Skip to content

Gjykata e Lartë rigjykon Astrit Sinanajn, tentoi të shpërthente 1 kg C4! Përplasja e bandave në Elbasan, si u shmang masakra në tregun e qytetit

Historia e tentativës së shpërthimit të një sasia prej më shumë se 1 kg tritol në qytetin e Elbasanit 7 vjet më parë, është rikthyer për gjykim nga Gjykata e Lartë.

Zbulimi i disa detajeve që e detyruan shkallën më të lartë të gjyqësorit ta rikthente, u rigjetën e bashke me to edhe dëshmia e personit të shënjestruar. Sipas të dhënave të Gjykatës së lartë bëhet me dije se i dyshuari i asaj ngjarjeje nëse arrinte ta shpërthente sasinë e tritolit që kishte vënë në makinën e një elbasanlliu do të gjendeshim përballë një masakra, ku humbjet e njerëzve do të kishin qenë të shumta.

Ose të paktën ky është dyshimi i ardhur pas marrjes së dëshmisë së personit të cilit iu kishte vënë lënda plasëse në makinë dhe ku mjeti gjendej brenda tregut ushqimor të qytetit, një zonë në fakt e dyshuar si strehuese e disa prej emrave më të kërkuar të Policisë së Shtetit.

RIKTHIMI PËR GJYKIM

Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim një nga ngjarjet më të rënda në qytetin e Elbasanit, që do të ishte mbyllur si masakër, në rast se nuk do të kishte ndërhyrë një qytetar, i cili krejt rastësisht largoi nga një automjet një pako prej mbi 1 kilogramë C4.

I dyshuari që ishte dënuar nga gjykatat me 25 vjet burgim është Astrit Sinanaj, akuzuar nga prokuroria si personi që instaloi në një automjet sasinë e konsiderueshme të lëndës plasëse, të tillë që nëse do shpërthente thonë ekspertët në dosje do të kishte shkaktuar vrasjen e të gjithë personave që gjendeshin në atë perimetër.

48-vjeçari ishte identifikuar nga këqyrja e 13 kamerave të sigurisë në qytetin e Elbasanit, mbasi një sasi prej 1022 gramë C4 u zbulua majin e 2017-ës në automjetin e Fuat Verzivollit. Ky i fundit, gjatë gjykimit tha se nuk kishte pasur asnjëherë përplasje me të dyshuarin, por se ishte përdorur si karrem gjatë përplasjes së bandave në Elbasan.

“Do ikja të shikoja ndeshjen te tregu ushqimor dhe ata donin t’i bënin dëm atyre, jo mua. Qëllimi nuk ka qenë të më dëmtonin mua, por të më përdornin si postë. Nuk isha shënjestra unë, isha postieri, pasi vetëm unë shkoja atje te tregu, takoja Sokol Sanxhaktarin, Suel Çelën dhe ca të tjerë”, – rrëfen shënjestra. Por Prokuroria thotë se nga aktekspertizat tregojnë se i dyshuari e kreu telefonatën përmes të cilës telekomandohej shpërthimi që nuk u realizua, jo për shkak të tij, por mbasi një qytetar krejt rastësisht kishte parë një pako në automjet dhe e kishte larguar më herët.

Por Astrit Sinanaj këmbëngul se nuk u dëgjua nga gjykatat mbasi edhe ai kishte kërkuar ekspertizë me pretendimin se personi që shfaqet në kamerat e sigurisë nuk është ai dhe se telefoni nuk i përkiste atij. Gjykata e Lartë çmon se për një gjykim të paanshëm duhet që një grup ekspertësh të këqyrin pamjet e sigurisë dhe t’i krahasojnë me identitetin e të dyshuarit.

Njëkohësisht me argumentin e gjykimit të paanshëm dhe mundësinë e barazisë për tu dëgjuar si për prokurorinë edhe për të akuzuarin e saj, Gjykata e Lartë orienton rigjykimin ndaj Astrit Sinanaj nga apeli, nën dritën e një debati real gjyqësor për të ndikuar në zbulimin e të vërtetës dhe dhënien e drejtësisë I dyshuari gjatë shtatë viteve ka këmbëngulur pafajësi mbasi sipas tij nuk kishte asnjë motiv për ta vrarë biznesmenin.

“”