Vendet në krahun lindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë modernizuar me shpejtësi ushtritë e tyre që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Kështu, Republika Çeke njoftoi një vendim të ri për të blerë 246 automjete luftarake CV90 nga Suedia për 2.5 miliardë euro, ndërsa Polonia njoftoi se do të blejë nëndetëse të reja këtë vit në programin “Balena vrasëse”.

Republika Çeke do të blejë 246 automjete luftarake CV90 nga prodhuesi suedez BAE Systems me pajisje dhe pjesë këmbimi së bashku me stërvitjen e ushtarëve për 2.5 miliardë euro.

10 automjetet e para do të dorëzohen në vitin 2026, njoftoi në Pragë kryeministri Petr Fiala pas seancës së Qeverisë.

Ushtria e Republikës Çeke fillimisht kishte planifikuar të blinte 210 automjete luftarake, por për shkak të luftës në Ukrainë, u përpoq të nxitonte prokurimin dhe dorëzimin, kështu që po blen 36 automjete të tjera.

Qeveria e vlerësoi kontratën të favorshme sepse garanton përfshirjen e 30 kompanive të industrisë ushtarake çeke me të cilat BAE Systems nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për projekte të ndryshme me vlerë 40 për qind të prokurimit të kontraktuar.

Ministrja e Mbrojtjes Jana Çernochova tha se do të fillojnë negociatat për blerjen e tankeve Leopard të prodhimit gjerman në versionin 2A8.

“Ne do të negociojmë me Gjermaninë për blerjen e rreth 70 tankeve. Ato mund të dorëzohen deri në vitin 2030. Edhe kur kam marrë detyrën kam thënë se prioriteti im ka qenë brigada e rëndë”, tha ajo.

Polonia fqinje, pas marrëveshjes kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korenë e Jugut për blerjen e tankeve amerikane Abrams dhe koreane K2 Black Panther, obuseve Krab dhe K9, raketave amerikane me shumë tytë HIMARS dhe CHUNMOO, avionëve luftarakë FA-50 dhe F-35, po ashtu po modernizon marinën e luftës duke blerë nëndetëse.

Polonia nis programin “Balena vrasëse”.

“Po lançojmë programin ‘Balena vrasëse’. Që në këtë vit po fillojmë të prokurojmë nëndetëset me teknologjitë e nevojshme. Nëndetëset duhet të jenë në gjendje të përdorin silurët, por edhe raketat”, tha ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak, por ai nuk specifikoi se sa dhe çfarë lloj nëndetëse dëshiron të blejë Polonia këtë vit.

Ministri arsyetoi armatimin e shpejtë të Polonisë me përpjekjet e Rusisë për të rivendosur perandorinë e saj.

“Ajo perandori ka qenë gjithmonë një kërcënim për botën e lirë. Pavarësisht nëse ajo ishte e bardhë apo e kuqe, si tani e [presidentit rus Vladimir] Putin, ajo gjithmonë ka vepruar në të njëjtën mënyrë, duke kryer krime lufte”, tha Blaszczak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re