Nis gjyqi ndaj tre inspektorëve të Tatimeve në Durrës, Gentian Elezi, Artan Kroj dhe Petrit Hoxha. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur gjykimin me akuzën e korrupsionit.

Tre inspektorët e Tatimeve të Durrësit u arrestuan dy vite më parë pasi duke shfrytëzuar detyrën u merrnin para bizneseve në mënyrë që të mos iu vendosnin gjobë. Ata janë filmuar në atë kohë nga pronari i një biznesi, në momentin kur kërkonin para.

Policia në atë kohë bënte me dije se Gentian Elezi, Artan Kroj dhe Petrit Hoxha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lek për çdo rast.

SPAK i akuzon tre ish-zyrtarët e Tatimeve për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm. Përgjimi i telefonave dhe survejimi, zbuloi skemën e zhvatjes së parave të bizneseve nga tre të akuzuarit.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re