Me kërkesë të prokurorisë Gjyakat e Vlorës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj biznesmenit Pëllumb Petritaj duke e kthyer atë në qeli. I biri padit penalisht gjykatësit për vendimin.

Nga Jerola Ziaj

Pëllumb Petritaj, i dënuar më hërët në gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë për tjetërsimin e disa qindra hektarëve tokë në Zvërnec, është arrestuar sërish të martën (11 nëntor), pasi gjykata me kërkesë të prokurorisë revokoi masën e sigurisë të dhënë në maj të këtij viti, që e kishte lënë atë të lirë me garanci pasurore 2.5 milion lekë.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Atalanta Zeqiri dhe anëtar Skënder Haluci dhe Albert Spiro, ka vendosur pranimin e kërkesës së prokurorit për ndryshimin e masës së sigurisë dhe policia ka ekzekutuar vendimin. Petritaj po gjykohet në këtë gjykatë për tjetërsimin e 100 hektarëve në zonën e Akërnisë në Vlorë.

Amarildo Petritaj, djali i të arrestuarit i cili i ka mohuar akuzat e tjetërsimit të pronës, paditi tre gjykatësit se në një marrëveshje me policinë dhe prokurorinë, kishin lejuar arrestimin para se të merrej vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë. Ai pretendon në kallëzimin penal se ka mesazhe mes gjyqtarëve dhe policisë gjyqësore, që sipas tij kanë cënuar “fshehtësinë e dhomës së këshillimit”.

Kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë është bërë nga prokurori i çështjes Albert Kuliçi, por ky i fundit nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN mbi arsyet që e kishin çuar prokurorinë të kërkonte këtë ndryshim.
Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, i cili ishte njëkohësisht pjesë e trupës gjykuese konfirmoi lajmin e ndryshimit të masës së sigurisë si dhe sqaroi se ne dijenin e tij policia kishte ekzekutuar vendimin.

Policia lokale sqaron ndërkohë se ndalimi i Petritit u bë mesditën e së martës, pas vendimit të gjykatës.

Biznesmeni Petritaj u la i lirë nga Gjykata e Vlorës në maj të këtij viti, pas 7 muajsh qëndrimi me masë sigurie me burg. Ai akuzohet për tjetërsimin e 100 ha tokë në Akërni. Atëherë gjyqtari Ervin Trashi pranoi konvertimin e arrestit me burg në garanci pasurore në vlerën e 2.5 mln lekëve.

Në dosjen penale Petritaj akuzohet për falsifikim dokumenteshe pastrim të produkteve të veprës penale. Për të njëjtën çështje është dënuar në mungesë me katër vite heqje lirie, aktualisht e shpallur në kërkim Blerina Dhrami( Brahimaj) ish-juriste e Hipotekës së Vlorës.

Petritaj është përmendur edhe në një sërë çështjesh të tjera me të njëjtën akuzë. Ai ishte shpallur në kërkim në qershor të 2016-tës për tjetërsimin e pronave në Karaburun, por kjo çështje ndaj tij u pushua.

Ai u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë në prill të vitit që kaloi me 3 vjet burg për tjetërsimin përmes falsifikimit të 150 hektarëve tokë në Zvërnec.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re