Një gjykatë në Belgjikë ka mbështetur një trakt që lejon këmbimin e të burgosurve me Iranin, potencialisht duke i hapur rrugë një diplomati iranian, i burgosur nën akuza për terrorizëm, të dërgohet në Iran në këmbim të një punëtori belg të ndihmës.
Vendimi, sipas mediave belge, heq përkohësisht ndalesën për përdorimin e traktatit, për të cilën kishte vendosur një gjykatë e apelit më herët gjatë këtij viti.
Qeveria e kryeministrit Alexander de Croo tha se traktati është e vetmja mënyrë për të liruar Olivier Vandecasteele, punëtorin belg të ndihmës që gjendet në një burg në Teheran.
Vandecasteele, 41 vjeç, u ndalua nga autoritetet iraniane në shkurt, dhe ndaj tij me gjasë ende nuk është ngritur ndonjë akuzë.
Në këmbim, Irani me gjasë do të donte të kthente në shtëpi diplomatin iranian, Assadollah Assadi, i cili vitin e kaluar u dënua me 20 vjet burgim në lidhje me një komplot për sulm me bombë në një tubim të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në Paris në qershor të vitit 2018. Ky këshill është grup opozitar iranian, që gjendet në mërgim.
Opozita belge ka pretenduar se marrëveshja me Iranin është bërë për të liruar Assadin, ndërkaq iranianët që gjenden në mërgim po ashtu kanë kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje. Kjo ka shtyrë që një grup prej 11 organizatash për të drejtat e njeriut t’i kërkojnë Brukselit që ta anulojë marrëveshjen.
Organizatat thanë se ky traktat mund të rezultojë në lirimin e një të burgosuri për terrorizëm “dhe të legjitimojë marrjen peng nga ana e Iranit”.
Shtetet perëndimore vazhdimisht kanë akuzuar Iranin se po tenton të përfitojë nga shtetet e huaja, duke marrë peng qytetarët e huaj që kanë shtetësi të dyfishtë, dhe më pas duke i përdorur ata për shkëmbim të të burgosurve./rel