Kritiku i Kremlinit, Alexey Navalny do të qëndrojë pas hekurave pasi një gjykatë ruse refuzoi pjesërisht apelin e tij mbi dënimin me burg prej dy vite e gjysmë të dhënë ndaj tij këtë muaj.

Gjatë një seance tjetër të mbajtur po këtë të shtunë, Navalny u shpall fajtor për shpifjen ndaj një veterani të Luftës së Dytë Botërore dhe u gjobit me 850,000 rubla (11,480 dollarë).

Këtë mëngjes, në Gjykatën e Qytetit të Moskës, gjyqtari shkurtoi dënimin e aktivistit me një muaj e gjysmë, pasi mori parasysh kohën që kaloi në arrest shtëpie nga dhjetori 2014 deri në shkurt 2015.

Avokati i Navalny Olga Mikhailova i bëri kërkesë gjykatës që të lirojë klientin e saj menjëherë, siç kërkohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).

Gjykata dha dënimin kundër Navalny-t në datë 2 Shkurt, pasi vendosi që ndërsa Navalny ishte në Gjermani, ai shkeli lirimin me kusht në lidhje me një dënim të marrë në vitin 2014.

Dënimi me kusht u zëvendësua më pas me dënim me burg. Navalny u arrestua fillimisht nga shteti rus në janar pas mbërritjes së tij nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u rikuperuar nga helmimi nga Novichok, për të cilin ai fajësoi qeverinë ruse. Kremlini ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje.

Mikhailova argumentoi se jeta dhe shëndeti i Navalny ishin në rrezik ndërsa ishte në paraburgim.

Në një seancë të veçantë në Gjykatën e Rrethit Babushkinsky më vonë të Shtunën, Navalny u dënua për shpifjen kundër një veterani të Luftës së Dytë Botërore, një akuzë që ai e hodhi poshtë si të motivuar politikisht.

Rasti lidhej me komentet që Navalny bëri qershorin e kaluar në mediat sociale. Ai kritikoi një video të transmetuar nga kanali televiziv shtetëror RT, në të cilin figura të ndryshme të shquara shprehën mbështetje për ndryshimet e diskutueshme në kushtetutën ruse. Veterani Ignat Artemenko, 94, ishte midis atyre mbështetësve. Navalny u akuzua për shpifjen ndaj veteranit.

Ndryshimet kushtetuese, të cilat u mbështetën në një referendum të 1 korrikut, hapën rrugën që Presidenti rus Vladimir Putin të qëndronte në detyrë deri në vitin 2036, megjithëse kishte drejtuar tashmë vendin për dy dekada.

Arrestimi i Navalny ka nxitur protesta masive në të gjithë Rusinë dhe dënime nga udhëheqësit perëndimorë.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re