TIRANE- Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani ka dalë sot përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tju nënshtruar procesit të vettingut. Trupa gjykuese e KPK përbëhet nga Roland Ilia, Etleda Ciftja dhe Firdes Shuli. Ardian Dvorani është i pranishëm në seancën dëgjimore.

Ardian Dvorani është gjyqtari i gjashtë i Gjykatës së Lartë, që kalon në sitën e vettingut. Deri më tani është rikonfirmuar vetëm Edmond Islamaj, ndërsa janë shkarkuar Admir Thanza, Tom Ndreca dhe Artan Zeneli.

Sipas KPK, Dvorani ka kryer fshehje pasurie dhe ka berë deklarim të pasaktë, ndërsa ILDKPI nuk është shprehur nëse ka mungese burimesh të ligjshme.

“Nga hetimi rezulton se Dvorani ka apartament 120 m2 me vlerë 34 mije dollar të blerë në vitin 2001 dhe lidhur me ketë pasuri deklarimet e subjektit janë të sakta. Apartament 76 m2 privatizuar ne 1995 dhe bashkëshortja zotëron 1 te pestën. Ka huadhënie nga prindërit 1.5 mln leke, e cila ende nuk është shlyer. Ka kontrate qiraje 14.600 euro për pagimin e makinës.

Nuk ka deklaruar llogari bankare në vlerën e 9.9 mln lekeve ne emër të tij dhe të bashkëshortes. ILDKPI e ka konsideruar këtë fakt fshehje pasurie. KPK thotë se deklaratat përputhen, por mungojnë llogarite dhe ky fakt nuk është hetuar nga ILDKPI. Llogarite janë deklaruar në deklaratat periodike, por jo në deklaratën e vettingut. Lidhur me vlerësimin e figurës, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e Dvoranit për vijimin e detyrës. Në lidhje me aftësitë profesionale ndaj Dvoranit u depozituan 8 ankesa”- thuhet ne konstatimin e KPK.

Pas seancës dëgjimore Ardian Dvorani u shpreh se nuk përdori truke për t’u mbrojtur në KPK pavarësisht se kishte sipas tij një pakujdesi në dorëzimin e një dokumenti, ndërsa ai pret vendimin e Komisionit nëse do rikonfrmohet në detyrë apo ajo.

“Ka pakujdesi në dorëzimin e një dokumenti. Unë po bëj detyrën dhe nuk kam asnjë privilegj të qëndroj në Gjykatën e Lartë. Publiku pret që çështjet të gjykohen. Unë mendoj se unë nuk duhet të mbrohesha me truke. Unë pres vendimin e Komisionit dhe kam besim tek ligji dhe Kushtetuta” – tha ai.

(d.d/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re