GJKKO ka dhënë vendimin për ish gjyqtarin e KPA-së Luan Daci i akuzuar për falsifikim dokumentesh. Në vendimin e kësaj të marte gjykata ka vendosur gjashtë muaj burg për ish gjyqtarin.

Vendimi është shpallur nga gjyqtari Sandër Simoni, ndërkohë prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë një vit burg për ish anëtarin e KPA-së.

Gjyqtari Simoni pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi: dënimin e Luan Dacit me gjashtë muaj burg, për 30 muaj të mos kryej asnjë vepër penale dhe dënimi i konvertohet në shërbim prove.

Ndërkohë Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 20 maj të këtij viti ka pezulluar nga detyra ish gjyqtarin dhe çështja është marrë në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion, por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm dy javë më pas.

“Në aplikimin e kryer prej tij në datën 3 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ai ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore ‘largim nga puna” në vitin 1997, deklaroi SPAK.

Paralelisht me procedimin, SPAK mori në gjykatë masën e pezullimit nga detyra të Luan Dacit.

Kallëzimi ndaj Luan Dacit ka ardhur edhe nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Gjithë historia e Dacit filloi nga viti 2017, kur teksa kandidonte për anëtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re