Gjykata e Tiranës ka zhvilluar sot seancën për ish-kreun e Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, duke e kaluar çështjen për gjykim. Sipas informacioneve, në seancën e sotme gjykata ka pranuar padinë kundër Kajmakut dhe tashmë ai është i pandehur dhe do gjykohet për falsifikim formulari dhe ushtrim kompetencash në kushtet kur i kishte përfunduar mandati.

Akuzat kundër Kajmakut u ngritçn, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pasi KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra. Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij. Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD-së u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj. Akzuat ndaj Kajmakut janë :“Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re