Gjykata e Lartë e Pakistanit urdhëroi sot lirimin e Omar Saeed Sheikh, i akuzuari kryesor në çështjen e vrasjes së gazetarit amerikan Daniel Pearl.
Në një urdhër të shkurtër, Gjykata e Lartë refuzoi ankesën e qeverisë provinciale kundër vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Lartë Sindh.
Pearl, një ish-shef i byrosë së Wall Street Journal të Azisë Jugore, u rrëmbye në janar vitit 2002 dhe u vra pas një muaji në qytetin jugor portual Karaçi.
Trupi i tij i gjymtuar u gjet në periferi të Karaçit katër muaj pas zhdukjes së tij.
Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm Sheikh, i lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe tre të tjerë dhe urdhëroi lirimin e tyre. Sidoqoftë, qeveria pakistaneze, duke përmendur shqetësimet e “sigurisë publike” i mbajti ata në paraburgim.
Dhjetorin e kaluar, gjykata e lartë la mënjanë urdhrat e paraburgimit të qeverisë dhe urdhëroi lirimin “e menjëhershëm” të katër personave. Por ata u vendosën në një listë të “ndalimit të fluturimeve” dhe u kërkua që të paraqiten para gjykatës sa herë që të thirren.
Të katër personat, Sheikh, Fahad Naseem, Salman Saqib dhe Shejh Adil, u gjetën fajtorë për rrëmbimin dhe prerjen e kokës së gazetarit amerikan në Pakistan.
Në qershor të vitit 2002, një gjykatë antiterrorizëm dënoi Sheikh me vdekje dhe tre të tjerët me burgim të përjetshëm.
Sidoqoftë, thuajse 18 vjet pas dënimit të tyre, gjykata e lartë i liroi të gjithë të pandehurit, duke deklaruar se prokuroria nuk ka arritur të provonte çështjen kundër tyre.
Në vitin 2011, një raport hulumtues nga Universiteti Georgetown në SHBA pretendoi se Sheikh dhe tre të akuzuarit e tjerë ishin dënuar gabimisht për vrasjen e Pearl.
Hetimi i udhëhequr nga kolegia e Pearl, Asra Nomani, e cila e kishte shoqëruar atë gjatë vizitës së tij në Pakistan, pretendoi se personi pas rrëmbimit dhe prerjes së kokës së tij ishte Khalid Shaikh Mohammed, organizatori i dyshuar i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.
Mohammed, i cili u arrestua nga forcat pakistaneze të sigurisë dhe iu dorëzua SHBA-së në vitin 2003, aktualisht po pret gjyqin në kampin amerikan të paraburgimit në Gjirin Guantanamo, Kubë.
