Skip to content

Gjyqi në GJKKO, Veliaj deklaratë: S’vij dot se kam këmbën e thyer. Nuk kërkoj botox, por dua që të operohem nga një mjek që zgjedh familja ime

veliaj sd

Gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, është lexuar deklarata e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka shpjeguar arsyet përse nuk mund të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit, duke iu referuar dëmtimit të këmbës dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale.

Në deklaratën e lexuar në gjykatë, Veliaj është shprehur se dëshiron të marrë pjesë në proces, por gjendja e tij shëndetësore nuk ia mundëson këtë.

“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore”, thuhet në deklaratë.

Veliaj ka ngritur gjithashtu shqetësimin për trajtimin e tij mjekësor, duke kërkuar që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet në një spital të zgjedhur nga familja e tij dhe nga një mjek i përzgjedhur prej saj.

“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime”, është shprehur Veliaj.

Në vijim, ai ka kundërshtuar që vendimmarrja për anestezinë t’u lihet personave të tjerë.

“Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, ka deklaruar Veliaj.

Përmes kësaj deklarate, Veliaj i ka kërkuar gjykatës të ndërhyjë për të garantuar trajtimin e tij mjekësor sipas kërkesës së paraqitur nga ai dhe familja e tij.