Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 7 protestuesit e arrestuar për protestën e Teatrit 3 ditë më parë por Lëvizja Vetëvendosje Tiranë nuk bie dakord me masat e dhëna.

Avokatja e Vetëvendosjes, Suela Halili ka thënë se vendimet do të ankimohen dhe se janë të paligjshme. Gjykata la në arrest shtëpie vëllezërit Endrit dhe Erik Mërtirin kurse 5 të tjerët, përfshi kreu i Vetëvendosjes Tiranë, Boiken Abazi u lanë në detyrim paraqitje. Pra aktivistët e kanë të ndaluar që të marrin pjesë në protestë.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate për mediat apeloi për lirimin e Abazit dhe aktivistëve të tjerë. “Drejtësia duhet të arrestojë dhe të hetojë përgjegjësit e vërtetë që teatrin e kishin dënuar me shkatërrim vite më parë dhe që shkelën të gjitha normat ligjore dhe kufizimet e emergjencës pandemikë për të kryer krimin. Në një shtet ligjor, pushteti nuk jep imunitet. Aq më pak kur abuzon me detyrat publike. Hetimi i shkatërrimit të teatrit është prova e zjarrit e reformës në drejtësi. Privimi i mëtejshëm i lirisë së mbrojtësve të teatrit është vetëm inkurajim për vazhdimin e padrejtësive të pushtetit politik. Të gjithë të arrestuarit duhen liruar se me trupat e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe ligjshmërinë në vendin tonë. U bën barrikadë ndaj projektit kriminal të tjetërsimit të pronës publike dhe keqpërdorimit të institucioneve shtetërore dhe interesave private”, thuhej në deklaratë.

Pas protestës së 17 majit, ku policia shembi godinën e Teatrit Kombëtar, u arrestuan shtetasit Boiken Abazi, Kastriot Qemaj, Sokol Ndoj, Romeo Lila, Endrit Mertiri, Burim Tafilica, Edjon Xhoxhaj, për kundërshtim të policëve dhe grumbullim të paligjshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re