Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka zhvilluar një takim me të ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA në vendin tonë, David Wisner.

Gjatë takimit, Zaçaj ka deklaruar se sfidë për këtë Gjykatë mbetet gjyqësorizimi i politikës dhe prirja për ta përfshirë atë në diskursin politik.

Po ashtu Zaçaj e vuri theksin në peshën shumë të rëndësishme që mban Gjykata Kushtetuese në zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve shtetërore, në interpretimin përfundimtar të Kushtetuese dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.

“Sot, në datën 22.01.2024, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, zonja Holta Zaçaj, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, zotin David wisner, i cili shoqërohej në takim nga zonja Mary Kate Butterfield dhe zoti David Backman, këshilltarë ligjorë, rezidentë në Ambasadë.

Pasi e falënderoi wisner edhe në emër të trupës së gjyqtarëve për këtë takim, Kryetarja Zaçaj e vuri theksin në peshën shumë të rëndësishme që mban Gjykata Kushtetuese në zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve shtetërore, në interpretimin përfundimtar të Kushtetuese dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirivie themelore. Po ashtu, Kryetarja Zaçaj evidentoi edhe sfidat me të cilat përballet kjo gjykatë, më aktualja prej të cilave lidhet edhe me gjyqësorizimin e politikës dhe prirjen për ta përfshirë atë në diskursin politik. Në këtë kontekst, e një rëndësie imperative mbetet ruajtja e integritetit dhe profesionalizmit të gjyqtarëve kushtetues ne ushtrimin e detyrës së tyre, me përkushtim dhe paanshmëri, duke u mbështetur vetëm te Kushtetuta dhe ligjet. Po ashtu, sfidë mbetet numri në rritje i çështjeve dhe buxhetimi i pamjaftueshëm në mjetet financiare dhe kapacitetet njerëzore. Gjykata po bën përpjekje të vazhdueshme për rritjen e transparencës dhe besimit të publikut në veprimtarinë e saj, duke qenë e orientuar nga përmbushja e detyrimit për informimin e tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Edhe ambasada Amerikane ka reaguar, duke thënë se SHBA mbështet  shërbimin e Gjykatës ndaj popullit shqiptar.

“Ngarkuari me Punë David Wisner dhe pjesëtarë të ekipit të Ambasadës që mbështesin sektorin e drejtësisë në Shqipëri u takuan me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese sot – një vit pasi Gjykata plotësoi numrin e anëtarëve. Z. Wisner përgëzoi anëtarët për punën e tyre dhe përsëriti mbështetjen e SHBA për shërbimin e Gjykatës ndaj popullit shqiptar”, thuhet në reagimin e ambasadës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re