Skip to content

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Alda Klosin, sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj! Vendimi i plotë dhe masat e dënimit

Apeli lë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave Alda Klosi dhe shefe e Kabinetit të ish-zv/kryeministrit Ahmetaj. Dënohet me 1 vit dhe 8 muaj burgim me formë të prerë, 4 vite dhe 8 muaj pastrueses dhe 3 vite e 4 muaj burg të birit. U akuzuan për vjedhjen e mbi 120 mijë eurove. Klosi u akuzua për mosdeklarim dhe mosjustifikim të pasurisë

Gjykata e apelit  ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, për Alda Klosin. Ish-zyrtarja e ministrisë së Financave, së bashku me sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havier Dobi, u shpallën fajtorë ‘vjedhje me pasoja të rënda” në bashkëpunim.

Me 4 vite dhe 8 muaj burg u dënua pastruesja Dobi dhe me 3 vite dhe 4 muaj i biri i saj, Havieri.

“Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore gjyqtar  Fuat Vjerdha dhe anëtare Genti Shala dhe Genti Dokollari, vendosi:- Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Dobi u akuzua për vjedhjen e mbi 120 mkijë eurove sipas denoncimit të Klosit, teksa më tej në kontrollin e banesës iu gjetën mbi 500 mijë euro. Hetimet e mëtejshme të Prokurorisë zbuluan shuma të tjera parash dhe pasurish të patundshme të pajustifikuara të të pandehurës, që kishte qenë vartëse e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, kur kryente detyrën e shefes së Kabinetit te Ministria e Rindërtimit.

Megjithëse Klosi u mbrojt me alibi se ishin kursime të familjes apo borxhe, kjo nuk bindi as Gjykatën dhe as Prokurorinë.

Sipas pastrueses Dobi, Klosi i kishte kërkuar që t’i ruante shumat e konsiderueshme cash në shtëpinë e saj, sepse kishte konflikte me bashkëshortin, por më pas e denoncoi vjedhjen e parave, nga ku u zbulua se paratë gjendeshin te shtëpia e sanitares.

Ngjarja ndodhi në zonën e “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë. Prokuroria bëri edhe hetim pasuror ndaj ish-zyrtares dhe i sekuestroi disa pasuri të patundshme.

Vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit- Më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion”, është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A. K. Për kryerjen e kësaj vepre panale, është akuzuar pastruesja e saj me iniciale R. D si dhe djali i kësaj të fundit me iniciale H. D.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokurirsa pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, paraqiti kërkesën, me objekt:

1. Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 9220/2022, kundër  të pandehurës me iniciale R. D, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim dhe “Vjedhjes ” më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 134/3 – 25 dhe 134/2 të K. Penal, të pandehurit me iniciale H. D, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, të parashikuar nga nen1 134/3 – 25 të Kodit Penal, të pandehurës me iniciale A. K (Ç), e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.

2.Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220/2022 për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 287/1 dhe 305/b të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).I. Në lidhje me kërkesën për pushim si më sipër treguar, Gjykata e Shkallës së Parë të  Juridiksionit të Përgjithshëm, (gjyqtari i seancës paraprake) me vendimin datë 04.03.2024 ka vendosur:

-Pranimin pjesërisht të kërkesës së prokurorisë Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220 të viti 2022 me person nën hetim  A. K (Ç), për veprën penale “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b të Kodit Penal.

Kthimin e akteve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1  të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

Ndaj këtij vendimi, ka bërë ankim- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka kërkuar ndryshimin pjesërisht të vendimit. Pushimin e hëtimeve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1  të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).– Personi nën hetim A. K (Ç), e cila kërkoi prishjen pjesërisht të vendimit. Pushimin e gjykimit  për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1  të Kodit Penal.

Ankimet e mësipërme janë në pritje për gjykim, pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm- Në lidhje me kërkesën për gjykim,  në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është gjykuar çështja penale  ndaj tre të pandehurve  R. D, H. D dhe  A.K (Ç).Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 665, datë 19.03.2024 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 6 (gjashtë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.

3. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm prej 7 (shtatë) vjet burgim.

4. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin R. D me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5.Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës R. D nga data e arrestimit në flagrancë datë 07.01.2023

6. Vuajtja e dënimit të vuhet nga e pandehura R. D në një burg të sigurisë së zakonshme.

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit H. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

8. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin H. D me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

9. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurit H. D nga data e ndalimit  datë 07.01.2023

10. Vuajtja e dënimit të vuhet nga i pandehuri H. D në një burg të sigurisë së zakonshme.

11. Deklarimin fajtore të të pandehures A. K (Ç) për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

12. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurën A. K (Ç) me 1 (një) vit e  8 (tetë)  muaj burgim.

13. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës A. K (Ç) nga data e ndalimit datë 07.02.2023.

Ndaj vendimit kanë bërë ankim- E pandehura me iniciale A. K (Ç), e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm.

E pandehura me iniciale R. D, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, dhënien e një dënimi më të butë.

I pandehuri me iniciale H. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit. Deklarimin  fajtor për veprën penale të “Vjedhjes” dhe aplikimin  e nenit 406 të K.Pr.Penale. Në zbatim të nenit 59 dhe 60/9 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e pavuajtur të dënimit, duke e vënë në provë të pandehurin.

Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare z. Fuat Vjerdha dhe anëtare z. Genti Shala dhe z. Genti Dokollari, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Vendimi i marrë dje dhe i shpallur sot përcakton se Alda Klosi  dënohet me vendim të formës së prerë me 1 vit e 8 muaj burgim, duke ia rrëzuar ankimimin e bërë. Klosi e ka Vuajtur  denimin dhe u lirua  në muajin Maj të këtij viti, teksa çështja e saj nisi prej vitit 2023, kurse denoncimi u bë në vitin 2022.

Aktualisht Klosi hetohet nga Prokuroria për pastrim parash dhe çështjen e pasurive që i janë zbuluar.