Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi ndërprerjen e vetingut për ish-gjyqtarin e Apelit të Korçës Stavri Kallço, pasi ky i fundit dha dorëheqjen 2 javë pasi u njoh me rezultatet e hetimit në kriterin e pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërprerjen e rivlerësimit për Gjyqtarin e Gjyaktës së Apelit Korçë Stavri Kallço për shkak të dorëheqjes. Po ashtu trupa e KPK që shqyrtoi rastin, e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, njoftoi se Kallço ishte përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet, pas pranimit të dorëheqjes.

Në vendimin e zbardhur sëfundmi rezulton se vetingu për Kallçon kishte qenë në prag të përfundimit dhe se para dorëhqjes “për arsye shëndetësore”, gjyqtarit i ishte kaluar barra e provës në kriterin e pasurisë.

“Në mbledhjen e datës 17.12.2019, trupi gjykues, në prani të vëzhguesit ndërkombëtar, pasi arriti në përfundimin se provat në lidhje me komponentin e pasurisë kanë nivelin e provueshmërisë, me vendimin nr. 2, vendosi të mbyllë hetimin kryesisht për subjektin e rivlerësimit, z. Satvri Kallço, dhe të njoftojë subjektin se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, thuhet në vendimin e KPK.

Sipas të njëjtit vendim 14 ditë më vonë më 31 dhjetor Kallço, në vend të përgjigjeve për barrën e provës,  iu dërgoi KPK një kërkesë për ndërprerjen e vetingut ndaj tij, duke e njoftuar se kishte dhënë dorëheqjen.

“Në datë 31.12.2019, subjekti i rivlerësimit, me anë të postës elektronike, kërkoi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar, për arsye shëndetësore”, thuhet në vendim. KPK mori në janar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësorë që kishte miratuar dorëheqjen e Kallços dhe mbarimin e statusit të magjistratit për të.

Në vendim KPK arsyeton se pas marrjes së këtij njoftimi vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit pasi “Stavri Kallço, ka ushtruar të drejtën për të dhënë dorëheqjen”. Në vendim arsyetohet se pas kësaj “subjekti i rivlerësimit z. Stavri Kallço humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Vetëm gjatë vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësorë ka njoftuar mbarimin e mandatit përmes dorëheqjes të 17 gjyqtarëve, përfshi 5 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që kishin dhënë dorëheqjen më herët. Dorëheqje po ashtu kanë dhënë edhe disa prokurorë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re