Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli ka treguar penalitetet në rast të moszbatimit të protokollit anti-Covid nga qytetarët dhe bizneset.

Rakacolli evidentoi se është e detyrueshme mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, ndërsa u bëri apel qytetarëve që të rendin drejt qendrave të vaksinimit.

“Vazhdon do mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendrat tregtare, supermarketet, transport publik. Në të gjitha rastet kur nuk zbatohen masat do zbatohen penalitete.

Individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën 3 mijë lekë për herë të parë dhe në rast përsëritës 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e ISHP masa e penaliteteve shkon nga 100 mijë deri në 700 mijë. Bëjmë thirrje për rendje drejt vaksinimit që situata të përmirësohet”, tha Rakacolli.

Sot Komiteti Teknik vendosi që duke filluar nga 1 shtatori ora policore të shkojë nga 23:00 në 06:00 të mëngjesit.

Ndërsa u vendos po ashtu që qytetarët që do të hyjnë në Shqipëri duhet të paraqesin pasaporta vaksinimi ose test PCR negativ, brenda 72 orëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re