Skip to content

Gjyqi në Hagë për krime lufte/ Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Në Gjykatën e Hagës po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

 

Gjykatësi ka kërkuar nga të pandehurit që të deklarohen sërish për aktakuzën e plotësuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi tha se “jam plotësisht i pafajshëm”.

 

Veseli u deklarua “tërësisht i pafajshëm”.Selimi u shpreh se “jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”.

 

Ndërkaq, Krasniqi tha se nuk ka “asnjë lidhje me pikat e aktakuzës”. “Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, theksoi ai.

 

Prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

 

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë, janë krijuar pas votimit më 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

 

Ky institucion, që njihet edhe si Gjykata Speciale, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

 

Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime.

 

Po ashtu, aty përmenden më shumë se 400 persona që dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm, 102 të vrarë dhe 20 të zhdukur.