Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Kerem Kınık, tha se me mbështetjen e organizatës që drejton ai u hap qendra më e madhe e logjistikës në Rripin e Gazës.

“Sot, ne po hapim qendrën më të madhe të logjistikës në Gaza, të cilën u përpoqëm ta hapnim më parë, së bashku me vëllain tim të dashur dr. Yunus dhe miqtë tanë. Kjo është bërë qendra më e madhe e logjistikës në Gaza për sa i përket ndihmës humanitare dhe katastrofave”, tha Kınık gjatë vizitës së tij në Gaza.

Ai filloi vizitën e tij dy-ditore duke u takuar me homologun e tij Yunus al-Khatib, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Kınık për AA se ai vizitoi Gazan për të vlerësuar situatën humanitare në rajon pas sulmeve të fundit izraelite dhe për të zhvilluar bisedime për nevojat e palestinezëve në Gaza.

Duke vlerësuar sulmet e fundit të Izraelit si “më të këqijat” për Gazën, ai tha se rrjetet e ujit dhe energjisë u shkatërruan dhe mijëra palestinezë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre.

Ai tha se me institucione dhe organizata në Palestinë do të diskutojnë çështjen e plotësimit të nevojave humanitare.

Duke theksuar se banorët e Gazës kanë nevojë për ndihmë urgjente, ai tha se gjeneratorët duhet të furnizohen me karburant për të furnizuar me energji elektrike spitalet në rajon.

Më herët, Kınık mbajti një seri takimesh në kryeqytetin e Egjiptit Kajro për të shpejtuar përpjekjet për dërgimin e ndihmës, ndërsa më 16 qershor tha se procesi ka përfunduar për karvanin e parë të ndihmës humanitare me 10 kamionë që hyjnë përmes kalimit kufitar Rafah.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti që hyri në fuqi më 21 maj i dha fund bombardimeve 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Sulmet ajrore vranë gati 300 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe lanë pas një gjurmë shkatërrimi. Qendrat shëndetësore, zyrat e medias dhe shkollat ishin midis strukturave të shënjestruara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re