ELBASAN- Shefja e Departamentit të Gazetarisë, Elvira Lumi e akuzuar për “shpërdorim detyre”, pjesë e skemës së korrupsionit të ngritur në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” është shfaqur sot e tensionuar në sallën e gjykatës.

Në pritje të vendimit të gjykatës, teksa ndodhej në kafazin e të pandehurve, Lumi shfaqet tejet e irrituar dhe thotë se nuk ka nevojë për avokat. Ndërsa një nga avokatët i afrohet tek kafazi, ajo bën shenja që ai të largohet dhe shprehet se nuk ka nevojë për të, siç mund të shihni në videon e siguruar nga “BalkanWeb”.

Mësohet se ajo do të mbrohet nga avokatja Sonila Leci, ndonëse u shpreh se nuk kishte nevojë për një të tillë.

Gjatë Operacionit “Dekani” përfunduan në pranga:

1- Albert Riska, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.

2-Elvira Lumi, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.

3-Erjola Calja, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

4-Petrit Kodra, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.

5-Admirim Kala, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.

6-Adem Ngjela, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.

7-Marius Calja, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.

Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259, i Kodit Penal, “Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike” dhe “Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike”.

Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve përgjatë periudhës 2012-2018.(m.a/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re