Dhjetëra banorë të Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës u mblodhën sot në një protestë në rrugën e Arbrit. Banorët u mblodhën këtë të hënë në rrugë, duke kërkuar që ky fshat të ketë akses në qendër të tij dhe jo tek Ura e Çerenecit apo ura tjetër në afërsi të Maqellarës.

 

Banorët shprehen se firma nënkontraktore që ka ndërtuar këtë lot të Rrugës së Arbrit nuk është konsultuar me ta, duke vijuar punimet sipas qejfit të saj.

 

Gjithashtu, banorët e Gjoricës shfaqin një tjetër shqetësim, atë të daljes në anën tjetër tek tokat bujqësore. Në shenjë revolte, banorët bllokuan për disa minuta lëvizjen në këtë segment të rrugës së Arbrit. Ata i kërkojnë firmës që t’iu lërë akses pasi traseja është ndërtuar në rrugën e vjetër ku dhe ka qenë argjinatura e zallit të Bulqizës, rrugë të cilën e kanë shfrytëzuar për tokat bujqësore.

 

Firma ka nisur ndërtimin e një rruge dytësore për Gjoricën, por kjo rrugë nuk jep akses në rrugën e Arbrit. Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re