Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e arrestit me burg për Arjan Tasen, ish oficerin që goditi për vdekje me skaf 7 vjeçaren Jonada Avdia.

Prokuroria kërkoi që oficeri të gjykohej për akuzën e vrasje, e teksa hetimet përfundojnë për të, Tase do të qëndrojë në qeli. Prokuroria e ka formuluar akuzën si një “vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”, duke cituar nenin 76 të kodit penal (vrasja me dashje).

Tase i ka kërkuar falje familjarëve të së ndjerës si dhe policisë së shtetit, duke treguar po ashtu se nuk do të kundërshtojë vendimin e drejtësisë.

Vrasja e kryer me dashje (neni 76 i Kodit Penal) parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim.

Sipas kodit penal, ‘dashja’ nënkupton:

Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe dëshiron
ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre.

Paraditen e dy gushtit, ish-efektivi lundroi me skaf drejt bregut të detit, në shkelje të plotë të rregullores së miratuar në vitin 2019. Në orvatje për t’u kthyer prapa, Tase qëlloi me skaf të miturën 7 vjeçare, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Vdekja tragjike e Jonadës solli pështjellim të madh në opinionin publik, ndërsa ditën e djeshme u organizua dhe një protestë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re