Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Dritan Dajtit për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes, Sandër Simoni. Dritan Dajti, autori i vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009 është në prag të lirimit nga qelia.

“Mospranimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë”, thuhet në vendim.

Sandër Simoni është gjyqtari që do shqyrtojnë rekursin e Prokurorisë, e cila në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda që vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

VENDIMI

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr. 71000-00356-00-2024 i Regj. Themeltar

Nr. 00-2024-1043 i Vendimit

VENDIM

PËR PËRJASHTIM GJYQTARI

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me trup gjykues të përbërë nga:

Gjyqtar: Enton DHIMITRI

sot, më datë 06.06.2024, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi, kërkesën penale me nr. 71000-00356-00-2024  akti, regjistruar në sekretarinë e kësaj gjykate në datë 04.06.2024, që i përket:

KËRKUES:                     Dritan Dajti

OBJEKTI:       Përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale me nr. 52105-00378-00-2019, në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme të njënashmërisë së tij.

Përjashtimin e gjyqtarit Sander Simoni, nga gjykimi i çështjes penale me nr. 52105-00378-00-2019, në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, pasi gjatë ushtrimit të funksioneve ka shfaqur mendimin e tij mbi faktet dhe rrethanat objekt të këtij procedimi.

BAZA LIGJORE:                 Neni 17 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.

Në lidhje me çështjen penale me nr. 52105-00378-00-2019, datë regjistrimi 05.04.2019, qe i përket:

KËRKUES:     Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda

I PADEHUR:  Dritan Dajti

AKUZUAR:    “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Sajmir Duçkollari, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Altin Dizdari, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Feskaj, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, parashikuar nga neni 79/ë i Kodit Penal, “Mbajtje pa leje të armëvë luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal, “Mbajtja e pa të drejtë e uniformës”, parashikuar nga neni 247/2 i Kodit Penal.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë pasi shqyrtoi aktet në dhomë këshillimi,

V Ë R E N:

Pranë Pranë Gjykatës së Lartë, më datë 05.04.2019, është regjistruar çështja penale me nr. 52105-00378-00-2019, që i përket të gjykuarit Dritan Dajti, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të sipërpërmendura, çështje e cila është shpallur për t’u shqyrtuar në datën 04.06.2024, shtyrë për në datën 11.06.2024, në dhomë këshillimi, mbi bazën rekursit të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda ndaj vendimit nr. 13, datë 08.02.2019, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Relator i kolegjit penal që shqyrton këtë çështje është caktuar gjyqtari Sandër Simoni.
Më datë 20.02.2024, gjyqtari Sandër Simoni ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë një kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, pasi ka vlerësuar se është në kushtet e nenit 17, shkronja “c” dhe “ë” të Kodit të Procedurës Penale.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 26.02.2024, ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës së anëtarit të Gjykatës së Lartë, z. Sandër Simoni, për heqjen dorë nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë, nr. 52105-00378-00-2019, datë 05.04.2019”.
Më datë 03.04.2024, gjyqtari Medi Bici, ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë një kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 17.04.2024, ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës së anëtarit të Gjykatës së Lartë, z. Medi Bici, për heqjen dorë nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë, nr. 52105-00378-00-2019, datë 05.04.2019”.
Më datë 23.05.2024, i pandehuri i është drejtuar Kryetarit të Kolegjit Penal për nxjerrje të kopje të akteve e konkretisht: “ Deklarimin e heqjes dorë nga gjykimit të gjyqtarit Sandër Simoni” dhe “Vendimin që ka refuzuar dorëheqjen”.
Pala kërkuese i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën nr. 2807 prot., datë 29.05.2024, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtar Sandër Simoni nga trupa gjykuese që do të shqyrtojë rekursin e depozituar prej tij.
Më datë 30.05.2024 nga ana e IEVP kanë njoftuar të pandehurin për aktet procedurale të kërkuara nga Gjykata e Lartë.
Më datën 31.05.2024 Gjykata e Lartë me vendimin nr. 00-2024-1019, lidhur me kërkesën e të pandehurit ka vendosur: “Mospranimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni”.
Më datën 03.06.2024, Gjykata e Lartë me vendimin nr. 00-2024-1019 lidhur me kërkesën e të pandehurit ka vendosur: “Pranimin e kërkesës për përjashtimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë z. Medi Bici nga gjykimi i çështjes penale”.
Pala kërkuese i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën nr. 2913 prot., datë 04.06.2024, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtar Sandër Simoni nga trupa gjykuese që do të shqyrtojë rekursin e depozituar prej tij, duke pretenduar, ndër të tjera, se: “ Rezulton se gjyqtar z. Sandër Simoni, në faqen 4, paragrafi 2-5 të deklaratës nr. 964 prot., datë 20.02.2024, për heqje dorë nga gjykimi i çështjes penale shprehimisht thotë;

–       Me shkresën e datës 10.07.2014, kam njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Rendit Publik në lidhje me kërcënimet ndaj avokatëve, gjyqtarëve, administratës, kërcënimet ndaj meje si drejtues gjykate duke referuar sjelljet e të pandehurit dhe disa të afërmve të tij. Referuar shkresave te mësipërme, vlerësoj se unë kam dhënë mendim për zgjidhjen e çështjes dhe duke u referuar në veçanti shkresave të datës 19.06.2013 dhe 10.07.2014, kam shkaqe të rëndësishme njëanshmërie në gjykimin e këtij rekursi si gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Në këto kushte vlerësoj se në funksion të një gjykimi të drejtë e objektiv që ofron garanci për palët, të garantimit të paanshmërisë së gjyqtarit në gjykim dhe për arsye etike, unë nuk mund të jem gjyqtar i kësaj çështjeje, pasi nuk përmbush kriterin objektiv të paanshmërisë. Rekursuesi dhe personi i dënuar janë në dijeni të këtyre fakteve dhe veprimeve të mija e shkresave të sipërcituara.

–       Sa sipër këto fakte jo vetëm që nuk kanë qënë të ditura në datën 29.05.2024, kohë kur ai ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Lartë për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni. Njëanshmëria dhe shfaqja e mendimit mbi faktet dhe rrethanat objekt të këtij procedimi të deklaruar nga vetë gjyqtari, nuk mund të jetë një lapsus, por një bindje etiko-profesionale sepse është një magjistrat i spikatur, me integritet dhe nuk mund të gabojë në kërkesat për heqje dorë nga gjykimi. Deklarimi i gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi i çështjes, nënkupton ekzistencën e shkaqeve ligjore dhe bindëse për pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në këtë gjykim. Pavarësisht kësaj prove të rëndësishme dhe të pastër njëanshmëri, kërkesa për heqje dorë nuk është pranuar, duke pretenduar për prova anshmërie aktuale, kur ndërkohë ky term nuk njihet nga Gjykata e Shqipërisë.

–       Në këto kushte a ka frikë më të madhe për paanshmëri kur gjyqtari kallëzon në polici të pandehurin që po gjykon dhe familjarët e tij për kërcënime ndaj avokatëve, gjyqtarëve, administratës, pavarësisht se ka ndodhur në 2014?. Në këtë kontekst fakti që Kryetari i Gjykatës kërkon prova aktuale vjen në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese se “e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme kërkon që drejtësia jo vetëm të bëhet por edhe të duket”. Në zbatim të këtij parimi do të duhet të kalohen të dy testet si subjektiv dhe ai objektiv

Pas regjistrimit në Gjykatë të Lartë të kërkesës në datës 04.06.2024 “Për përjashtimin e Sandër Simoni nga gjykimi i çështjes nr. akti 52105-00378-00-2019, në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, të paraqitur nga i pandehuri Dritan Dajti nëpërmjet avokat mbrojtës të zgjedhur prej tij Alban Kapxhiu, bazuar në nenin 1/1 i nenit 21 të KPP ku parashikohet se: “Gjyqtari  për të cilin  është kërkuar përjashtimi paraqet me shkrim mendimin e tij mbi kërkesën për përjashtim”, gjyqtari Sandër Simoni ka paraqitur mendimin e tij me shkrim me nr. 2949/1 prot., datë 05.06.2024 në lidhje me kërkesën për përjashtim, ku ka parashtruar se:  “Si provë mbi të cilën pala kërkuese paraqet kërkesën për dorëheqje, paraqet një shkresë të datës 10.07.2014. Në këtë kërkesë unë i jam drejtuar organeve kompetente në lidhje me kërcënimet ndaj avokatëvë, gjyqtarëve, administratës, kërcënimet ndaj meje si drejtues gjykate duke referuar sjelljet e të pandehurit Dritan Dajti dhe disa të afërmëve të tij. Unë e kam përmendur këtë shkresë ndër të tjera si një nga shkaqet mbi të cilat kam paraqitur kërkesën time për dorëheqje duke e konsideruar përmbajtjen e saj si një shfaqje mendimi mbi objektin e procedimit e shkak njënashmërie në gjykim në kuptim të nenit 17 shkronja c dhe ë të KPP. Siç e kam deklaruar dhe në kërkesën për dorëheqje këto veprime në ushtrim të detyrës si Kryetar Gjykate në atë kohë, kërkesat dhe shkresat institucioneve, parë në përmbajtje të tyre, të vlerësuara në kushtet e sotme si gjyqtar në Gjykatën e Lartë që shqyrton rekursin e Prokurorisë së Apelit  të Krimeve të Rënda, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime  të Rënda, mund të përbëjnë mendim për objektin e procedimit dhe shkak njëanshmërie të gjyqtarit në gjykim përderisa lidhen me sigurimin e mbrojtësit ligjor të caktuar kryesisht në seancë gjyqësore të gjykimit të të pandehurit e që përbën dhe objekt të rekursit të paraqitur në këtë rast. Në këto kushte unë vlerësoj se në funksion të një gjykimi të drejtë  e objektiv që ofron garanci për  palët, të garantimit të parimit të paanshmërisë së gjyqtarit në gjykim,   dhe për arsye etike, unë nuk mund të jem  gjyqtar i kësaj çështjeje dhe kërkesa për përjashtimin tim nga gjykimi i çështjes duhet pranuar. Kjo për vetë rolin që Gjykata e Lartë ka në hierarkinë e sistemit gjyqsor si instanca më e lartë dhe e fundit e gjykimit që vulos dhe fatin e çështjes penale e që nuk duhet të lërë shteg për  mungesë objektiviteti e paanshmërie në gjykim në kuptim të së drejtës për tu gjykuar nga një gjykatë e pavarur e e paanshme si elementi kryesor i parimit të procesit të rregullt ligjor. Për këtë arsye  vlerësoj se janë rastet e parashikuar në  nenin 17 shkronja c) dhe  ë) të tij, pika  B. Parimi i paanshmërisë  pika 7/a dhe d/ të Kodit të Etikës Gjyqsore, për tu konsideruar si shfaqje mendimi  mbi objektin e  procedimi / çështjen në gjykim sot dhe shkaqe njëanshmërie në gjykim, që dhe më kanë detyruar mua fillimisht para kërkesës për përjashtim, të heq dorë nga  gjykimi i këtij rekursi  si anëtar i trupit gjykues që  e shqyrton këtë çështje, e që është dhe një nga shkaqet e ngritur në kërkesën për përjashtim.”
Gjykata çmon të nevojshme të theksojë se gjykimi nga një gjykatë e paanshme është një nga elementet e rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së. Parimi i paanshmërisë nënkupton mungesën e paragjykimeve nga gjyqtarët për çështjen e shtruar përpara tyre dhe që ata të mos veprojnë në mënyrë të tillë që të ndihmojnë interesat e njërës prej palëve. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të shprehur. E drejta për t’u gjykuar përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të caktuar me ligj, kërkon që drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo, gjithashtu, duhet të shikohet që bëhet (shih vendimin nr.25, datë 11.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).
Në praktikën e konsoliduar të GJEDNJ-së është marrë në analizë standardi i gjykatës së paanshme duke u evidentuar dy aspekte të tij, testi objektiv dhe testi subjektiv. Mund të bëhet një dallim në këtë kontekst midis një qasje subjektive që përbën përpjekjen për të konstatuar bindjen personale të një gjyqtari të caktuar në një çështje të caktuar, dhe një qasje objektive që nënkupton përcaktimin nëse ai ofron garanci të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim për këtë qëllim  (shih çështjen Piersack k. Belgjikës, & 30; Micallef k. Maltës, & 99, etj.).
Përsa i përket paanshmërisë subjektive, vlen rregulli se paanshmëria subjektive, personale e një gjyqtari të emëruar, prezumohet derisa të ketë prova për të kundërtën. Nga ana tjetër, në bazë të testit të objektivitetit duhet të përcaktohet nëse, përveç faktit të sjelljes personale të gjyqtarit, ekzistojnë fakte të vërtetueshme që mund të ngrenë dyshime përsa i përket paanshmërisë së tij. Në këtë kuadër edhe dukja e pavarësisë objektive mund të ketë rëndësinë e vet. Kur vlerësohet nëse në një çështje konkrete ka një arsye të përligjur që rrezikon paanshmërinë e një trupi gjykues, këndvështrimi i atyre që paraqesin këtë pretendim ka rëndësi, por vendimtar mbetet përcaktimi nëse ky dyshim është objektivisht i justifikueshëm.
Në frymën e këtyre parimev dhe në respektim të kësaj jurisprudence të GJEDNJ-së është trajtuar kërkesa e mëparshme e kërkuesit, për përjashtim gjyqtari, e parë në lidhje të ngushtë me kërkesën për dorëheqje të gjyqtarit të paraqitur tek Kryetari i Gjykatës së Lartë.
Duke iu riktthyer çështjes në shqyrtim rezulton se e njëjta kërkesë e të pandehurit Dritan Dajti dhe e nënshkruar prej tij dhe avokatit Alban Kapxhiu, që mban të njëjtën datë 04.06.2024, ka ardhur në rrugë postare në Gjykatën e Lartë dhe është protokolluar me nr. 2913/1 prot., datë 05.06.2024.
Gjykata pasi shqyrtoi në tërësi çështjen arrin në përfundimin se kërkesa e datës 04.06.2024, e paraqitur nga i pandehuri Dritan Dajti dhe mbrojtësi i tij, për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni, nuk duhet të pranohet pasi në thelb përmban të njëjtat shkaqe me ato të kërkesës së datës 29.05.2024, e cila nuk është pranuar me vendimin gjyqësor të formës së prerë të datës 31.05.2024.
Kërkesën për dorëheqje të gjyqtarit Sandër Simoni dhe refuzimin e kësaj kërkese nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, kërkuesi e ka paraqitur si shkak për përjashtimin e këtij gjyqtari edhe në kërkesën e datës 29.05.2024 ( faqet 10, 11 dhe 12 të kësaj kërkese).
Më konkretisht, në kërkesën e datës 29.05.2024, ndër të tjera, është pararshtruar: “Siç rezulton në fakt, gjyqtari Sandër Simoni në datën 02.02.2024 i ka dorëzuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, deklarimin për heqjen dorë nga gjykimi i çështjes penale me nr.521055-00378-00-19 në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, Sa më sipër duke qenë se Gjykata e Lartë jep përfundimisht drejtësinë penale, gjyqtarët e saj jo vetëm që janë magjistratë të spikatur dhe me integritet por edhe me një nivel të lartë etiko-profesional, çka do të thotë që nëse ata deklarojnë dorëheqjen nga gjykimi, kanë arye ligjore dhe prova bindëse për pamundësinë e vazhdimit të pjesëmarrjes në gjykim, pavarësisht faktit që vendimmarrja për këtë dorëheqje i mbetet Kryetarit të Gjykatës së Lartë.Pra fakti që gjyqtari Sandër Simoni ka dhënë dorëheqjen, do të thotë se ai gjendet përballë një ose disa shkaqeve ligjore që provojnë ndalimin e qenies së tij si gjyqtar në këtë çështje, të parashikuara nga neni 17 i Kodit të Procedurës Penale. Nisur nga sa më sipër, mospranimi nga Kryetari i Gjykatës së Lartë i dorëheqjes së gjyqtarit Sandër Simoni, i ka hapur rrugën të pandehurit Dritan Dajti dhe mbrojtësve të tij, për të kërkuar përjashtimin e këtij gjyqtari nga gjykimi i kësaj çështjeje në respekt dhe në zbatim tënenit 18 të K.Pr.Penale”.
Ky shkak përjashtimi i pretenduar në kërkesën e datës 29.05.2024 rezulton të jetë trajtuar dhe të jetë vlerësuar, si i pabazuar, në vendimin e formës së prerë të datës 31.05.2024 ku është disponuar për mospranimin e saj, sipas kësaj mënyre arsyetimi: “Gjykata vlerëson se fakti që edhe vetë gjyqtari ka paraqitur më parë, një kërkesë për heqje dorë nga gjykimi, nuk do të thotë se ai duhet përjashtuar nga gjykimi sepse ka deklaruar vetë se ai gjendet përballë një ose disa shkaqeve që provojnë ndalimin e qënies së tij si gjyqtar i çështjes.Paraqitja e dorëheqjes nga gjyqtari apo dhënia e mendimit të tij në favor ë përjashtimit të tij, nuk janë element të mjaftueshëm për të diponuar në favor të kërkesës, por duhet marrë në shqyrtim elementi objektiv apo subjektiv që vë në dyshim paanësinë e gjyqtarit……Kërkesa e paraqitur më parë nga gjyqtari dhe qëndrimi i mbajtur prej tij në lidhje me këtë kërkesë, nuk tregojnë për shkaqe subjektive apo element objektiv, sipas të cilave gjyqtari të mos ofrojë garanci të mjaftueshme për të përjashtur çdo dyshim legjitim të anshmërisë”.
Si shkak i ri në kërkesën objekt shqyrtimi pretendohet pëmbajtja konkrete e kërkesës për dorëheqje e gjyqtarit Sandër Simoni në lidhje me dy rrethana specifike të pohuara nga gjyqtari dhe që kanë të bëjnë me shkresat e datës 19.06.2013 dhe 10.07.2014, të nënshkruara nga gjyqtari dhe të dërguara në adresë të organeve të tjera ligjzbatuese në kuadër të ushtrimit të të njëjtës veprimtari administarive të kryer prej tij në atë periudhë kohore, gjatë ushtrimit të detyrës dhe në përputhje me kompetencat e tij ligjore si Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Në lidhje me këto rrethana të reja, për të cilat kërkuesi pretendon se nuk ka qenë i njohur më pare, Gjykata vlerëson se ato nuk mund të konsiderohet se përmbajnë elementët e një shkaku të ri apo të pavaruar përjashtimi, pasi shkaku i përjashtimit në këtë rast është një dhe i vetëm, ai që ka të bëjë me ekzistencën e arsyeve të rëndësishme të njëanshmërisë, të evidentuara në faktin e paraqitjes së kërkesës për dorëheqje nga gjyqtari dhe refuzimin e kësaj kërkesë nga Kryetari i Gjykatës së Lartë.Në këtë kuptim, nuk mund të ketë trajtim apo vlerësim të diferencuar të çdo pohimi të veçantë të bërë nga gjyqtari në kërkesen për dorëheqje, për sa kohë që ato janë të lidhura në mënyrë të pandashme me shkakun e dorëheqjes, njëherazi si shkak përjashtimi, në tërësinë e tij.Përderisa ky shkak me tërësinë e rrethanave në përmbajtje të tij është shqyrtuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë, do të binte ndesh me parimin e “gjësë së gjykuar”, ripërsëritja e kërkesës për përjashtim për të njëjtat shkaqe.
Nga ana tjetër, rezulton se pavarësisht se në kërkesën e mëparshmë të datës 29.05.2024, kërkuesi nuk referon në përmbajtjen konkrete të kërkesës për dorëheqje të gjyqtarit në lidhje me këto dy shkresa, përmbajtja e tyre është bërë e ditur nëpërmjet mendimit me shkrim të paraqitur nga gjyqtari Sandër Simoni sipas shkresës nr.2836 prot, datë 30.05.2024, që në kuptim të nenit 21, pika 1/1 e KPP, ka qenë objekt shqyrtimi dhe vlerësimi gjatë gjykimit të kërkesës së mëparshme të datës 29.05.2024.Për rrjedhojë, dhe në referim të një fakti të tillë, citimi i këtyre dy shkresave sipas përmbajtjes së kërkesës për dorëheqje, nuk mund të konsiderohet se përbën një shkak të ri përjashtimi, të pashqyrtuar në gjykimin e mapërshëm.
Në nenin 22/3 të KPP përcaktohet shprehimisht: “Gjykata pasi merr të dhënat e nevojshme, vendos për kërkesën e përjashtsimit brenda 48 orëve nga paraqitja e kërkesës”.Gjykata vlerëson se me togfjalëshin “të dhënat e nevojshme”, në kuptim të kësaj dispozite, do të kuptohet edhe mendimi me shkrim i dhënë nga gjyqtari për të cilin bëhet kërkesa për përjahtsim sipas nenit 21, pika 1/1 e këtij Kodi.Për sa kohë mendimi me shkrim i gjyqtarit për kërkesës e datës 29.05.20124 referon në mënyrë të shprehur edhe tek rrethanat e pretenduara si të reja nga kërkuesi, atëherë në mënyrë të pashmangshme përmbajtja tërësore e këtij mendimi duke përfshirë edhe këto rrethana, kanë përbërë të dhënat e nevojshme ku gjykata ështtë bazuar në dhënien e vendimit të datës 31.05.2024, për mospranimin e kërkesës së përjashtimit të datës 29.05.2024.
Për sa i përket referimit të bërë nga kërkuesi në kërkesën objekt shqyrtimi tek vendimi i datës 03.06.2024, për përjashtimin nga gykimi i të njëjtës çështje penale, i gjyqtarit Medi Bici, Gjykata çmon ky vendim nuk mund të ketë efekte detyruese për rastin në gjykim pasi kërkesat kanë objekt dhe shkak të ndryshëm.
Në kushtet kur, kërkesa mbi bazën e arsyeve të mësipërme u vlerësua se përbën një ripërsëritje, për të njëjtat shkaqe, e kërkesës së mëparshme të datës 29.05.2024, që nuk është pranuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, atëherë gjykata çmon se është rasti për zbatimin e gjobës ndaj kërkuesit në masën 10 000 ( dhjetëmijë) lekë, si sanksion i parashikuar nga neni 22/a i KPP, për rastin e abuzimit me të drejtën për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit.

PËR KËTO ARSYE,

Bazuar në nenin 21/2 Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S I:

–       Mospranimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë, nr. 52105-00378-00-2019, datë 05.04.2019.

–       Zbatimin e gjobës ndaj kërkuesit në masën 10 000 ( dhjetëmijë) lekë.

–       Ky vendim është i formës së prerë

–       Nje kopje e ketij vendimi t’u njoftohet palëve në proces.

–       Nje kopje e ketij vendimi t’i komunikohet gjyqtarit Sandër Simoni.

Tiranë më 06.06.2024

Ulja e dënimit

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar dhe më 9 shkurt 2019 dënoi në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.

Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.

Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, gjykohej në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie.

Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.

NGJARJA

Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”. Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se ishte Dajti.

Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tri automjetet e tyre. Sapo janë afruar te mjeti “Touareg”, punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “Ndal, Policia!”, i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.

Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.

Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahëqafë.

Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Dritan Dajti është arrestuar disa minuta më vonë i plagosur, ndërsa gjatë procesit ai është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re