Ndeshja mes Gramshit dhe Valbonës u ndërpre pasi presidenti i ekipit vendas goditi me grusht arbitrin e ndeshjes.

Shkak u bë një penallti e akorduar nga kryesori kryeqytetas për skuadrën tropojane, teksa vendimi shkaktoi protesta të shumta.

Policia bën të ditur se ka proceduar penalisht presidentin e Gramshit shtetasin D. B, 58 vjeç dhe djalin e tij shtetasin A. B, 24 vjeç banues në Gramsh.

Njoftimi i policisë:

Komisariati i Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve sportive Gramshi dhe Valbona, në stadiumin e qytetit të Gramshit.

Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, sipas regullores, kishin marrë masat për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.

Në minutat e fundit të zhvillimit të lojës së futbollit, shtetasi A. B., 24 vjeç, president i klubit të futbollit të Gramshit, ka goditur me grusht shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, arbitër i ndeshjes, dhe për këtë arsye është ndërprerë ndeshja.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, kanë ndërhyrë në stadium duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe duke shoqëruar shtetasin A. B., në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh.

Në vijim të veprimeve, Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. B., 24 vjeç dhe D. B., 58 vjeç, banues në Gramsh (babë e bir);

A. B., me detyrë president i klubit të futbollit të Gramshit, për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, pasi, në përfundim të ndeshjes së futbollit të zhvilluar në Gramsh, ndërmjet ekipeve Gramshi dhe Valbona, ka goditur me grusht shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë arbitër i ndeshjes;

D. B., për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të djalit të tij, shtetasit A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme. /G.D /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re