Është drejtori i Reporterëve Pa Kufij për zonën BE-Ballkan, Pavol Szalai, njëkohësisht përgjegjës i raportit të sintezës mbi Shqipërinë, që ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve tona. Përveç Shqipërisë ku trajtohet dhe rasti i mediave që nuk citohen në raport, kjo intervistë ndalet në çdo vend të zonës së Ballkanit jug-perëndimor duke përfshirë dhe rastin e veçantë të Greqisë, pa harruar së fundmi dhe Shba-të si demokracia më e madhe në botë por që ka dhe ajo vështirësi me lirinë e shtypit. Kjo nuk e ka penguar Sekretarin amerikan të Shtetit, Z. Antony Blinken të asistojë personalisht në prezantimin e Raportit kritik për SHBA-të të Reporterëve pa Kufij në Uashington, ndërkohë që në Tiranë, qeveria është shquar për indiferencën e saj.

Le të shërbejë kjo intervistë me Reporterët pa Kufij si një sinjal alarmi për autoritetet shqiptare. “Asnjë lider politik në Shqipëri nuk mund të jetë i kënaqur me pozicionin e vendit të tij”, thotë në këtë intervistë z.Pavol Szalai. Në indeksin botëror të lirisë së shtypit Shqipëria zë gjithmonë vendin e fundit në rajonin e saj dhe të parafundit në kontinentin europian.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD): Ne besojmë se reputacioni i RSF-së në Shqipëri nuk vihet në pikëpyetje. Përkundrazi, RSF është si një lloj busulle për të gjithë shtypin dhe për opinionin e gjerë publik shqiptar. Provë për këtë, është fakti se raporti i këtij viti u pasqyrua dhe u komentua shumë në mediat shqiptare, ndonëse qeveria shqiptare nga ana e saj nuk ka bërë asnjë koment. E megjithatë qeveria duket sikur i ka shpëtuar në këtë raport numërimit te disa rasteve të konsideruara si sulme flagrante ndaj mediave nga kolegët tanë gazetarë investigues të Birn Balkan Insight.

Në një artikull syresh të kohëve të fundit shpaloseshin në detaje gjobat qeveritare ndaj Oranews apo ndaj mediave te grupit Hysenbelliu si News24, BalkanWeb , Panorama. Po ashtu ndaj këtij grupi lajmet nga Shqipëria u kanë bërë një jehonë të madhe episodeve të shpërthimit me eksploziv tritol të disa pronave private pa vendim gjyqësor. Këto akte të ekzekutivit shqiptar janë interpretuar edhe si një mesazh kërcënimi ndaj të gjitha mediave që nuk rreshtohen në të njëjtën linjë me diskursin qeveritar. Në një paragraf të sintezës për Shqipërinë në raport, ju vërtetë citoni disa media si kryesore në Shqipëri, por mediat e sulmuara nuk përmenden përveç rastit të Top Channel. Na bëri përshtypje po ashtu se në krye të një liste të shkurtër me disa media kryesore në Shqipëri ju vini Radio Televizionin publik Shqiptar (RTSH). Publiku shqiptar ndoshta nuk e ka një perceptim të tillë për këtë media jo shumë të frekuentuar e cila mund të konsiderohet me të drejtë apo pa të drejtë si shtojcë e propagandës qeveritare.

Reporterët pa Kufij (RSF): Sintezat që botojmë në Raport për secilin vend nuk janë shteruese. Ne bëjmë një përmbledhje të gjendjes për të dhënë një ide mbi peizazhin mediatik të secilit vend. Po kështu edhe për Shqipërinë, fatkeqësisht nuk mund të japim listën e plotë të të gjitha mediave. Dua të theksoj se renditja jonë nuk është renditje e mediave, është renditje shtetesh. Mediat publike i vendosim sistematikisht në sintezën e situatës së një vendi sepse mediat publike financohen nga taksapaguesit dhe është e rëndësishme që ato thjeshtë meritojnë të përmenden. Ne nuk komentojmë për cilësinë apo peshën e që zënë mediat në çdo vend.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD): Të na falni që po ju ndërpresim , por është vetë raporti juaj që përdor termin “mediat kryesore në Shqipëri …”. Termi “ kryesore” a nuk është cilësues për ju? Dhe një herë, na kuptoni. Konfuzioni që mund të ndiejmë rrjedh natyrshëm nga fakti se citohen në raport si kryesore disa media te tipit RTSH dhe as nuk u zihet as emri në gojë mediave qe jo vetëm mund të konsiderohen si kryesore në perceptimin publik, por që më tepër edhe janë sulmuar e po sulmohen. Televizionit News24 për t’iu rikthyer sërish këtij rasti, i është dhënë mesa duket urdhri arbitrar të largohet nga ndërtesa ku është instaluar dhe ku ka investuar që prej dy dekadash, përpos gjobave që ka marrë. A mund të denoncoheshin këto shkarje në raportin tuaj?

Reporterët pa Kufij (RSF): Nuk duhet dhënë përshtypja se ka një komplot. Sinteza që i kushtojmë çdo vendi në raport është diçka e mrekullueshme dhe e qartë. Vitin e kaluar vendosëm të mos publikojmë një sintezë të re për çdo vend sa herë që publikohet indeksi vjetor i lirisë së shtypit. Për herë të parë publikuam për vitin 2021 një lloj të ri të sintezës së vendit. Pra është sinteza e një viti më parë që është ripublikuar tani me disa ndryshime. Dhe askush në raportin mbi Shqipërinë të vitit të kaluar nuk na tha se nuk kishim cituar këto apo ato media, si News24 apo BalkanWeb. Askush nuk na bëri vërejtje pse e kishim përmendur RTSH-në në krye të një fjalie si media kryesore.

Dua të ndalem tek rasti i mediave te sulmuara që ju përmendni. Për sa i përket News24, mund t’i pyesni, ne kemi qenë në kontakt me ta për të kuptuar saktë thelbin e kësaj çështjeje që lidhet me përfundimin e kontratës së qirasë, me kërkesën që të largohen nga ndërtesa dhe me kontrollet e autoriteteve tatimore që kanë pasur. Dua t’ju siguroj se ne jemi përqendruar shumë në këto ngjarje dhe po i studiojmë thellë. Ne jemi ende në pritje të informacionit që i kemi kërkuar News24 në lidhje me kontratën e qirasë. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, lidhur me kontrollet tatimore dhe sanksionet, ne i kemi ndjekur po ashtu me shumë shqetësim.

Kemi pyetur autoritetet shqiptare për këtë dhe u kemi kërkuar listën e mediave që janë sanksionuar dhe metodologjinë e përdorur. Ne nuk e morëm këtë listë sepse autoritetet na thanë se nuk mund ta zbulojnë atë pa pëlqimin e palëve të prekura. Jemi pra në kontakt me News24 për të marrë gjithë informacionin që na nevojitet dhe po e ndjekim me shqetësim këtë rast.

Edhe një herë dua të theksoj se sinteza për Shqipërinë është ajo që kemi publikuar në raportin e vitit të kaluar dhe që nga ai moment e përditësojmë vetëm nëse ka zhvillime të rëndësishme. Për Shqipërinë në raportin e këtij viti kemi bërë një përditësim të lehtë. Jemi akuzuar padrejtësisht në një artikull të “Lapsi.al” se në raportin tonë të këtij viti, në sintezën mbi Shqipërinë, se Reporteret pa Kufij paskan hequr një fjali që figuronte vitin e kaluar dhe nuk figuroka më tani, siç është paragrafi : “Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me politikanë dhe në të njëjtën kohë operojnë në sektorë që kanë nevojë për rregullim nga shteti, si ndërtimi”. Kjo nuk është e vërtetë. Këtë fjali ne nuk e kemi hequr. Ajo vazhdon të jetë aty dhe këtë gjë çdokush mund ta verifikojë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re