Gjyqtarja Fatmira Hajdari del sot përpara komisionit të Vettingut. Ish-bashkëshortja e liderit të dhjetorit ’90, Azem Hajdari dhe e ëma e deputetes së opozitës, Rudina Hajdari, po përfaqësohet në këtë seancë dëgjimore përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) me avokatët Maksim Haxhia dhe Ilira Dane.
Procesi i vetingut për Hajdarin po kryhet nga trupa e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.
Gjyqtarja Hajdari përballet për herë të parë në shkallën e parë të Vettingut dhe duhet të justifikojë para KPK figurën si gjyqtare si dhe pasurinë e krijuar ndër vite.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë ka kryer verifikimin e pasurisë dhe se ka rezultuar e saktë. Por, KPK vëren se ka mospërputhje të deklarimit të një apartamenti në deklarimet e vitit 2003 dhe në deklaratën vetting. Fatmira Hajdari, sipas KPK nuk ka deklaruar një truall në vitin 2015.
Fatmira Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht.
Fatmira Hajdari kohët e fundit u caktua si gjyqtare për çështjet e lobimit në SHBA të PD ku i akuzuar ishte kryedemorkati Lulzim Basha, por ajo dha dorëheqjen nga kjo çështje për shkak të lidhjeve familjare që kishte. Ajo u caktua edhe për ‘”CEZ”, ku PS kërkoi përjashtimin e saj pasi kishte njohje me të akuzuarit, Sali Berishën dhe familjen e tij. Edhe nga kjo çështje ajo u përjashtua nga vetë Gjykata.
/shqip
