Një gjykatës federal ka urdhëruar ish-zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence të dëshmojë para jurisë së madhe në lidhje me hetimet e këshilltarit special për trazirat e 6 janarit 2021 në Kongresin e SHBA-së.
“Washington Post”, duke cituar dy persona që kanë njohuri rreth kësaj çështjeje, tha se gjykatësi vendosi se Pence “mund të mbrohet me heshtje për çështjet që kanë të bëjnë veçanërisht me rolin e tij në Kongres” në ditën e trazirave.
Vendimi i kryegjyqtarit James Boasberg paraqet një tjetër disfatë për ish-presidentin Donald Trump në përpjekjet e tij për të penguar hetimet e vazhdueshme të prokurorit special, Jack Smith.
Smith i lëshoi një thirrje gjyqësore Pence-s për të dëshmuar në hetimet të cilat janë në vazhdim e sipër lidhur me krimet e mundshme federale që lidhen me përpjekjet për të anuluar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Pence dhe Trump e kundërshtuan thirrjen në baza të veçanta ligjore.
Para trazirave në Kongres nga mbështetësit e Trumpit, ish-presidenti i bëri presion të përsëritur Pence-s që të përdorte autoritetin e tij në mbikëqyrjen e certifikimit të votave të Kolegjit Zgjedhor për të vonuar ose bllokuar certifikimin e humbjes së Trumpit.
Prokurorët janë përpjekur të detyrojnë Pence-n të dëshmojë edhe për presionin e Trumpit ndaj tij.
Ndërkohë, njerëzit e afërt me ish zv/presidentin kanë parashikuar prej javësh se ai do të duhet të japë dëshmi para jurisë së madhe deri në një farë mase, sipas “New York Times”.
Burimi: AA