Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian la në fuqi ndalimin e BE-së ndaj transmetuesit shtetëror rus Russia Today (RT) të cilin blloku e vendosi si pjesë e sanksioneve të tij në përgjigje të pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

“Dhoma e Madhe e Gjykatës së Përgjithshme hedh poshtë kërkesën e RT France për anulimin” e sanksioneve të BE-së që ndalojnë përkohësisht transmetimet e kanalit televiziv shtetëror rus, tha Gjykata e BE-së.

Ndër masat e saj të para kufizuese në përgjigje të luftës në Ukrainë, BE-ja në mars pezulloi transmetimet e agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Sputnik dhe kanaleve në gjuhët angleze, gjermane, franceze dhe spanjolle të RT-së.

Siç kishte shpjeguar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, vendimi kishte për qëllim t’i jepte fund “manipulimit sistematik të informacionit dhe dezinformimit nga Kremlini, si mjet operacional në sulmin e tij ndaj Ukrainës”.

Vendimi i Gjykatës së BE-së konstatoi se sanksionet “që synojnë pezullimin e veprimtarisë së një mjeti të propagandës në mbështetje të agresionit ushtarak” nuk shkelin parimin e përgjithshëm të lirisë së shprehjes.

Gjykata gjithashtu deklaroi se kufizimet e së drejtës së RT-së për t’u dëgjuar janë “proporcionale, të përshtatshme dhe të nevojshme për qëllimet e ndjekura”, pavarësisht “konteksit të jashtëzakonshëm dhe urgjencës ekstreme në të cilën u miratuan aktet e kontestuara”.

BE-ja ka miratuar shtatë pako sanksionesh kundër Rusisë që nga 24 shkurti, kur filloi lufta e Moskës kundër Ukrainës.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re