Subscribe

Dënohet me tre vite burg ish-kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj. Ai u shpall fajtor me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Shkodër për akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës” për çështjen e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Shëngjinit.

 

Trupi gjykues i kryesuar nga Tonin Stërkaj vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës së Lezhës duke i ulur një vit dënim ish-kryebashkiakut.

 

I njëjti dënim u dha dhe për ish-kryetarin e qarkut Gjok Ndoka.  Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa fajtor u gjetën dhe 16 të akuzuarit e tjerë, por me disa ndryshime nga vendimi i dhënë më herët nga shkalla e parë.

 

Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove. Ndërsa ish-futbollisti Renato Malotaj, i cili u shpall i pafajshëm u dënua nga apeli me 1 vit shërbim prove.

 

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin nisën në vitin 2017. Organi akuzës arriti të provonte se 18 të pandehurit tjetërsuar  234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.

 

Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan 22 persona, por në gjykatën e shkallës së parë Lezhë dosja u dërgua për 18 prej tyre. Ndërkohë pritet arrestimi i ish-kryebashkiakut, i cili mësohet dhe pse ishte i pranishëm në gjyq u lejua që të largohej drejt banesës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re