Policia e Vlorës ka arrestuar 31-vjeçarin e identifikuar si Xhavair Kovaçi.

 

Ky i fundit, ka goditur në datën 18 janar të këtij viti me thikë ish bashkëshorten e tij, duke i marrë asaj një shumë parash dhe celularin.

 

Po ashtu, 31-vjeçari ka tentuar të vrasë një persona me kallash në Tiranë në datën 3 shkurt.

 

Kovaçi ishte shpallur në kërkim nga uniformat blu, ndërsa arrestimi i tij u bë sot në kuadër të operacionit të koduar “Limit”.

 

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Limit”, për kapjen dhe vënien në pranga të një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.  

 

Tentoi të vriste me armë zjarri kallashnikov një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

 

Ky shtetas kërkohej nga Policia e Vlorës, pasi më 18 janar, goditi me mjet prerës (thikë) ish-bashkëshorten dhe i vodhi asaj para dhe celularin.

 

Shërbimet e Komsiariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, të mbështetura nga inteligjenca informative, me qëllim kapjen e një shtetasi që kishte tentuar të vriste me armë zjarri kallashnikov, një shtetas tjetër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Limit”, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi Xh. K., 31 vjeç, banues në Tiranë.

 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi nga veprimet e thelluara hetimore në lidhje me një konflikt për motive të dobëta, të ndodhur më datë 03.02.2023, në rrugën “Çelo Ibraj”, Tiranë, ka rezultuar se 31-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip kallashnikov shtetasin A. H.

 

Nga veprimet hetimore për këtë rast, ka rezultuar gjithashtu se shtetasi Xh. K. ishte shpallur në kërkim dhe nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi më datë 18.01.2023, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë), ish-bashkëshorten, si dhe i ka vjedhur asaj, celularin dhe një shumë parash.

 

Shtetasi Xh. K. iu dorëzua shërbimeve të DVP Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re