Më konservatori i gjykatësve të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas, mbrojti udhëtimet luksoze të financuara nga ai dhe “miku” i tij miliarder prej më shumë se dy dekadash, i njohur për donacionet e tij për partinë republikane.

Gjyqtari 74-vjeçar, anëtari më i vjetër i Gjykatës së Lartë të SHBA-së, thuhet se ka lundruar në jahte ultraluksoze dhe ka fluturuar me avionë privatë. Ai ka qenë sërish në qendër të vëmendjes, për shkak të zbulimeve të organizatës së gazetarisë investigative ProPublica për dhuratat që ka marrë nga biznesmeni Harlan Crowe, pa i deklaruar gjëkundi.

“Harlan dhe Kathy Crowe janë disa nga miqtë tanë më të mirë. Siç bëjnë miqtë, ne i shoqëruam ata në disa udhëtime”, tha Clarence Thomas në një deklaratë.

Gjykatësi gjithashtu pretendoi se ai nuk ishte në dijeni të rregullave sipas të cilave kërkohet të deklarohen dhurata të tilla.

Nuk është hera e parë që emri i Thomas përfshihet në një rast të diskutueshëm: gruaja e tij, Ginny, ishte e përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjen e Donald Trump për të provuar se atij iu grabit fitorja presidenciale e vitit 2020.

Demokratët denoncuan konfliktin e dukshëm të interesit dhe i bënë thirrje bashkëshortit të saj që të tërhiqej nga çdo rast që përfshin çështje zgjedhore.

Clarence Thomas u emërua nga presidenti republikan George W. Bush Sr. në vitin 1991 dhe emërimi i tij në Gjykatën e Lartë u konfirmua, pavarësisht nga akuzat për ngacmim seksual kundër një ish-ndihmëseje. Ai vetë i ka hedhur poshtë duke thënë se ka qenë viktimë e një “linçimi të teknologjisë së lartë”.

Pas zbulimeve të ProPublica, disa kongresmenë dhe senatorë demokratë kërkuan edhe një herë dorëheqjen e Thomas nga Gjykata e Lartë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re