Seanca e radhës e përballjes së të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi me Emiliano Shullazin ka dështuar sërish.

 

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ky i fundit ka deklaruar se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund të paraqitet në seance dhe ka kërkuar që dëshmitë t’i japë me Skype.

 

“Shoqërimi im në gjykatë është si të sjellësh qingjin në gojën e ujkut”, kështu e ka konsideruar Luftar Reçi përmes një letre mungesën e tij sot në gjykatë dhe kështu e ka justifikuar kërkesën për ta dhënë dëshminë përmes një lidhjeje audiovizive.

 

Ai njoftoi se ka probleme të rënda shëndetësore që pamundësojnë ardhjen e tij në gjykatë dhe se nuk mund të rrezikojë jetën pasi ka ardhur 6 herë dhe seancat janë shtyrë jo për fajin e tij.

 

“Vuaj nga disa sëmundje dhe më rrezikohet jeta. Nuk mund të paraqitem në seancë. Dua ta jap dëshminë me skype”, mësohet të ketë deklaruar Luftar Reçi.

 

Por kjo kërkesë e tij është rrëzuar nga gjykata si e pabazuar në një ligj në një kohë kur bashkëpunëtori i drejtësisë nuk ka paraqitur dokumentet e nevojshme mjekësore për të provuar gjendjen e tij shëndetësore.

 

Togat e zeza urdhëruan shoqërimin e tij të detyrueshëm dhe në rast se ai nuk vjen gjykata do ta konsiderojë mungesën e tij si refuzim për të dhënë dëshminë.

 

I pandehuri Emiljano Shullazi, nën akuzë për vrasjen e Vajdin Lames, Klodian Saliut dhe Artan Arsit, ngjarje e ndodhur në vitin 2005, u shpreh se i ka kërkuar një sërë institucioneve qëkur u njoh me akuzat që rëndojnë mbi të ballafaqimin me bashkëpunëtorin Luftar Reçi, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.

 

Ai i kërkoi gjykatës që I penduari të paraqitet përballë tyre, që edhe vetë togat e zeza të shikojnë në sytë e tij sesi ai gënjen.

 

Prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini u shpreh se transporti i bashkëpunëtorit nga burgu i Drenovës, kërkon forcë, i shkakton atij lodhje dhe paraqet rrezik.

 

Ndërkohë mbrojtësit ligjorë të të pandehurve, Viktor Imeri, Endrit Taulla, Indrit Rusi e konsiderojnë dorëheqje nga dëshmia dhënien e saj përmes Skype-it.

 

Ata kërkojnë riekspertim të gjendjes së tij shëndetësore pasi sëmundja e diabetit nga e cila vuan Reçi shkakton probleme mendore dhe vendos në dyshim gjithë dëshminë e tij.

 

Kjo është hera e 8 që seanca shtyhet. Ndërkohë seanca e radhës pritet të jetë në 20 mars, ora 9:30.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re