Tomori arrin një fitore shumë të vlefshme në garën për vendin e pestë, në atë që mund të quhet ndeshja më e bukur e këtij sezoni. Një ndeshje e mbushur me gola e përmbysje por edhe shumë tension, si në fushë edhe në shkallët e stadiumit. Një ndeshje që u nis dhe u mbyll me gol në limitet e saj por u deshën plot pesë gola për të vendosur fituesin, i cili është Tomori që tani ngjitet në vendin e gjashtë në klasifikim.

Fierakët nisin topin e parë nga qendra dhe menjëherë surprizojnë duke shënuar me Vladisavlejaviç kur kronometroheshin vetëm 10’’ sekonda nga fillimi i ndeshjes. Ky gol i shpejtë i miqve e kondicionon ndeshjen dhe Tomori menjëherë hidhet në sulm. Tomori humbet raste të panumërta më Sharavollin, Dycën, Dervishin, Becin që sa për nxitimin e tyre por edhe për aftësinë e Harizaj nuk gjejnë barazimin. Ndërsa fierakët qëndrojnë prapa për të mbrojtur golin e shpejtë të shënuar dhe provojnë të dalin vetëm me kundrasulm. Në një rast është kombinimi mes Hysenshahaj dhe Vladisavlejaviç i shkojnë afër dyfishimit por është Kaloshi ai që pret.

Në këtë fraksion Tomori ka edhe dy raste pretendimi për 11 metërsh pas faullave të shkaktuar ndaj Sharavollit në minutën e 17’ dhe Dycës në minutën e 31’. Por në fushë nuk mungojnë as përplasjet dhe nervozizmi mes futbollistëve të të dy skuadrave, si ai i minutës 23’ kur Duka ndëshkohet me kartonin e verdhë.

Por nervozizmin në fushë transferohet edhe në tribuna me tifozët beratas që kontestojnë jo vetëm gjyqtarin Halo por edhe presidencën fierake të drejtuar nga Koço Kokëdhima, i cili ndodhej në tribunën e stadiumit.

Me nisjen e pjesës së dytë Tomori e nis me dy zëvendësime në sulm duke hedhur në fushë sulmuesit Galica dhe Kacoli ndërsa për Apoloninë në fushë hyn beratasi Zoga, i duartrokitur nga tifozeria vendase. Beratasit sërish kërkojnë të kontrollojnë lojën por bëjnë edhe gabime prapa me Dore apo Shaqe por as miqtë nuk janë të qartë të përfitojnë për të mbyllur ndeshjen.

Në minutën e 67’ Tomori gjen golin e barazimit me Kolecit pas pasimit të Sharavollit. Goli e bën ndeshjen edhe më interesante dhe të dyja skuadrat provojnë të reagojnë duke parë edhe ata nga porta e Kaloshit. Ndërsa pritej goli i Tomorit janë sërish bardhëjeshilët që shënojnë me kapitenin Hysenshahaj pas asistit të Gjatës.

As në këtë fraksion nuk mungojnë përplasjet mes futbollistëve të të dy skuadrave por njëkohësisht as kontestimi i tifozerisë beratase në tribunë ndaj Koço Kokëdhimës.

Por e pamundura ndodh në fund pikërisht kur po kronometrohej minuta e fundit e ndeshjes është Harizaj që ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Galicës dhe këtë herë ka 11 metërsh për beratasit që barazojnë sërish, këtë herë me kapitenin Paja nga pika e bardhë. Por emocionet e sfidës nuk mbyllen këtu pasi në minutën e dytë të shtesës është Sharavolli, i cili pas një vertikalizimi të Dervishit i vetëm me Harizaj shënon për ti dhënë fitoren Tomorit. Janë mbajtur plot 7 minuta shtesë për të pritur që të niste festa e beratasve pas kësaj fitoreje me një kundërshtar direkt.

Prononcime:

Santiliano Dule(Trajner i Tomorit): “Ishte një fitore e merituar dhe dua të përgëzoj djemtë për ndeshjen e bërë pasi nga fillimi deri në fund jemi shfaqur dominues në fushë. Gjykimi? Pavarsisht fitores kam kontestimet e mia për gjykimin pasi na mungojnë dy penallti në pjesën e parë dhe më pas një asistet amator që lejon një pozicion ofsajt gati 3 metra’’.

Etefan Carkoviç(Zv. Trajneri i Apolonisë): ka ironizuar atë që ndodhi ”Ne si klub duam të vlerësojmë mikriptjen që na u bë’’

Tomori 3-2 Apolonia

Shënues: Koleci 67’, Paja 90’(pen), Sharavolli 92’/ Vladisavlejaviç 1’, Hysenshahaj 81’

Tomori: Kaloshi, Shaqe, Dore(Mujkiç 58’), Beci, Paja, Dervishi, Koleci, Gjonaj(Kacoli 51’), Duka, Sharavolli, Dyca(Galica 51’). Tr. S. Dule(të gatshëm: Braçe, Hoxha, Kumani, Mahmutaj)

Apolonia: Harizaj, Buzi, Sota, Nako, K. Prifti, Jovanoviç, Hysenshahaj, Mehmeti( Zoga 46’), Mihana(Gjata 69’), Andoni, Vladisavlejaviç(Mandia 91’). Tr. R. Miliç (të gatshëm: Çako, Braka, A. Prifti, Omeri)

Kartonë të verdhë: Duka, Sharavolli, Dervishi, Beci/ Nako

Gjyqtarë: E. Halo(Memaliaj), R. Malaj, T. Kasa(Vlorë)

Delegat: Petrit Haxhija (Tiranë) ;   Vëzhgues: Fatos Koreshi (Lushnje)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re