Gjykata e Posaçme e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën lehtësimin e masës së sigurisë për gjyqtaren e Durrësit të deleguar në Korçë, Mimoza Margjeka e cila u vendos në arrest shtëpie pas një hetimi të SPAK nga rezultoi se bashkëshorti i saj, Arben Cara, profesor i drejtësisë në Universitetin e Durrësit, mori 6 mijë euro prej familjarëve të një të pandehuri.

“Masa e sigurisë është ndryshuar nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim paraqitje’ për znj. Margjeka. Ndryshimi i masës është vendosur për shkak se është nënë me fëmijë të vogël”, i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit në Gjykatën e Posaçme, Dinora Aleksi.

Sipas Aleksit, nuk është ndryshuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” për katër të proceduarit e tjerë, Arben Carën, avokatin Skënder Demiraj, Nejton Balin dhe Klaudjo Zhillën. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Mimoza Margjeka dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sipas SPAK, avokati Skënder Demiraj dhe dy shtetasit e tjerë Nejton Bali e Klaudjo Zhilla u arrestuan pasi dyshohet se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh.

Pas transferimit të shumës, Gjykata e Apelit të Korçës ndryshoi masën e sigurisë së Orion Balit, i cili ishte ndaluar në korrik të këtij viti duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm nga Korça për në drejtim të kufirit malazez.

Pas caktimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Mimoza Margjekajn në muajin shtator, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi pezullimin e saj nga detyra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re