Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pasi SPAK ka goditur një grup kriminal pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, ku janë lëshuar 11 urdhër arreste për anëtarët e dyshuar të grupit kriminal, mes të cilëve janë të përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të policisë së Shtetit.

Në reagimin e tij, Balla shprehet se kjo erdhi si rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ndër të tjera ai theksoi se autoritetet po vijojnë punën për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim, që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Reagimi i plotë

Dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta.

Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin.

Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Grupi kriminal është zbërthyer përmes aplikacionit “SKY Ecc” dhe SPAK lëshoi 11 urdhër arreste ditën e hënë (20 nëntor).

Në pranga është vendosur Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, si edhe djali i tij i madh, Eralbin. Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Ndërsa është lëshuar urdhërarrest edhe për shefin e Krimeve të Komisariatit nr. 6, në Tiranë, Dedan Gjoni për krijim kushtesh për vrasje.

Mes personave të arrestuar si anëtarë të dyshuar të grupit kriminal, janë edhe shtetasit Besmir Mustati dhe Bujar Gërmizi.

Në kërkim në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim Ervin Mata, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie për trafik droge.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat si “Grup i strukturuar kriminal”, “pastrim parash”, “trafik droge” dhe “sigurim i kushteve për vrasje”.

LEXO EDHE: Goditja e grupit kriminal nga SPAK, në prangat e policisë edhe një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Kukës

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re