Presidenti i Republikës Ilir Meta komentoi në Abc News gjobën e policisë për thyerje të masave anticovid pas pjesëmarrjes në ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku. Meta i konsideroi lojëra, ndërsa u shpreh se maskën e vendos për të dhënë një shembull pozitiv në këtë situatë pandemie.

“Cila është thyerja e masës? Unë kam qenë i ftuar në ditëlindje. Di që restorantet janë të hapura. Shikoni se çfarë distance shembullore. As këto, as përzëniet nga e lojtarit të Kombëtares nga fusha e sportit ku ka derdhur gjak, Andi Lila, as marrëzitë që bëjnë budallenjtë e policisë me Kastriot Islamin nuk fshehin të vërtetat serioze, që kanë të bëjnë me mungesë të përgjegjshmërisë të qeverisë aktuale të cilës i bëj thirrje të reflektojë menjëherë, përpara se të përballet me pasoja dramatike”, – tha Meta.

“Unë jam një shembull i përgjegjshmërisë. Unë e mbaj maskën për të dhënë një mesazh për qytetarët. Gjoba? Nuk e di fare, as nuk kam një informacion të tillë” – tha Meta që u pyet edhe për pezullimin e gjashtë punonjësve të policisë.

“Të mos merremi me marifete koti, ato policë të bëjnë detyrën. Duhet ta dijë çdo Polic në Republikën e Shqipërisë se në rast se do të preket një votë dhe një polic do të jetë pjesë e kësaj vote, Presidenti nuk do të mbajë përgjegjësi nëse ato do të përfundojnë në këmbët e popullit si policët e Mubarak.

Gjoba le të vënë, s’ka problem, por po u prek një votë nga një polic, duhet ta kenë të qartë se do të përfundojnë në këmbët e popullit si policët e Mubarak. Shqipëria do të jetë shtet demokratik, i ftoj të gjithë të bëjnë detyrën dhe të mos i binden urdhrave të një të marri”, – tha Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re