Gjykata e Krujës ka lënë në burg pesë të “fortët” e arrestuar në operacionin e zhvilluar në fshatin Nikël.
Të ndaluar Lutfi e Marklen Haka, Ylli Çangu, Valter Bami, e Skënder Leza, u lanë në burg pas vendimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Ndërkohë i pari që mësoi masën e sigurisë Ylli Çangu: për të si dhe për të gjithë të tjerët prokuroria kërkoi lënien në burg pa afat.
Ndërkohë avokati i tij Dilaver Smanaj kundërshtoi kërkesën e prokurorisë si të pabazuar, për faktin se Çangut i është gjetur në banesë vetëm një shpatë dekorative, e pamprehur.
Kundërshtime bëri edhe avokati Ilir Murati, që përfaqësonte Valter Bamin, por gjykata vendosi të lërë të gjithë të arrestuarit në burg.
Sipas prokurorisë, të pestë të arrestuarit akuzohen për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohte si dhe për vepra të tjera të rënda. Të pestë personat u arrestuan të enjten në Nikël gjatë një operacioni të RENEA-s.
