Këtë të dielë në Shqipëri u riatdhesuan 5 gra e 14 fëmijë të cilët prej vitesh jetonin në kampet famëkeqe të Sirisë.

Kjo ishte orvatja e dytë e shtetit shqiptar në rikthimin e shqiptarëve të mbetur atje, ku shumica e të cilëve janë fëmijë. Pavarësisht ndërhyrjes së këtyre ditëve, në kampet siriane ka ende shqiptarë.

Për nipat e mbesat ka bërë sot një thirrje ky burrë në moshë. Nipat e mbesat janë ende në kampin Al Hol dhe ai i është zotuar vetes që të mos i mbyllë sytë pa i parë sërish ata.

Dylber Shuli jeton në fshatin Zargoçan në Pogradec dhe ka një thirrje drejtuar qeverisë, që t’i sjellin nipat e mbesat.

“Unë do thërras deri sa të kem forcë. Fëmijët e Krenar Shulit janë të pafajshëm se atë ditë që kanë ikur kanë qenë 10 vjeç e poshtë. Po deshën këta të qeverisë do dalin, njeri tjetër nuk vete dot atje. Unë i bëj thirrje Kryeministrit për ndihmë. Elona me thoshte para një muaji se nuk na nxjerrin. Ajo thotë që duan të dalin një orë e më parë. Unë kam një muaj që e kam marrë vesh që do vinin këta që erdhën”, tha i moshuari

Rreth 8 vite më parë, djali i të moshuarit, Krenari, mori të shoqen dhe të trija vajzat e mitura (Elona, Erma, Jursa) drejt Sirisë për të luftuar në krah të ISIS.Çifti lindi një djalë atje ndërsa vajza e tyre e madhe u martua në moshë të mitur dhe në jetë solli një djalë. Krenari humbi jetën në luftë, ndërsa e shoqja u zhduk në rrethana të panjohura. Fëmijët mbetën kësisoj të vetëm, në kampet siriane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re