Një efektiv i Policisë Rrugore në Korçës është ndaluar nga kolegët e tij në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore, si i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.

 

Ndalimi i tij u krye pas ankesës së një shtetasi nga Kosova, i cili pretendonte se i ishte vendosur një gjobë në kundërshtim me ligjin në vlerën 6 mijë lekë. Ai sqaronte se punonjësit të policisë E.Q. i kishte dhënë shumën prej 50 euro për shlyerjen e saj.

 

Nga veprimet hetimore të kryera pas sekuestrimit të bllokut të masave administrative të punonjësit të policisë E.Q., rezulton se masa administrative me numrin përkatës të serisë është me vlerë 1 mijë lekë, gjë e cila tregon mospërputhje me fletën e masës administrative të paraqitur nga denoncuesi.

 

Në vazhdim të këqyrjes së blloqeve të administruar nga punonjësi i policisë, konstatohen raste të ngjashme edhe për shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, për të cilat po bashkëpunohet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, me qëllim dokumentimin e plotë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re