Deputeti Kujtim Gjuzi është shprehur i indinjuar për dënimin e dhënë nga Byroja e Kuvendit për tu përjashtuar nga seancat. Në fjalën e tij në seancën plenare, Gjuzi u shpreh se nuk duhet të ishte dënuar pasi ishte vetëm ai që mbajti në këmbë parlamentin dhe kryetarin Ruçi në postin që mban.

Ndër të tjera tha se nuk do të bindet dhe do të vazhdojë me shkeljen e rregullores.

“Kisha shkelur etikën dhe rregullore. Në fakt rregulloren e keni shkelur ju, që nuk lejoni  të replikojë me kryeministrin edhe kur ai tenton të denigrojë opozitën parlamentare. Unë kam respekt për postet dhe institucionet e vendit por unë nuk mund të jem dakord me ju që gjërat këtu të bëhen natën.

Ta harrojë partia socialiste se mundet të shkojë me këtë kod. Z. Kryetar ju kam thënë edhe në bisedën telefonike që patëm. Ne shqiptarë jemi dhe mësohet se  çfarë bëhet dhe ju më mirëkuptuat dhe ju falënderoj për këtë.

Unë nuk duhet të merrja fare dënim sepse jemi opozita që mbajtëm parlamentin në këmbë dhe ju mbajtëm edhe ju si kryetar kuvendi. Dua të shpreh indinjatën time. Nëse ju do i shkelni rregullat edhe unë jam i gatshëm ti shkel”, u shpreh Gjuzi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi iu përgjigj duke i thënë se në postin që ka, e mbajnë këmbët e veta dhe i përmendi se nuk u dha një dënim më i rëndë pasi Byroja e Kuvendit mori parasysh ndjesën.

“Duhet të keni parasysh dy gjëra. Të replikash me kryeminitrin e vendit politikisht duhet të jesh përfaqësuesi i opozitës parlamentare ose forcës politike më të madhe , dhe ju nuk jeni, të bësh replikë me kryeministrin duhet që ai t’ju ketë përmendur emrin tuaj. Jeni i vetmi deputet që ndërhyni në kundërshtim me rregulloren kur flet Kryeministri. Mendojeni pak veten kur ju flisni nëse ju ndërhyjnë”, tha Ruçi…(ndërhyn Gjuzi përsëri).

“Mos ndërhy, je i sëmurë në këtë pikëpamje, e treta: Të siguroj që jam mjeku më i mirë politik, nuk duhet të merrej vendim për ty, ky është ekskluzivitet i sekretariatit. Byroja e Kuvendit mori vendimin dhe pati parasysh edhe reflektimin tënd që u paraqite duke kërkuar ndjesë. Për sa i përket asaj që mazhorancën e mbajti në këmbë prezenca juaj, ju bëj me dije që mazhoranca ka këmbët e vetë ashtu si edhe unë”, përfundoi Ruçi.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re