Gjykata e Lartë ka një shans të artë për të nisur punën. Pas emërimit të tre gjyqtarëve të rinj dhe krijimit të mundësisë për të formuar të paktën një kolegj pritet të nisë tashmë gjykimi i çështjeve, që nuk janë pak, por mbi 35 mijë të akumuluara ndër vite.

E gjithë kjo ka ardhur edhe pas zbatimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.

Në këtë mënyrë, sot u zhvillua takimi i radhës mes Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Projektit të USAID-it Drejtësi për të Gjithë. Pjesëmarrësit rishikuan dhe diskutuan mbi kërkesat e Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe ranë dakord mbi disa çështje të cilat kanë të bëjnë me

Versionin përfundimtar të Fushës së Aktivitetit, Kualifikimeve Minimale, Pagës dhe Numrit fillestar të pozicioneve të NUNÇP (Nëpunësit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura)
Përcaktimin se ku do të publikohet dhe kohëzgjatja e thirrjes për aplikim;
Krijimin e Pyetjeve të Shpeshta për nismën;
Bashkëpunimin për të ofruar sesione informuese për Donatorët dhe Organizatat e Shoqërisë Civile;
Bashkëpunimin për të filluar përpunimin e programit PAKS + për Gjykatën e Lartë;
Bashkëpunimin për t’u takuar për shqyrtimin e përmirësimeve të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve.

Zbatimi në praktikë i këtij memorandumi pritet të sjellë jo vetëm reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë por dhe parandalimin e shtimit të mëtejshëm të tyre.

Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit do të punojnë mbi plotësimin e detyrave individuale të cilat do të diskutohen në një takim tjetër në javën që vjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re