Deputetja e PD, Jorida Tabaku në ‘Facebook’ shkruan se qeveria duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me bordin e Ushqimeve dhe të Karburanteve.

Tabaku thekson se vendimi i Gjykatës e thekson se situata nuk është emergjente dhe se shqiptarët nuk duhet ta paguajnë më shtrenjtë karburantet dhe as bordi nuk duhet të jetë më në fuqi.

Sakaq shton se deputetët e parlamentit duhet të mblidhen dhe të kërkojnë pezullimin e bordit të Karburanteve.

Postimi i plotë:

Qeveria duhet të zbatojë vendimet e Gjykates Kushtetuese!

Gjykata kushtetuese ka vendosur që Bordi i Ushqimeve dhe Bordi i Karburanteve përveçse antikushtetuese i kanë kryer funksionet e tyre në kohë! Në shkelje të plotë të konkurrencës, me një rast të pashembullt në botë, bizneset e mëdha u ulën në tryezë me qeverinë e përcaktuan çmimet në dëm të xhepit të qytetarëve! Nga kjo shkelje e kushtetutës të paktën 600 mln Euro u paguan shtesë nga qytetarët në arkën e bizneseve që uleshin në tavolinë për të vendosur çmimin.

Bordi i Ushqimeve ndonëse ligjërisht ende i pashkrirë de facto nuk po mblidhet më. Ndërkohë që Bordi i Karburanteve vazhdon avazin e vjetër duke vendosur çmime në kurriz të shqiptarëve për naftën.

E gjitha kjo kur ka një vendim të GJK që flet qartë, kur jemi përballë një situate që nuk është më emergjente dhe kur çmimet e naftës dhe gazit në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar!

Vendimi i GJK është i qartë dhe në mbrojtje të xhepave të shqiptarëve që paguajnë më shtrenjtë naftën prandaj nuk ka asnjë arsye logjike dhe ligjore që bordi oligarkëve të jetë në fuqi. I takon qeverisë që të veprojë, por e kuptoj dhe hezitimin e saj pasi është ortake në çmimet e larta që vendos bordi. Prandaj i bëj thirrje dhe parlamentit që të mblidhet për të kërkuar pezullimin e aktivitetit të këtij bordi.

Jam e bindur që ka shumë prej kolegëve socialistë që mund të ndajmë shumë mendime të ndryshme por puqemi pikërisht në çmendurinë e këtij bordi sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Detyra e Parlamentit! Detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin e shqiptarëve, pasi ata janë zgjedhësit tanë dhe jo një klub oligarkësh që u vendos atyre çmimin e lartë të naftës duke ua shtrenjtuar jetën më shumë se sa inflacioni socialist!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko