Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori sot në rishqyrtim në seancë publike çështjen e ish – prokurores Antoneta Sevdari, për të cilën Gjykata e Strasburgut vendosi ta kthejë në detyrë.

Kjo është hera e parë që një vendim shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me forme të prerë rimerret në shqyrtim.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme (11 mars) KPA vendosi të pranojë kërkesën e Antoneta Sevdarit për të rishikuar vendimin e dhënë nga vetë Kolegji, në datën 28 shkurt 2019, që e shkarkoi atë nga detyrë.

KPA ka vendosur që çështja e Antoneta Sevdarit do të gjykohet edhe njëherë në themel.

Po ashtu është vendosur “prishja e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019 dhe rigjykimi i çështjes gjyqësore të juridiksionit të rivlerësimit (JR) nr.17, datë 13.09.2018 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 42, datë 18.07.2018”.

KPA ka vendosur që seanca gjyqësore publike për vazhdimin e gjykimit të çështjes në themel do të zhvillohet në datën 17.04.2024, ora 10:00.

Vendimi i Strasburgut

Kujtojmë që Gjykata e Strasburgut dënoi Shqipërinë me dëmshpërblimin e ish-prokurores me disa paga dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit të saj pasi i janë shkelur disa të drejta gjatë rivlerësimit kalimtar.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim në Kolegj erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit të vetingut në tërësi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re