Presidenti malazez Milo Gjukanoviç tha se ka një riaktivizim të ofensivës media-politike të Serbisë ndaj Mal të Zi, si ajo e viteve të nëntëdhjeta, dhe se ka dy arsye.

Sipas tij, arsyeja e parë për këtë është jeta e brendshme politike në Serbi, dhe tjetra ajo që ka të bëjë me politikën malazeze.

“Arsyeja e parë është jeta e brendshme politike në Serbi, e cila tashmë po shënon fazën e fundit të negociatave mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Gjukanoviç .

Ai gjithashtu kujtoi se Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës, siç tha, duke respektuar realitetin.

“Unë jam përpjekur në bisedimet me Tadiçin dhe Vuçiçin që t’u tregoj atyre se nuk e konsideroj racionale që të luftohet ndryshe për luftëra që janë të humbur. Ajo që unë nuk po e kuptoj është se përse Serbia, përmes medias dhe politikës së saj, kërkon të hapë edhe një front tjetër në rajon”, tha Gjukanoviç.

Një tjetër arsye është ajo që ndodh brenda vetë Malit të Zi, tha Gjukanoviç, duke shtuar se liderët e partive politike pro-serbe në Mal të Zi vazhdimisht përpiqen për të penguar serbët që të bëhen pjesë e institucioneve shtetërore malazeze.

“Unë nuk shoh se serbët po ndihen të kërcënuar dhe mendoj se Mali i Zi ka shprehur sensibilitet të njëjtë për anëtarët e çdo feje dhe kombi në vendin tonë”, tha ai.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re