Një gjykatë libiane të martën vendosi të përjashtojë komandantin renegat Khalifa Haftar nga zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm, bëjnë të ditur mediat lokale.
Gjykata e Shkallës së Parë të Zawiya pranoi apelin e paraqitur kundër kandidaturës së Haftarit dhe vendosi ta përjashtonte atë nga lista e kandidatëve për zgjedhjet e 24 dhjetorit, njoftoi Libya Al-Ahrar TV.
Gjykata tha se vendosi “të pranojë ankesën … dhe të anulojë vendimin e Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve në lidhje me kandidaturën e Khalifa Belqasim Haftar dhe e përjashtoi atë nga lista e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale”.
Me mbështetjen e vendeve arabe dhe perëndimore dhe mercenarëve të huaj, milicia e Haftarit nisi një ofensivë ushtarake në vitin 2019 për të marrë kryeqytetin Tripoli nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar e njohur ndërkombëtarisht.
Javën e kaluar, Komisioni Zgjedhor Libian shpalli një listë primare prej 73 kandidatësh për zgjedhjet presidenciale dhe një listë tjetër prej 25 personash të përjashtuar nga kandidimi, duke përfshirë Saif al-Islam, djalin e ish-udhëheqësit Muammar Gaddafi.
Libianët shpresojnë se zgjedhjet e ardhshme do të kontribuojnë në përfundimin e konfliktit të armatosur që ka pllakosur vendin e pasur me naftë prej vitesh.