një njësi shërbimi prej 548.9 m2 dhe apartamente me një sipërfaqe prej 502.9 m2.

Në përfundim arrihet në konkluzionin se, përfitimi total i shtetasit Jamarbër Malltezi në para dhe në natyrë, i shprehur në vlerë monetare është 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, nderkohe qe ekziston dyshimi i arsyeshem i mbeshtetur ne prova se ka investuar vetem shumen prej 45 128 euro. Nder te tjera, kjo gje mbeshtetet edhe nga deklarimet e vete shtetasit Fatmir Bektashi i cili, kembengul qe shtetasit Jamarber Malltezi dhe Xhimi Begeja nuk kane investuar (duke nenkuptuar investime per ndertime qe eshte edhe logjika e krijimit te shoqerise Homeplan).

Likujdimi i shoqërisë Homeplan sh.p.k.

 

Ndërkohë që vijojnë hetimet, rezulton se nga kqyrja e realizuar në ëebsite-in e QKB-së, për shoqërinë Homeplan, evidentohet se më datë 28.07.2023, është depozituar vendimi i asamblesë të ortakëve datë 19.05.2023 ku është vendosur për miratimin e shitjes të kuotës te Xhimi Begeja në favor të Fatmir Bektashi dhe Jamarber Malltezi. Me kontratë shitje pasurie të luajtshme (kuota kapitali) Nr. 1387 Rep, Nr.455/3 Kol, datë 19.05.2023 para noteres Laura Pustina shtetasi Xhimi Begeja në cilësinë e palës shitëse i ka shitur shtetasit Fatmir Bektashi 15 % të kuotave në vlerën 15,000 lekë dhe shtetasit Jamarbër Malltezi 10 % të kuotave të kapitalit në vlerën 10,000 lekë. Kushti i parashkruar në kontratë është që transferimi i kuotave të bëhet vetëm në datën e shlyerjes së detyrimit që shoqëria ka ndaj ortakut Xhimi Begeja për pagesë dividenti në shumën 500,000 Euro.

 

Më datë 04.10.2023 është depozituar pranë QKB-së vendimi i datës  03.10.2023 për kalimin e shoqërisë në status “likuidim e sipër” dhe caktim likuidatori, shtetasin Fatmir Bektashi.

 

Mbi rrethanat më sipër,  me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masat e sigurimit personal të sipërcituara për personin nën hetim Sali Berisha.

 

Me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur  ndër të tjera, vazhdimin e masës  së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023 ndaj  personit nën hetim Sali Berisha duke u urdhëruar ky i fundit të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00 para oficerit të  policisë gjyqësore, pranë  Prokurorisë së  Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe urdhërimi i këtij shtetasi të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale dhe ndalimi i përdorimit të pasaportës dhe dokumentave të tjera idnetifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.

 

Ky vendim është ankimuar dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, ka vendosur ndër të tjera miratimin e vendimit nr. 112 datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organziuar  të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023 të së njëjtës gjykatë, ndaj ankuesit Sali Berisha.

 

Në vijim të zbatimit të masave të sigurimit, referuar proces verbaleve datë 06.11.2023, 20.11.2023, 04.12.2023, 18.12.2023 të mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore/hetuesi, para të cilit duhet të paraqitej personi nën hetim Sali Berisha, rezulton se ky i fundit, nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur asnjëherë para policisë gjyqësore.

 

Neni 289 i K.Pr. Penale “Lejimi për të kryer veprime” (Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 21, datë 10.3.2014; ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) sanksionon:

…2. Kur nevojat e sigurimit rëndohen apo kur nga hetimet rezultojnë fakte ose rrethana të reja, prokurori mund t’i kërkojë Kuvendit autorizim, sipas paragrafit 1, të nenit 288, të këtij Kodi. …

 

Neni 231 i K.Pr.Penale “Zëvendësimi ose bashkimi i masave të sigurimit personal” parashikon:

“1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese.”

 

Neni 260 i K.Pr.Penale “Revokimi, zëvendësimi dhe bashkimi i masave të sigurimit” parashikon:

…3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen apo personi shkel detyrimet që lidhen me masën e sigurimit, gjykata, me kërkesë të prokurorit, mund të vendosë zëvendësimin e saj me një masë më të rëndë ose caktimin e një mase sigurimi shtrënguese ose ndaluese shtesë. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë caktimin e një mase ndaluese shtesë ose zëvendësimin e saj me një masë shtrënguese.

Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokimin, zëvendësimin ose bashkimin e masave të sigurimit shqyrtohet nga gjykata ku ndodhen aktet, brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti, gjykata vendos edhe kryesisht revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit gjatë marrjes në pyetje të personit të arrestuar, sipas nenit 248, të këtij Kodi, në rastet e parashikuara nga paragrafi 6, i nenit 246, të tij, gjatë procedimit për sigurimin e provës, gjatë seancës paraprake ose gjatë gjykimit.

 

Ndodhur në këto kushte, me kërkesën nr. 16688 prot datë 12.12.2023 dhe relacionin e datës 11.12.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë duke kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit, personit nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.

 

Me shkresën nr. 3822/7 prot datë 21.12.2023, të nënshkruar nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së  Shqipërisë, është përcjellë vendimi nr. 127 datë 21.12.2023 i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në pikën 1 të të cilit është vendosur: 1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. 2.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Pretendimet e palëve

Gjatë gjykimit në lidhje me kërkesën objekt gjykimi, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, pretenduan se: Nga hetimet e kryera deri më tani, ekziston dyshimi se nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, është konsumuar vepra penale “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i K.Penal.

 

Po kështu, nga ana e prokurorisë, vlerësohet se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit dhe ekzistenca e këtyre kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 228, 229 të K.Pr.Penale, të cilat janë vlerësuar tashmë nga gjykata.

 

Gjithashtu nga ana e prokurorisë vlerësohet se ndodhemi edhe në përmbushje të kërkesave të parashikuara nga nenet 231 dhe 260 të K.Pr.Penale. Personi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedurial penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit. Jo pa qëllim legjislatori ka parashikuar se, në rastet kur shkelen detyrimet që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin e masës së sigurimit me një tjetër më të rëndë.

 

Duke vlerësuar se deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se nga personi nën hetim Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 228 i K.Pr.Penale, se nuk ekzistojnë kushte padënueshmërie apo të shuarjes së veprës penale ose të dënimit,  se në respektim të nenit 228 pika 3 të K.Pr.Penale, nga ana e prokurorisë vlerësohet se  ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, pasur parasysh se ndikime mund të ketë qoftë në institucione shtetërore përsa kohë çështja është në fazën e hetimit dhe ende janë duke u administruar prova shkresore, por edhe në provat e gjalla siç janë dëshmitarët, se personi nën hetim pasur parasysh llojin e veprës penale që dyshohet të ketë kryer dhe dënimin që parashikon legjislatori si dhe pasur parasysh që për shkak të rrethanave të faktit, siç është rasti konkret që personi nën hetim nuk respekton autoritetin e gjykatës, pavarësisht kundërshtimeve që ai mund të ketë në lidhje me vendimmarrjet (për të cilat ligji i ka ofruar mundësinë e ankimit të tyre), personalitetit të tij, që lidhet pikërisht me mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, nga ana e prokurorisë vlerësohet se në lidhje me masat e sigurimit të caktuara ndaj personit nën hetim Sali Berisha të cilat ai vijon të mos i zbatojë, se jemi në kushtet që duhet të zëvendësohen me një masë më të rëndë.

 

Pasur parasysh dënimin që përcakton legjislatori për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore, që shkon deri në 12 vite burgim, pasur parasysh funksionin e tij si ish kryeministër i R.Shqipërisë në kohën e ndodhjes së ngjarjeve, duke treguar se ka qenë një ndër njerëzit më të pushtetshëm ku nga një vëzhgues objektiv, vlerësohet e mundur ndikimi në strukturat shtetërore, që kanë pasur rol në ndodhjen e ngjarjeve por edhe vetë angazhimi i tij drejtëpërdrejtë në ndryshim destinacioni apo në propozime dhe miratim aktesh ligjore dhe nënligjore, dhënia e urdhërave për ushtrim kontrolli me qëllim bërjen të mundur konkludimin e procedurës së privatizimit, duke ushtruar në këtë mënyrë presion mbi funksionarë të tjerë, pasur parasysh se korrupsioni është një ndër  fenomenet kryesore që Shqipëria ka marrë përsipër të luftojë, vlerësohet se janë kushtet e caktimit të një mase sigurimi më të rëndë se ato të vendosura.

 

Ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se vepra penale është kryer në rrethanë rënduese, konkretisht në kushte bashkëpunimi, që ka vazhduar për një kohë të gjatë, e shtrirë në vite.

 

Në rastin konkret, duke vlerësuar në fakt moshën e personit, nga ana e prokurorisë kërkohet zëvendësimi i masave të sigurimit që rëndojnë mbi personin nën hetim Sali Berisha, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Sipas prokurës së posaçme nr. 2814 rep nr. 990 kol datë 24.10.2023 dhe nr. 2815 rep nr. 991 kol datë 24.10.2023,  shtetasi Sali Berisha ka vetëidentifikuar adresën M. Matohiti, Ndërtesa 36, Hyrja 1, Nd. 036, Njësia  Adminsitrative nr. 2, Tiranë. E njëjta adresë rezulton edhe nga çertifikata personale e tij e datës  13.10.2023 dhe në deklaratën e pasurisë me datë dorëzimi 31.03.2023.

 

Nga personi nën hetim nuk është paraqitur asnjë arsye që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e  gjykatave, dhe pretendimet që janë ngritur publikisht në lidhje me mendimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i R.Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk mund të justifikojnë moszbatimin e vendimeve gjyqësore përsa kohë nuk rezulton të jenë prishur apo ndryshuar nga ndonjë gjykatë më e lartë. Shteti funksionon në bazë të rregullave dhe pikërisht, legjislatori ka vendosur, që në respektim të të drejtave dhe lirive të personit, ai ka plotësisht të drejtën të ankohet ndaj vendimeve gjyqësore, por deri në ndryshimin apo prishjen e tyre, është i detyruar t’i zbatojë.

 

Edhe pretendimet që  janë ngritur në seancat e mëparshme qoftë në shkallë të parë ashtu edhe në apel, në lidhje me zbatimin e masave të sigurimit, kanë marrë përgjigje si nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ashtu edhe ajo e Apelit, duke u rrëzuar si të pabazuara.

 

Masat e sigurimit, hyjnë në kategorinë e atyre vendimeve gjyqësore, që janë menjëherë të zbatueshme dhe për  më tepër, gjendemi edhe në kushtet kur tashmë edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi këto masa sigurimi.

 

Mbështetur në sa më sipër, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 228, 229, 244, 231, 232, 237, 260, të K.Pr.Penale,  nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkohet pranimi i kërkesës sipas objektit të saj.

 

Në mbështetje sa sipër, prokurori paraqiti si provë aktet e mëposhtme: Vendimin Nr.112 Akti datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Vendimin Nr.56 datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Vendimin Nr.117 Akti datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Vendimin Nr.442 Akti datë 08.11.2023 të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Procesverbalet mbi mosparaqitjen e personit nën hetim Sali Berisha të datave 06.11.2023, 20.11.2023, 04.12.2023 dhe 18.12.2023; Praktika që lidhet me kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë së Posaçme në Kuvendin e Shqipërisë: shkresa me Nr. 16688 Prot. datë 12.12.2023, relacioni bashkalidhur; Shkresa me Nr. 3822/4 Prot, datë 12.12.2023 e Kuvendit të Shqipërisë; Praktika e ardhur nga Kuvendi me shkresën Nr.3822/7 Prot. Datë 21.12.2023, bashkëlidhur vendimi nr.127/2023 “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha si dhe raporti rekomandues i deputeteve të shumicës parlamentare si dhe raporti rekomandues i deputetit Enkelejd Alibej; Certifikatën personale të datës 13.10.2023 prë shtetasin Sali Berisha; Prokurën e posaçme Nr. 2814 Rep. Nr. 990/1 Kol datë 24.10.2023; Prokurën e posaçme Nr. 2815 Rep. Nr. 991/3 Kol datë 24.10.2023; Kopje të deklaratës së pasurisë datë dorëzimi 31.03.2023 të shtetasit Sali Berisha.

Personi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet mbrojtësve të zgjedhur me prokurë të posaçme, në thelb të pretendimeve të veta parashtroi:

Prokuroria pretendon se z. Berisha nuk ka respektuar vendimin e gjykatës për t’u paraqitur të hënën e parë dhe të tretë të muajit përpara oficerit të policisë gjyqësore. Në këto kushte organi akuzës paraqet kërkesën për zëvendësimin e masave me masën arrest në shtëpi.

Sipas mbrojtjes, kjo kërkesë është e pabazuar dhe e pambështetur në ligj dhe në prova dhe si e tillë duhet të rrëzohet. Organi i akuzës pretendon vetëm formalisht shkelje të detyrimeve të vendosura me vendimin e gjykatës dhe përpiqet të justifikojë zëvendësimin e masave duke u nisur vetëm dhe nga ky aspekt kur ndërkohë ligji procedurial në asnjë rast nuk niset dhe nuk justifikon zëvendësimin e masave vetëm dhe ekskluzivisht nga një mospërmbushje formale. Ndërkohë ligji procedurial në mënyrë taksative përdor dhe vlerëson kritere të ndryshme. Në nenin 231 K.Pr.Penale, ligjvënësi përdor termin “mund” çka do të thotë që jo automatikisht çdo mospërmbushje e detyrimeve që lidhet me një masë sigurimi çon automatikisht në zëvendësim. Së dyti, ligjvënësi kërkon detyrimisht nga organi akuzës dhe sidomos gjykata, që në kuadrin e diskrecionit të mësipërm të mbajë në konsideratë rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Pra diskrecioni i mësipërm nuk është i pakontrolluar por rrjedhojë e arsytimit dhe argumentimit të rëndësisë motiveve dhe rrethanave të shkeljes.

Sipas mbrojtjes, motivi i shkeljes së pretenduar nuk lidhet me mosrespektimin e vendimmarrjeve të gjykatave, por me antikushtetueshmërinë e procesit të caktimit të masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’ u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Dy janë shkaqet që sipas gjykatës kanë justifikuar caktimin e masave të sigurimit, që sot kërkohet të zëvendësohen. E para, pretendohet se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës dhe e dyta, ekziston rreziku që personi nën hetim të largohet. Asnjë nga këto dy shkaqe nuk është shkelur nga i hetuari Berisha.

Nuk ka asnjë provë nga ana e organit të akuzës, se z. Berisha gjatë kësaj periudhe, pra që nga caktimi i këtyre masave e deri më sot, të ketë ndërrmarrë ndonjë veprim të asaj natyre që të vënë në rrezik marrjen apo vërtetësinë e provës. Gjithashtu nuk ka asnjë provë nga ana e organit të akuzës, se z. Berisha gjatë kësaj periudhe, pra që nga caktimi i këtyre masave e deri më sot, të ketë ndërrmarrë ndonjë veprim për t’u larguar dhe për pasojë mos të jetë në dispozicion të organit procedues gjatë hetimeve. Madje, nëse merret në konsideratë standarti i vendosur nga vetë gjykata, mbi deklarimet publike të z. Berisha, rezulton krejt e kundërta. Z. Berisha në çdo rast është shprehur se do të jetë në dispiozicion të organit procedues sa herë të kërkojë të pyetet apo në çdo rast për të kontribuar në zbardhjen e të vërtetës.

Nëse organi akuzës, me gjithë këmbënguljen e mbrojtjes për të paraqitur prova për të justifikuar dhe provuar përpara gjykatës, së pari rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes sikurse ligji e detyron dhe së dyti domosdoshmërinë thelbësore të ndryshimit të masës, atëherë dukshëm dhe hapur rezulton bindshëm se arsyet nuk janë ligjore por insinuata politike në dëm të liderit të opozitës në vend për shkak të aktivitetit të tij politik dhe aksionit përshkallëzues politik të opozitës.

Përveç faktit që organi i akuzës do të duhej të vërtetonte përpara gjykatës se motivet dhe rëndësia e shkeljes së pretenduar justifikojnë dhe përligjin zëvendësimin e masave do të duhej gjithashtu në përmbushje të detyrimit ligjor të parashikuar në nenin 231 K.Pr.Penale të argumentonte rrethana të tjera të shkeljes së pretenduar të asaj natyre që të legjitimojnë zëvendësimin e masave me një masë më të rëndë si ajo e arrestit në shtëpi.

Nga ana e mbrojtjes theksohet se janë  caktuar dy masa sigurimi personale shtrënguese. Në lidhje me masën “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” absolutisht e respektuar në pikëpamje thelbësore dhe formale. Në lidhje me masën “Detyrimi për t’ u paraqitur në policinë gjyqësore” duhet të theksojmë se kjo masë ka për qëllim që organi i akuzës të garantojë moslargimin e personit dhe të vërtetojë se personi nën hetim nuk do të largohet por vullnetarisht nëpërmjet paraqitjes vërteton se nuk ka synim për t’ u larguar dhe për t’ju fshehur hetimit. Në këtë aspekt edhe kjo masë absolutisht e respektuar nga z. Berisha.

Pavarësisht pretendimeve të SPAK për moszbatimin e masës shtrënguese personale “Detyrim për t’ u paraqitur në policinë gjyqësore”, kjo masë asnjëherë nuk i është komunikuar, dhe për pasojë nuk është zbatuar në përputhje me nenin 246 K.Pr.Penale.

Në lidhje me zbatimin e nenit 260 K.Pr.Penale, pretendohet se nuk ka rëndim të nevojave të sigurimit, që lidhen me shkeljen e detyrimeve që lidhen me masën e sigurimit, të cilat detajohen në nenin 231 K.Pr.Penale. Kemi të bëjmë me një hetim tre vjeçar dhe asnjëherë nuk është thërritur për t’u pyetur z. Berisha. Kemi të bëjmë me një periudhë mbi dy mujore nga caktimi i masave të sigurimit dhe asnjë përpjekje e organit të akuzës për të thërritur dhe pyetur z. Berisha.

Kërkesa në vetvete për dhënien e autorizimit për arrestimin e Z. Berisha dhe vendimi i nxjerrë nga Kuvendi i Shqipërisë nr. l 27 /2023 është bazuar vetëm mbi arsye politike dhe nuk kanë asnjë mbështetje dhe bazë ligjore, që të justifikojnë dhënien e autorizimit nga Kuvendi.

Nga ana e mbrojtjes, në thelb pretendohet gjithashtu se vendimi nr. 127/2023 i Kuvendit të Shqipërisë “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit nepërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit” është antikushtetues dhe si i tillë duhet të vlerësohet nga kjo gjykatë si mungesë e kushtit të domosdoshëm procedurial për të vijuar me gjykimin e zëvendësimit të masave. Vendimi i sipërcituar i Kuvendit është antikushtetues, për vetë faktin se nuk është zbatuar dhe është shkelur Rregullorja e Kuvendit, qoftë në Këshillin e Mandateve qoftë në seancën plenare.

Në mbështetje të sa më sipër, nga ana e të hetuarit Sali Berisha, nëpërmjet mbrojtësve të tij, kërkohet: Rrëzimi i kërkesës për zëvendësimin e masave të sigurimit personal shtërngues, “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” me masën e sigurimit personal shtrëngues “arrrest në shtepi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim z. Sali Berisha”

Ligji i zbatueshëm dhe konkluzionet e gjykatës

 

Neni 231 i Kodit të Procedurës Penale me titull “Zëvendësimi ose bashkimi i masave të sigurimit personal” parashikon se: “1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”.

 

Neni 260 i Kodit të Procedurës Penale me titull “Revokimi, zëvendësimi dhe bashkimi i masave të sigurimit”  parashikon se: 1. “Masat shtrënguese dhe ndaluese revokohen menjëherë kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre”.2. “Kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë.3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen apo personi shkel detyrimet që lidhen me masën e sigurimit, gjykata, me kërkesë të prokurorit, mund të vendosë zëvendësimin e saj me një masë më të rëndë ose caktimin e një mase sigurimi shtrënguese ose ndaluese shtesë. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë caktimin e një mase ndaluese shtesë ose zëvendësimin e saj me një masë shtrënguese. 4. Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokimin, zëvendësimin ose bashkimin e masave të sigurimit shqyrtohet nga gjykata ku ndodhen aktet, brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti, gjykata vendos edhe kryesisht revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit gjatë marrjes në pyetje të personit të arrestuar, sipas nenit 248, të këtij Kodi, në rastet e parashikuara nga paragrafi 6, i nenit 246, të tij, gjatë procedimit për sigurimin e provës, gjatë seancës paraprake ose gjatë gjykimit.

 

Nga aktet dhe provat e shqyrtuara gjatë gjykimit, rezultuan të provuara rrethanat e mëposhtme:

 

1.Me vendimin nr.112, datë 20.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjyqtari i hetimit paraprak, ka disponuar ndër të tjera, si më poshtë vijon: “I.Pranimin e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar….2.Caktimin  e masës së  sigurimit  personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal…”

2.Në vijim, me vendimin nr.117, datë 26.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, gjyqtari i hetimit paraprak, ka disponuar ndër të tjera, si më poshtë vijon:  “1. Vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal; 2.1. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të Hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; 2.2. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale; 2.3. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha; 3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai…”

 

3.Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, ka vendosur ndër të tjera miratimin e vendimit nr. 112 datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organziuar  të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023 të së njëjtës gjykatë, ndaj ankuesit Sali Berisha.

4.Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se shtetasi nën hetim Sali Berisha, nuk ka përmbushur detyrimet e tij që vijnë si rezultat i zbatimit dhe respektimit të vendimeve të mësipërme të gjykatës, me nr.112, datë 20.10.2023 dhe 117, datë 26.10.2023. Konkretisht:

 

4.1. Referuar proces verbaleve datë 06.11.2023, 20.11.2023, 04.12.2023, 18.12.2023 të mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore/hetuesi, para të cilit duhet të paraqitej personi nën hetim Sali Berisha, rezulton se ky i fundit, nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur asnjëherë para policisë gjyqësore.

 

4.2.Në zbatim të neneve 289, 231 dhe 260 të K.Pr.Penale, me kërkesën nr. 16688 prot datë 12.12.2023 dhe relacionin e datës 11.12.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i është drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë duke kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit, personit nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, i cili me vendimin nr. 127 datë 21.12.2023 ka vendosur: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.2.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

 

Pa u ndaluar në mënyrë të hollësishme lidhur me faktet penale që i atribuohen personit nën hetim Sali Berisha, nga të dhënat më sipër në rastin konkret, paraprakisht gjykata arsyeton se vijon të ekzistojë mbi të hetuarin Sali Berisha “dyshimi i arsyeshëm”  i bazuar në prova (fumus commisi delicti), kushti bazë për caktimin e masave të sigurimit (neni 228 pika 1 i Kodit të Procedurës Penale), se ai është autor i veprës penale për të cilën dyshohet, atë të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

 

Kur ekzistojnë kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal, zëvendësimin apo revokimin e tyre, gjykata duke marrë parasysh në tërësi rrethanat e çështjes si dhe duke shqyrtuar dhe evidentuar nevojat e sigurimit, duhet të individualizojë llojin e masës së sigurimit më të përshtatshme në raport me shkallën e nevojave të sigurimit.

Nevojat e sigurimit përcaktohen e çmohen në rradhë të parë nga organi i akuzës, të cilit ligji i ka dhënë një diskrecion të gjerë lidhur me këtë aspekt të rëndësishëm procedurial të hetimit, për përcaktimin e masës së përshtatshme të sigurimit për personin nen hetim. Këtu mbajmë parasysh parashikimet e nenit 244 të K.Pr.Penale, sipas së cilit: “1. Masat e sigurimit vendosen me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa. Vendimi merret në dhomë këshillimi dhe jepet i arsyetuar; 2. Edhe kur gjykata deklaron moskompetencën e vet për çdo lloj shkaku, në qoftë se janë kushtet dhe ekziston urgjenca për marrjen e masës ajo vendos marrjen e saj dhe i dërgon aktet gjykatës kompetente; 3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori”

Sipas këtij normimi është prokurori, i cili, mbasi ka vlerësuar në mënyrë të njëanshme se në ngarkim të personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për një vepër të caktuar penale ekziston dyshimi i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale, duke pasur parasysh kushtet dhe kriteret që parashikon Kodi i Procedurës Penale, në nenet 228 e vijues të tij, paraqet kërkesë para gjykatës që të caktojë një masë sigurimi personal, me qëllim që të garantojë nevojat e sigurimit. Në këtë rast gjykata verifikon nëse ekzistojnë realisht nevojat e sigurimit dhe nëse ekzistojnë kushtet për caktimin e masës së sigurimit personal dhe duke verifikuar rrethanat faktike përcakton llojin e masës së sigurimit në përputhje me kriteret ligjore, me kushtin e vetëm që masa të mos jetë më e rëndë se ajo që kërkohet nga prokurori.

Në këtë fazë të hetimit penal, roli i gjyqtarit të hetimit paraprak lidhet ndër të tjerë dhe me ligjshmërinë e kërkimit të prokurorit për caktimin e masës së sigurimit, zëvendësimin apo revokimin e saj. GJEDNJ në praktikën e saj, në çështjen McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar ka arsyetuar se “ …Kontrolli fillestar automatik që ka të bëjë me arrestimin apo ndalimin duhet të lejojë shqyrtimin e çështjeve të rregullshmërisë dhe njohjen e ekzistencës së arsyeve të mundshme/të besueshme për të dyshuar se personi i arrestuar ka kryer një vepër penale, domethënë nëse paraburgimi përfshihet nga përjashtimet e autorizuara të listuara në nenin 5 § 1 c)…Kontrolli gjyqësor gjatë paraqitjes së parë të personit të arrestuar duhet, para së gjithash, të jetë i shpejtë sepse ai duhet të bëjë të mundur zbulimin e ndonjë keqtrajtimi ose të minimizojë çdo cenim të pajustifikuar të lirisë individuale. Afati i ngushtë kohor që imponohet nga kjo kërkesë nuk lë aspak vend për fleksibilitet në interpretim, përndryshe kjo gjë do të deformonte garancinë procedurale që ofrohet nga ky nen, në kurriz të individit, dhe do të rezultonim në pasoja që do të ishin në kundërshtim ndaj vetë thelbit të së drejtës së mbrotjur prej tij”.

Po kështu, GJEDNJ ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme mjaftueshmërinë e një justifikimi dhe arsyetimi të përshtatshëm për sa i përket paraburgimit, apo arrestit në shtëpi .

Kështu, lidhur me ekzistencën e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, GJEDNJ në praktikën e saj është shprehur se risku i ndërhyrjes në procesin e drejtësisë është një shqetësim i ligjshëm për të gjithë personat e përfshirë në ushtrimin e drejtësisë dhe se kjo përbën një arsye të mundshme për të vazhduar masën e heqjes së lirisë së dikujt. Megjithatë, mundësitë nuk duhet të bazohen in abstracto .

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin nr.489, datë 12.12.2000 është shprehur se “…Masa e sigurimit nuk është dënim penal që të përdoret si masë ndëshkuese për personin që dyshohet se ka kryer një vepër dhe nga ana tjetër nuk jepet për të lehtësuar punën e organit të prokurorisë në hetimin e një çështje penale. Masa e sigurimit aplikohet për shkaqe dhe kritere të përcaktuara në mënyrë të qartë në nenet 229 dhe 230 të K.Pr.Penale…”

Për sa më sipër, masat e sigurimit personal, caktimi, zëvendësimi apo revokimi i tyre, lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me procedimin penal: i.parandalimin e veprimtarisë së mëtejshme kriminale të personit që dyshohet se ka kryer një vepër penale; ii.pengimin e shmangies së personit të dyshuar nga hetimi; iii. si dhe ndalimin e përpjekjeve që mund të bëjë i hetuari për të vënë në rrezik marrjen e provave apo vërtetësinë e tyre.

Në kuadër të parimit të përshtatshmërisë së masave të sigurimit, ligji procedurial penal ka sanksionuar faktin që në rast të shkeljes së detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i masave të sigurimit, nga personi nën hetim ndaj të cilit ato janë marrë, gjyqtari mund të vendosë zëvendësimin e masës së sigurimit ose bashkimin e saj me një masë më të rëndë. Kjo mundësi që lihet nga ligji në diskrecion të gjyqtarit, lidhet me faktin se ndaj një të hetuari duhet të caktohet masa e sigurimit më e përshtatshme. Por jo çdo shkelje e kryer nga i hetuari mund të përbëjë shkak për zëvendësimin e masës së sigurimit apo bashkimin e saj me një masë tjetër më të rëndë, por vetëm ato shkelje të cilat për shkak të karakteristikave të tyre objektive dhe subjektive, janë të tilla që e bëjnë të papërshtatshme masën e sigurimit të vendosur më parë.

GJEDNJ thekson se autoritetet duhet të respektojnë, kërkesat e parashtruara në ligjin e brendshëm, gjatë procedimeve në lidhje me arrestin  . Duke qenë se i takon autoriteteve vendase, më konkretisht gjykatave, që të interpretojnë dhe zbatojnë ligjin e brendshëm, përderisa mosrespektimi i ligjit të brendshëm passjell një shkelje të Konventës sipas nenit 5, paragrafi 1, atëherë, Gjykata, mund  dhe duhet të ushtrojë një autoritet të caktuar për të shqyrtuar një pajtim të tillë . Konventa i referohet kryesisht ligjit vendas, por gjithashtu ajo kërkon që çdo masë e cila privon individin nga liria e tij të jetë në pajtim me qëllimin e nenit 5, më konkretisht, të mbrojë individin nga arbitrariteti .

Në çështjen konkrete objekt shqyrtimi, rezulton se shtetasi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të qëllimshme, nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedurial penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit. Pretendimet e shtetasit nën hetim Sali Berisha lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre, e cila eventualisht ka formuar mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, por në çdo rast, bazuar në rregullat e normuara të procedurës penale, ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë. Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme  që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e  gjykatës. Pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me  argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë.

Mirëpo së bashku me kushtin “dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova”, për të vijuar zbatimi i një mase sigurimi personal, kërkohet të vijojnë gjatë gjithë kohëvazhdimit të një mase sigurimi, ekzistenca edhe të paktën një prej kushteve të veçanta, të parashikuara nga neni 27, gërma “c” i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe neni 228, pika 3 i Kodit të Procedurës Penale: a) ekzistenca e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; b) largimi i të pandehurit ose rreziku që ai të largohet; rreziku që i pandehuri; c) për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të tij, mund të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

 

Pika 3 e nenit 228 të K.Pr.Penale, vendos kushte të cilat nuk janë domosdoshmërisht kumulative për t’u plotësuar, megjithatë edhe mund të ekzistojnë njëherazi, por mjafton ekzistenca e njërës prej tyre që të nxjerrë në konkluzion gjykatën se jemi para një rasti të ligjshëm për të caktuar një masë sigurimi personal.

Kjo pikë parashikon  se: Masat e sigurimit personal vendosen:

a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen e provës;
b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet;
c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”.

 

Ndërkohë që nga leximi i nenit 228 të KPP, nëse mungon njëri prej kushteve të parashikuara nga ky nen nuk mund të caktohet asnjë masë sigurimi, pavarësisht nëse ajo është e lehtë apo e rëndë.

Nevojat e sigurimit, lidhur me secilin nga këto momente mund të ndryshojnë, duke bërë të nevojshëm dhe të detyrueshëm përshtatjen e masës së sigurimit me nevojat e reja, gjithnjë në zbatim të parimit të kufizimit të lirive të të drejtave themelore të njeriut, në përpjestim me gjëndjen që e ka diktuar atë dhe të parimit kushtetues “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë” (neni 30).

 

Në lidhje me sa sipër, Vendimet  e GJEDNJ-së kanë mbajtur standardet  se “në rast se kushti i parë është lehtësisht i vlerësueshëm, pra dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi i dyshuar mund të ketë kryer një krim, rreziku i ikjes kurrsesi nuk duhet të jetë abstrakt dhe hipotetik” . GJEDNJ-ja ka theksuar se, “për të përcaktuar nëse ka rrezik ikje apo jo është e nevojshme që të bëhet një vlerësim objektiv i përgjithshëm duke shqyrtuar të gjithë faktorët përkatës si ato pozitivë ashtu dhe ata negativë.   Rreziku i ikjes nuk mund të bazohet, në faktin e ashpërsisë së dënimit të veprës penale të dyshuar të kryer nga i personi kundër të cilit procedohet, ajo mund të vlerësohet në lidhje me disa faktorë të cilat së bashku krijojnë mundësinë e rrezikut të ikjes”. Në këtë kontekst, duhet të vlerësohet duke iu referuar disa faktorëve të tjerë të rëndësishëm, si veçanërisht, “karakteri i personit, morali i tij, shtëpia, profesioni, pasuria, lidhjet familjare dhe të gjitha lidhjet e tij me shtetin ku ai po ndiqet penalisht, si dhe lidhjet e tij ndërkombëtare”   .

 

Gjykata, në raport me kërkesën, çmon të ndalet në kriteret e nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, dhe vlerëson se në rastin konkret, nevojat e sigurimit vijojnë të jenë në të njëjtin stad, por duke qenë se nga ana e të hetuarit Sali Berisha, në mënyrë të përsëritur, janë shkelur detyrimet lidhur me zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara nga gjykata,  në raport me parashikimet e nenit 228 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, jemi para kushteve kur duhet të zëvendësohen masat e sigurimit të dhëna, me një masë tjetër më të rëndë. Konkretisht, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”  parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duhet të zëvendësohen me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

 

Referuar rrethanave më sipër gjykata vlerëson se nevojat e sigurimit në ngarkim të të hetuarit Sali Berisha, lidhur me rrezikun e dëmtimit të provave për sqarimin e fakteve penale, janë të tilla që të justifikojnë masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, pasi çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve dhe nga ana e prokurorisë duhet të kryhen ende veprime hetimore dhe proceduriale në funksion të këtij hetimi. Për faktin e ndodhur  po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit dhe për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë shtetasi nën hetim  Sali Berisha në kohën e kryerjes së veprës penale, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por edhe funksionit të tij aktual si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shtetasi nën hetim i lartpërmendur, për shkak të marrdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit të funksioneve të mësipërme dhe influencave që mund të ketë tek persona të tjerë, vijon të ekzistojë mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që  vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në jurisprudencën e saj ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme mjaftueshmërinë e një justifikimi dhe arsyetimi të përshtatshëm për sa i përket paraburgimit. GjEDNj-ja në një sërë rastesh ka deklaruar se arsyetimi i gjykatave vendëse do të konsiderohet gjithmonë i papërshtatshëm nëse është “abstrakt” ose “i bazuar në stereotipe” (çështja “Clooth kundër Belgjikës”, GJEDNJ 12.12.1991; çështja Yagci dhe Sargin kundër Turqisë; GJEDNJ 23.05.1995); Për sa i përket diskutimit të rrezikut të largimit, GjEDNj-ja gjithashtu ka theksuar se ai nuk mund të matet vetëm në bazë të ashpërsisë së dënimit të mundshëm që personi rrezikon, por duhet të vlerësohet duke iu referuar disa faktorëve të tjerë të rëndësishëm, si veçanërisht, karakteri i personit, morali i tij, shtëpia, profesioni, pasuria, lidhjet familjare dhe të gjitha lidhjet e tij me shtetin ku ai po ndiqet penalisht, si dhe lidhjet e tij ndërkombëtare (Çështja “Neumeister kundër Austrisë”, GjEDNj, 27 qershor 1968, para. 10; çështja “Smirnova kundër Rusisë”; çështja “Letellier kundër Francës”, GjEDNj, 26 qershor 1991, para. 43).

Në lidhje me rrezikun e ikjes, Gjykata patur parasysh rrethanat që kanë të bëjnë karakterin e personit nën hetim, ndikimin që mund të ketë qoftë në institucione shtetërore (lidhur me administrimin e provave shkresore), por edhe tek dëshmitarët, llojin e veprës penale që dyshohet të ketë kryer dhe sanksionin që parashikohet për këtë vepër penale, personalitetin e tij, që lidhet pikërisht me moszbatimin e vendimeve të gjykatave, lidhjet me persona me influencë, si dhe duke marrë në konsideratë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal, parë dhe në këndvështrim të jurisprudencës së GJEDNJ, sa i përket diskutimit të rrezikut të largimit, në raport me faktin penal për të cilin ai dyshohet, çmon se këto rrethana vijojnë të jenë ende ekzistuese.

Masa e sigurimit nuk është një mjet për të ndihmuar organet e drejtësisë në zhvillimin e hetimeve, por ato jepen kur ekzistojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj, kësisoj, qëndrimi i shtetasit nën hetim Sali Berisha, në mosrespektim të urdhërimeve të gjykatës të përcaktuara në vendimin e caktimit të masave të sigurimit ndaj tij, i shoqëruar me ekzistencën e kushteve dhe kritereve të përgjithshme dhe të veçanta të normuara në nenin 228 të K.Pr.Penale, të analizuara më sipër, justifikon zëvendësimin e masave të sigurimit personal të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, me masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.P.Penale, kjo në kuadër edhe të një gjykimi objektiv e të shpejtë të çështjes.

Në vijim të trajtimit më sipër, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ka vlerësuar se për çdo periudhë paraburgimi, pavarësisht sa e shkurtër të jetë ajo, autoritetet jo vetëm duhet të parashtrojnë përpara gjykatës motive të besueshme që e justifikojnë caktimin e saj, por dhe të justifikojnë nevojën për vijimin e masës, duke lënë të hapur rrugën e zëvendësimit të masës ekstreme me masa të tjera sigurimi të përshtatshme me nevojat eventuale.

Në praktikën e saj, lidhur me nenin 5 të Konventës, që parashikon të drejtën për liri, është mbajtur qëndrimi se përdorimi i formave të shtrëngimit më të fortë, sidomos asaj të “arrest në burg”, konsiderohet e lejuar vetëm kur kërkesat apo nevojat proceduriale nuk mund të jenë të kënaqura nëpërmjet masave më pak të mprehta. Zgjidhja ekstreme, pra masa e sigurimit “arrest në burg”, justifikohet vetëm kur të gjitha opsionet e tjera janë të pamjaftueshme (vendimet datë 2 korrik 2009 Vafiadis kundër Greqisë, dhe datë 8 nëntor 2007, Lelievre kundër Belgjikës).

 

Duke marrë parasysh funksionin e të hetuarit Sali Berisha, si politikan, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, referuar opinionit Nr. 18 (2015) të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, mbi pozicionin e gjyqësorit dhe lidhjen e tij me pushtetet e tjera të Shtetit, citohet se “Politikanët duhet të tregojnë përmbajtje dhe të mos përfitojnë nga pozita e tyre dominuese e mundshme në institucionet shtetërore për të heshtur kritikat, veçanërisht duke përdorur procedurat civile ose penale kundër kritikëve; këto procedura në mënyrë të pashmangshme kanë efekte prapësuese në vullnetin e njerëzve dhe të mediave për të shprehur pikëpamjet për çështje me interes publik…Politikanët duhet që në parim, të ruajnë besimin e popullit në institucionet demokratike dhe të shmangin përdorimin e argumenteve demagogjike kundër vendimeve të gjykatave, sulmojnë gjyqtarë individualë ose inkurajojnë mosbindje ndaj vendimeve gjyqësore…”

GJEDNJ ka theksuar se mbrojtja e shtuar nga e cila përfiton fjalimi politik në një shoqëri demokratike, gjithashtu rrit detyrat dhe përgjegjësitë. Kështu, ashtu si politikanët në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije dalin në mënyrë të hapur për shqyrtimin e fjalëve dhe veprimeve  të tyre nga gazetarët dhe publiku në përgjithësi, ata duhet të shfaqin një shkallë më të madhe të tolerancës . Politikanët, duke përdorur të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes, shpesh mund të bëjnë deklarata publike që janë të ndjeshme ndaj kritikës  ose synojnë të jenë provokuese dhe të ngjallin reagime të forta .

Për sa më sipër, gjykata çmon të nënvizojë diferencimin midis funksionit të të hetuarit Sali Berisha, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë ( e në këtë kuadër dhe lirisë së shprehjes politike të tij) dhe pozitës së tij proceduriale në këtë proces penal, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal.

Megjthatë, fjalimet politike, edhe kur mbrohen nga neni 10 i KEDNJ  , mund të kufizohen në përputhje me paragrafin e dytë të kësaj dispozite, sipas të cilit mund të vendosen kufizime në lirinë e shprehjes  në rastin kur ato janë të përcaktuara me ligj dhe të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike ose për mbrojtjen e reputacionit ose të drejtave të të tjerëve. Ndërkohë që GJEDNJ ka konstatuar vazhdimisht se ka pak hapësirë për kufizime në fjalimet politike apo debatin e çështjeve me interes publik  duke theskuar  se:“…toleranca dhe respekti për dinjitetin e barabartë të të gjithë qenieve njerëzore përbëjnë themelet e një shoqërie demokratike, pluraliste. Duke qenë kështu, në parim, mund të konsiderohet e nevojshme në disa shoqëri demokratike të sanksionohen apo edhe të parandalohen të gjitha format e shprehjes që përhapen, nxisin ose justifikojnë urrejtjen e bazuar në intolerancë, me kusht që ‘formalitetet’, ‘kushtet’, ‘kufizimet’ ose ‘gjobat’ e vendosura janë në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur” .

 

Gjykata rithekson gjithashtu se duhet të merret parasysh nevoja për vendosjen e ekuilibrit të duhur midis interesave të ndryshme të përfshira. Për shkak të kontaktit të tyre të drejtpërdrejtë, të vazhdueshëm me realitetin e vendit, gjykatat e një shteti janë në një pozitë më të mirë se çdo gjykatë ndërkombëtare për të përcaktuar se si, në një kohë të caktuar, mund të vendoset një balancë e drejtë. Për këtë arsye, në çështjet sipas nenit 10 të Konventës, shtetet kontraktuese kanë një kufi të caktuar vlerësimi për të përcaktuar nevojën dhe qëllimin e çdo ndërhyrje në lirinë e shprehjes të mbrojtur nga ky nen .

 

Duke iu rikthyer çështjes objekt shqyrtimi, caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, kërkuar nga prokurori, ndaj personit nën hetim Sali Berisha, për shkak të vetë karakteristikave që kjo masë sigurimi paraqet, por edhe mënyrën e zbatimit të saj, lidhet pazgjidhmërisht edhe më ndalimin e komunikimit, si kufizim i së drejtës së shprehjes. Argumenti i mësipërm është i vlefshëm në çdo rast të caktimit të kësaj mase dhe nuk lidhet në mënyrë të domosdoshme më lirinë politike të shprehjes, ashtu si në rastin konkret, megjithëse në këtë të fundit, kjo cilësi përkon.

Lidhur me pretendimet e kërkuesit se arsyet e caktimit ndaj tij të masës së sigurimit personal shtrëngues, nuk janë ligjore por insinuata politike në dëm të liderit të opozitës në vend për shkak të aktivitetit të tij politik dhe aksionit përshkallëzues politik të opozitës, gjykata çmon se ato janë vlerësime subjektive dhe aspak të bazuara. Kufizimet e lirisë së shtetasit nën hetim Sali Berisha, janë aplikuar konform të gjitha rregullave  proceduriale, mbi ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale për të cilën dyshohet, si dhe kushteve dhe kritereve të përgjithshme e të veçanta për caktimin e masave të sigurimit dhe nuk lidhet me asnjë nga arsyet e pretenduara nga ana e kërkuesit.

Në çështjen Melia kundër Gjeorgjisë (07 Shtator 2023) GJEDNJ është shprehur ndër të tjera se është pajtuar me arsyetimin e gjykatave gjeorgjiane gjatë vijimit të hetimit penal, se materiali në dispozicion në dosjen e lëndës kishte mbështetur një “dyshim të arsyeshëm”, brenda kuptimit të  nenit 5 të Konventës, se z. Melia mund të kishte kryer një vepër penale. Arsyet për caktimin ndaj tij të masave parandaluese, lidheshin pikërisht me parandalimin e arratisjes së tij, ndërhyrje në prova, apo kryerje të veprave penale,  arsye këto të argumentuara tërësisht në vendimet gjyqësore të 27 qershorit dhe 2 korrikut 2019. Ligji përkatës kombëtar parashikonte kalimin nga gjendja e lirë (duke qenë në dispozicion të hetimit dhe me garanci pasurore) në paraburgim, në situatat e moszbatimit të kërkesave të kësaj gjendje. GJEDNJ  e ka cilësuar të arsyeshëm konkluzionin e gjykatës, bazuar në elementë të ndryshëm të përfshira në arsyetimin e kësaj të fundit, se rreziqet e përmendura në vendimet e datës 27 qershor dhe 2 korrik 2019 vazhdonin ende të vijonin, duke justifikuar konvertimin e gjendjes së lirë (me garanci) në paraburgim. Ky ndalim ishte urdhëruar si mjeti i fundit, pasi nga ana e z.Melia, ishte evidentuar një refuzim i qartë për të zbatuar urdhrin për dorëzani dhe vetëm pas afatit kohor për të depozituar rritjen shuma e garancisë kishte skaduar. Gjykata ka theksuar se  megjithëse sjellja e z. Melia vendoset më gjerë, brenda një konteksti politik në dukje të tensionuar në vend në atë kohë, statusi i tij si politikan dhe e drejta e tij për lirinë e shprehjes, ai në vend që të përballet me pasojat ligjore për moszbatimin e urdhrit të lirimit (me garanci), kishte pritur që masa parandaluese do të anulohej Megjithatë, Gjykata konstatoi se një interpretim i tillë i Ligjit Nacional dhe Konventës nuk ishte në përputhje me frymën e Konventës dhe parimin e sundimit të ligjit në bazë të nenit 5 § 1 dhe nuk gjeti shkelje të atij neni.

 

Në mënyrë të ngjashme në çështjen objekt gjykimi, gjykata mbështetur në aktet dhe provat e dosjes, ka theksuar ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se i hetuari Sali Berisha ka konsumuar elementët e veprës penale për të cilën dyshohet, ajo e parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe ekzistencën e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta, të argumentuara më sipër, për caktimin e një masë sigurimi. Qëndrimi i kërkuesit mbi sulme personale me natyrë politike të kryera ndaj tij nuk qëndron. Shtetasi nën hetim Sali Berisha dyshohet për kryerjen e një vepre penale në bashkëpunim me shtetas të tjerë, për të cilët gjithashtu janë caktuar masa sigurimi personal në funksion të garantimit të nevojave të sigurimit. Madje në caktimin e masave të sigurimit fillestare, gjykata nuk ka cënuar të drejtën e lirinë e shprehjes së të hetuarit, qoftë kjo dhe politike, në ushtrim të funksioneve të të hetuarit me karakter politik. Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se ka qenë pikërisht ky i fundit i cili nuk ka zbatuar në mënyrë të qëllimshme urdhërimet e gjykatës, duke mos përmbushur kështu detyrimet e tij në zbatim të këtij vendimi.

 

Si konkluzion, duke qenë: a) përpara shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen e provës; b) përpara kushteve që lidhen më “rrezikun e ikjes”; kushte këto të parashikuara nga neni 228/3  i KPP c) shkeljen nga ana e të hetuarit të detyrimeve të gjykatës që lidhen me zbatimin e vendimit të gjykatës për caktimin e masave të sigurimit, rrethanë kjo e parashikuar nga neni 260/3 i K.Pr.Penale, gjykata konkludon në zëvendësimin e masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar përkatësisht nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, me masën e sigurimit  “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për të hetuarin Sali Berisha.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata, bazuar në nenet 228, 229, 230, 231, 232, 233, 237, 249, 260/3, 466 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2.Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”  parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha,  i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

2.1. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.

3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

4- Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

5-Kundër këtij mund të bëhet ankim nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

 

U shpall në Tiranë, sot më datë 30.12.2023.

 

 

SEKRETARE                                                                                                GJYQTARE

BORA TOTOLAKU                                                                                    IRENA GJOKA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re