Pas gjobitjes dhe presionit të ushtruar ndaj Televizionit Ora, kanë reaguar dy shoqata për mbrojtjen e gazetarëve, për të shprehur solidaritetin me gazetarët e këtij televizioni.

Ditën e sotme, “Tv Ora”, njoftoi se ISHSH ka marrë vendim për mbylljen e aktivitetit të këtij televizioni, pasi dy gjobave të vendosura më herët. Në mbrëmje, pati një tërheqje nga autoritetet dhe AMA njoftoi se nuk bëhet fjalë për mbyllje aktiviteti, por për paralajmërim. Megjithatë, gjobat e vendosura ndaj televizionet, duken selektive dhe jo proporcionale.

DEKLARATE SOLIDARITETI ME KOLEGET E RTV ORA

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë solidarizohen me kolegët e Radio Televizionit Ora, që po përballen me një akt selektiv për mbylljen e aktivitetit, me pretendimin e shkeljes së rregullave anti Covid në transmetimet televizive. Shoqatat tona e konsiderojnë këtë akt, një gjest selektiv, aspak në proporcion me dëmin e pretenduar, një keqpërdorim i pushtetit me pretekst epideminë, për të intimiduar mediat.

Një zell selektiv ndaj RTV Ora, që nuk u përdor në raste të ngjashme. Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm, që mund të përdoret edhe ndaj mediave kritike me qeverinë, edhe pse vendi është në fazën e lirimit të masave shtrënguese për shkak të Covid-19. Shqipëria është ndër vendet e rralla, ku masmedia nuk është ndihmuar aspak financiarisht nga qeveria, pavarësisht se kanë bërë të ditur vështirësi serioze financiare në kushtet e epidemisë së Covid.

Për pasojë ky zell selektiv për të ndëshkuar median është keqpërdorim i pastër i pushtetit, si dhe akt censure ndaj një medie kritike ndaj qeverisë. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bëjnë thirrje qeverisë të tërhiqet nga akti selektiv për mbylljen e RTV Ora, e të mos cënojë mediat, të cilat kanë qenë në linjën e parë të kësaj sfide edhe shqiptare, për të informuar qytetarët, pasqyruar situatën në terren e përcjellë mesazhet edhe të vetë qeverisë, pa asnjë lloj ndihme prej kësaj të fundit!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re