Një gjykatë në Iran ka dënuar administratën e SHBA-së dhe disa emra, përfshirë ish-presidentët George W. Bush dhe Barack Obama, me rreth 313 milionë dollarë si kompensim për sulmet e vitit 2017 në Teheran nga organizata terroriste DEASH.

Sipas agjencisë së lajmeve Mizan, e lidhur me gjykatën iraniane, vendimi është shpallur në padinë e ngritur në Gjykatën Civile të Teheranit kundër qeverisë dhe zyrtarëve amerikanë nga familjet e atyre që humbën jetën në sulmet e kryera nga organizata terroriste DEASH në Iran në 2017.

Në padinë e ngritur kundër qeverisë amerikane, ish-presidentët Obama dhe Bush, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), Komanda Qendrore (CENTCOM), ish-komandanti i CENTCOM-it, Tommy Franks, Departamenti i Thesarit, Lockheed Martin, si dhe American Airways Group u akuzuan se kanë një “rol themelor në organizimin dhe menaxhimin e grupeve terroriste, përfshirë organizatën terroriste DEASH”.

Gjykata dënoi administratëne SHBA-së, si dhe institucionet dhe zyrtarët amerikanë me 9 milionë e 950 mijë dollarë dëmshpërblim në pasuri, 104 milionë dollarë dëmshpërblim moral dhe 199 milionë dollarë dëmshpërblim për familjet e atyre që humbën jetën në sulmet terroriste.

Më 7 qershor 2017, në Iran 12 persona u vranë dhe 43 persona u plagosën në sulmet e armatosura dhe me bomba në Parlament dhe në varrin e liderit revolucionar, Ayatollah Khomeini. Organizata terroriste mori përgjegjësinë për sulmin.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re