Policia Rrugore së fundmi ka nisur aplikimin e gjobave për këmbësorët, të cilëv shkelin rregullat e qarkullimit dhe rrezikojnë jetën.

I ftuar në studion e “7pa5” ishte këtë të martë Fadil Likaj, ekspert i sigurisë rrugore, i cili ishte i mendimit se gjobat për këmbësorët nuk duhet të jetë 10 mijë lekë të vjetra, por më shumë.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë, vetëm përmes frikës së gjobës do të ndërgjegjësohen më shumë për të zbatuar rregullat në rrugë.

“Rritje të aksidenteve të këmbësorëve janë në zonat urbane, sepse mendojnë se kanë të drejtë të kalojnë. Kodi e parashikon që nëse këmbësori e kalon rrugën jo në vijat e bardha, duhet ti japë përparësi mjetit dhe të tregojë kujdesin maksimal që duhet të ketë gjatë ndërprerjes së rrugës. Këmbësori do marrë masën 10 mijë lekë të vjetra dhe nëse shkon ta paguaj më herët dopaguaj 5 mijë lekë të vjetra. Por unë jam kundër kësaj. Mendoj që duhet gjobë më e lartë sepse shqiptarët kështu vënë mend”, tha Likaj.

Eksperti i sigurisë rrugore shtoi më tej se “Rruga e Elbasanit”, duke nisur nga rrethrrotullimi i Ekonomikut dhe deri tek rrethrrotullimi i Saukut është aksi më i rrezikshëm për jetën e qytetarëve.

“Rruga e Elbasanit ka pasur aksidente me vdekje. Këmbësorët e dëmtojnë shumë shoferin, duke i lënë dëme psikologjike sepse mund të përplasë për vdekje”, shtoi Likaj.

Sipas ekspertit, në Tiranë, ku po përqëndrohet pjesa më e madhe e popullsisë ka mungesë të mbikalimeve, duke shtuar se duhet një plan i ri urbanistik.

“Janë disa mbikalime por të pamjaftueshme. Popullsia ndryshon dhe duhet bërë një plan i ri. Vijnë nga zona rurale dhe qytete që nuk ka pasur numër të madh automjetesh dhe e kalojnë rrugën në të mirë të vetë”, tha Likaj.

Aplikimi i gjobës për këmbësorët sipas ekspertit është një masë që aplikohet edhe në vendet e Bashkimit Europian.

“Kodi rrugor e ka parashikuar që nëse një këmbësor do ndërpresë rrugën në një vend që nuk ka vija të bardha, duhej të ndëshkohet me gjobë. Policia nuk kishte gjetur një formë ligjore se si do arkëtohej. Së fundmi, gjetën një mekanizëm ndërgjegjësimi për këmbësorët. Kjo masë është e aplikuar ehde në vendet e BE. Në kushtet që shpesh herë ne kemi numrin e aksidenteve automjet-këmbësor, qytetarët janë të pandërgjegjësuar dhe kalojnë në akset që nuk janë për ta”, tha Likaj./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re