Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar ish-futbollistin e njohur Genc Tomori me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe kontributin e spikatur si trajner e futbollist i ekipit Partizani dhe atij Kombëtar, i dalluar për aftësitë e tij në arritjen e rezultateve të larta me ekipet e moshave, si edhe drejtues i përkushtuar dhe i respektuar nga opinioni sportiv”.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti Meta shpreh kënaqësinë për këtë vlerësim të Tomorit, duke shpërndarë dhe një video të golit të tij të famshëm ndaj Gjermanisë në vitin 1983.

“Kënaqësi e veçantë, jo vetëm t’i uroja sot futbollistit të shquar të Partizanit dhe Ekipit Kombëtar, Genc Tomorit, 60-vjetorin e lindjes, por edhe ta vlerësoja me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, në mirënjohje dhe nderim për pasionin dhe kontributin e spikatur si futbollist, trajner dhe drejtues i përkushtuar prej gati tre dekadash me ‘të kuqtë’ dhe Kombëtaren kuqezi, i dalluar për aftësitë e tij edhe në arritjen e rezultateve të larta me ekipet e moshave.

I përshëndes të gjithë sportdashësit dhe dashamirësit e Genc Tomorit me këtë gol të paharruar të tij, që kalonte në avantazh Shqipërinë ndaj Gjermanisë së madhe të Rumeniges dhe Shumakerit, në ndeshjen e 20 nëntorit 1983 për Kualifikueset e Europianit, pas një aksioni fantastik në krahun e djathtë që dinte të realizonte vetëm një Shqipëri sulmuese e Shyqyri Rrelit dhe Medin Zhegës. ”, shkruan Presidenti Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re