BERAT

Gjykata e Beratit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest në burg” pa afër për dy të rinjtë Elsjon Myzyri,21-vjeç dhe Xhuljano Mollaj,27-vjeç,të arrestuar 3-ditë më parë në kuadër të një operacioni të policisë së Beratit kundër lëndëve narkotike.
Masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat ka marrë edhe shtetasi E.L,i cili është shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se ka qënë ai në timonin e makinës tip BMW,që gjatë ndjekjes policore u qëllua nga të rinjtë dhe doli jashtë rruge. Ka qënë prokurori i çështjes, Ledjon Tema, që në bazë të provave të grumbulluara ka kërkuar cilësimin “të ligjshëm” të arrestimit të Myzyrit dhe Mollajt si dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për ta.

Pasi ka dëgjuar palën akuzatore dhe atë mbrojtëse,gjyqtari Pëllumb Zaimi e ka cilësuar “të ligjshëm” arrestimet e dy të rinjve dhe ka caktuar për ta masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat. Sipas avokatit të njërit prej të arrestuarve,27-vjeçarit Xhuljano Mollaj la deklaruar në sallën e gjyqit se klienti i tij është pronar i mjetit tip BMV por ai nuk ka qënë në makinë dhe nuk ka pasur dijeni për ngjarjes pasi makinën ja kishte dhënë për të bërë një xhiro Elsjon Myzyrit.

Ngjarja ka ndodhur në 28 Mars,ku policia pas informacioneve të marra se këta shtetas posedonin lëndë narkotike në mjetin e tyre,në aksin rrugor Poliçan-Berat, në vendin e quajtur “Qafa e mullirit” organizuan punën për ndalimin e tyre.Shtetasit e lartpërmendur nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar,i kanë kundërshtuar,kanë goditur me mjetin e tyre mjetin e policisë duke e nxjerrë jashtë rruge dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Menjëherë shërbimet e policisë u vunë në ndjekje për kapjen dhe ndalimin e tyre.Gjatë ndjekjes,policia konstatoi se këta shtetas kanë hedhur nga mjeti i tyre një sasi lënde narkotike cannabis sativa,e cila u sekuestrua më pas në cilësinë e provës materiale.Pas një punë të mirëorganizuar,policia arriti të arrestojë dy shtetasit: Elsjon Myzyri,21-vjeç dhe Xhuljano Mollaj,27-vjeç,të dy banues në lagjen “Uznovë” në Berat si dhe shpalli në kërkim shtetasin E.L,që ka qënë në drejtimin e mjetit BMW.

(BalkanWeb)

Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re